E shtune, 06.09.2025, 02:38 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Shoqata e parë joqeveritare që ka vepruar në Kosovë

E premte, 05.09.2025, 06:55 PM


Prof. Blerim Latifi:

Ajo ka qenë shoqata e parë joqeveritare që ka vepruar në Kosovë, duke filluar nga viti 1990. Në një kohë kur shqiptarët ishin dëbuar me dhunë nga institucionet, shkollat, spitalet, fabrikat dhe, përveç terrorit shtetëror, po përjetonin edhe varfëri të skajshme, ajo ishte kthyer në një portë shprese për ta, një portë në të cilën mund të trokisnin dhe ku patjetër do të gjenin mbështetje.

Gjatë atyre viteve të vuajtjeve të mëdha të shqiptarëve të Kosovës, ajo udhëhoqi koalicionin e 56 OJQ-ve në vend, që punonin për të ndihmuar mbijetesën e popullit. Krijoi 96 klinika mobile dhe maternitete, ku lindën mbi 13 mijë fëmijë. Mbështeti mijëra mjekë dhe arsimtarë që të vazhdonin rezistencën kundër regjimit serb përmes punës së tyre. Dhe kur shpërtheu lufta, ishte e para që u gjend pranë refugjatëve në kampet e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ajo ishte sytë dhe veshët që dëgjonin të parët thirrjet për ndihmë të një populli që po përjetonte orët më të liga në historinë e tij. Ky humanizëm i pafund dhe i pakushtëzuar frymëzohej nga emri i madh që mbante: Shoqata Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, me seli në Zvicër.

Edhe sot, kur kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë e humanizmit heroik, ajo vazhdon me përkushtim misionin e saj. Megjithatë, institucionet e shtetit të Kosovës kurrë nuk janë kujtuar ta nderojnë as me një mirënjohje simbolike. Nuk janë kujtuar, sepse mentaliteti i mosmirënjohjes prej kohësh është duke përçudnuar shpirtin e këtij vendi dhe duke e zhytur në harresë faktin se liria dhe pavarësia e tij ishin, në thelb, produkte të humanizmit perëndimor.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx