E merkure, 13.08.2025, 06:00 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Juniku do të binte, por ajo që nuk ra ishte UÇK-ja

E marte, 12.08.2025, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Ajo ishte një ndër verat më të thata. Dielli digjte si saç. Gjelbërimi i natyrës vuante për një pikë ujë dhe gruri, i mbjellë në vjeshtën e shkuar, priste më kot korrjen. Nga Shala e Bajgorës në veri e deri në luginën e Rekës së Keqe në jug, prej gati dy muajsh po vazhdonin ofensivat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër UÇK-së. Gjak, lot, dhimbje; gra, fëmijë e pleq që ngjiteshin maleve për t’u shpëtuar masakrave; tymi i katundeve të djegura që ngrihej lart në qiell dhe bashkohej me retë që nuk sillnin shi – dhe qëndresë. Qëndresë e djemve e vajzave të UÇK-së, e cila po kalonte një sprovë të madhe. Duhej të mbijetonte për të mos lejuar nisjen e një procesi të rremë diplomatik, nga i cili nuk do të lindte liria e Kosovës.

Në ato ditë gushti, Juniku ishte epiqendra e luftimeve. Ai ishte arteria kryesore që ushqente organikën e luftës së UÇK-së. Serbia e dinte këtë, prandaj lëshoi mbi Junikun artilerinë e saj më të rëndë. Kullat e moçme u shembën nga goditjet me tanke e topa. Ato kulla, dëshmitare të heshtura të sa e sa kryengritjeve për liri, tani po dëshmonin edhe më të fundit prej tyre.

Asimetria ekstreme në armatim e diktonte rezultatin tragjik të betejës: Juniku do të binte. Por ajo që nuk ra ishte UÇK-ja. Dhe kjo, falë shembullit që dhanë ato ditë në Junik dëshmorët Bekim Berisha–Abeja, Bedri Shala, Përmet Vula dhe  Elton Zherka.

___________________

Ishte bërë 63 vjeç dhe sundimi mbi një perandori që sulmohej vazhdimisht nga të katër anët ia kishte konsumuar pothuajse krejt fuqitë. Ishte viti 545. Punët e shtetit nuk po shkonin aspak mirë. Në Perëndim, fiset barbare po bënin kërdinë përgjatë Italisë. Ato kishin rrethuar Romën, dhe ai ishte detyruar të dërgonte gjeneralin e tij më të mirë për të mbrojtur nderin e perandorisë. Në Lindje, konflikti me persianët vazhdonte t’i merrte shumë energji, ndërsa brenda vetë perandorisë po vuante pasojat e tmerrshme demografike dhe ekonomike të murtajës së tre viteve më parë, që kishte vrarë miliona njerëz.

Në këtë gjendje dëshpërimi të madh, ai u kujtua për vendlindjen e tij të largët. Ndoshta nga malli për ditët pa brenga të fëmijërisë së tij, një mall që na pushton sa herë e gjejmë veten të mbështetur për muri nga brengat dhe problemet e të tashmes. Dhe ai mori vendimin t’i bënte një dhuratë të çmuar vendlindjes: një katedrale të madhe, që do të njihej gjithandej në botën e krishterë. Kjo dhuratë do të mbante në themelet e saj vetë mbishkrimin me emrin e tij.

Katedralja u ngrit në qytetin dardan të Ulpianës, i rrënuar kohë më parë nga një tërmet i tmerrshëm. Njëzet vjet më pas, ai vdiq, dhe perandoria u fut në krizat e saj të njëpasnjëshme. Pasuesit e tij nuk patën as vëmendjen që ai kishte pasur për gjendjen në Dardani, as mundësitë për t’u kujdesur për dhuratën që ai u kishte bërë bashkëatdhetarëve të vet. Kështu, ajo mbeti nën mëshirën e stuhive të historisë, derisa u rrafshua me tokë dhe themelet e saj, bashkë me mbishkrimin e tij, u mbuluan nga shtresat e dendura të dheut dhe vegjetacioni.

Ato do të duhej të prisnin vitin 2025 për të dalë sërish në dritën e diellit dhe për t’i rrëfyer botës dashurinë që Justiniani kishte për atdheun e tij, derisa mbylli sytë.

___________________

Të gjithë e prisnin që Amerika, nën drejtimin e Trump-it, do t’u kthente shpinën problemeve të botës. Por, brenda pak muajsh, parashikimet e zymta dhe apokaliptike janë përgënjeshtruar njëra pas tjetrës. Amerika jo vetëm që nuk i ka kthyer shpinën botës së trazuar, por është rikthyer me forcë, duke marrë rolin e një “zjarrfikësi” global.

Ajo ka ndalur një luftë midis dy fuqive bërthamore, Indisë dhe Pakistanit; ka parandaluar shpërthimin e një konflikti midis Tajlandës dhe Kamboxhias; ka zbutur Iranin, duke e shkatërruar programin e tij për krijimin e armës bërthamore; ka detyruar Armeninë dhe Azerbajxhanin të nënshkruajnë paqen mes tyre në Shtëpinë e Bardhë, pas një hasmërie mbi tri dekada të gjatë; ka bindur Libanin të fillojë çarmatosjen e Hizbollahut pas 40 vitesh ekzistence të tij; dhe ka detyruar vendet evropiane të zgjohen nga ëndrra e paqes së përhershme kantiane, duke paguar detyrimet e tyre ndaj NATO-s.

Edhe për luftën Ukrainë–Rusi, të gjithë e dinë se vetëm Amerika mund të gjejë rrugën drejt përfundimit të saj.

Por a do të përfitojmë edhe ne nga ky rol prej “zjarrfikësi” që ka marrë Amerika e Trump-it? Vetë Trump është duke na përmendur shpesh, por ende nuk ka ndonjë shenjë se do të merret me ne në mënyrë të fokusuar. Të shohim. Mbase na ecë edhe kësaj radhe.

Por si shpjegohet ky angazhim i madh i Trump-it në trazirat e botës?

Cinikët thonë se po e bën për të fituar çmimin Nobel. Skeptikë të tjerë dyshojnë në qëndrueshmërinë e këtyre pacifikimeve që po sponsorizon ai. Të tjerë mendojnë se plani i Trump-it për ta fuqizuar Amerikën nuk mund të realizohet pa ruajtjen e rolit të saj si lidere botërore.

Përtej këtyre interpretimeve, një gjë për ne është e sigurt: shqiptarët janë përfituesit më të mëdhenj historikë nga ky lidership amerikan. Pyetja është: a do të jemi në gjendje t’i ruajmë frytet e këtij përfitimi? Për Shqipërinë mund të themi me siguri se po. Për ne në Kosovë, mbeten ende shumë pikëpyetje. Këto pikëpyetje dalin nga vetë padituria dhe mbrapshtitë tona kronike politike.

___________________

Aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese tani është publikuar. Ai sqaron paligjshmërinë e procesit të deritanishëm të zhvilluar në Kuvendin e Kosovës dhe përcakton procedurat kushtetuese se si duhet vepruar për të kapërcyer krizën e konstituimit të tij.

Kam një parandjenjë se procedura parlamentare e urdhëruar nga ky aktgjykim nuk do të respektohet. Qartësia e saj do të mjegullohet nga zhurma shurdhuese e interpretimeve partiake dhe kaosi politik vetëm sa do të thellohet.

Qofsha i gabuar, por intuita më thotë se qëllimi i pashpallur i kësaj krize është që autoriteti i Gjykatës Kushtetuese të relativizohet e të devalvohet deri në atë shkallë, sa aktgjykimet e saj të bëhen të parëndësishme dhe, kësisoj, të marrë fund mekanizmi i fundit institucional që i jep sens ligjshmërie jetës politike të këtij vendi.

Kur kjo të ndodhë, atëherë ne do të futemi në gjendjen e arbitraritetit të pakontrolluar politik, rrjedhoja përfundimtare e së cilës do të jetë futja e Kosovës në listën e shteteve të dështuara.

A është kjo rezultat i një plani të mirëmenduar e të sofistikuar nga kundërshtarët e pavarësisë sonë, apo thjesht pasojë e marrëzive politike të këtij vendi — këtë nuk mund ta them me siguri. Gjithsesi, i mbetet së ardhmes ta japë përgjigjen.

___________________

Pas dy ditësh, historia botërore mund të marrë një kthesë që do të përcaktojë fatet e kombeve për pjesën tjetër të këtij shekulli.

Në një vend të largët, larg zhurmës së kryeqyteteve të mëdha dhe syve të botës, në Alaskën e qetë, do të takohen njeriu më i fuqishëm i Perëndimit dhe tirani më i fuqishëm i Lindjes: Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Vendi i zgjedhur për këtë takim, përveç arsyeve praktike, mbart edhe një ngarkesë të dukshme simbolike. Deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, Alaska ishte territor rus; më pas, Cari Aleksandri i II ia shiti atë Shteteve të Bashkuara, për të sanuar krizën financiare të shtetit rus, pas humbjes katastrofale në Luftën e Krimesë ndaj Perandorisë Osmane dhe aleatëve të saj europianë.

Mesazhi i nënkuptuar mund të jetë se dy fuqitë janë gati për një “marrëveshje të re territoriale”, vetëm se këtë herë në lojë është një territor tjetër: Ukraina, e pushtuar nga Rusia që prej vitit 2022.

Refuzimi për të përfshirë Zelensky-n në bisedime lë të kuptohet se Ukraina nuk do të ketë zë në marrëveshje, ashtu siç nuk do të konsultohen as fuqitë e tjera të rëndësishme evropiane.

Nëse Amerika pranon t’i njohë Rusisë territoret e pushtuara si tokë ruse, atëherë rivendoset modeli klasik i përcaktimit të kufijve përmes forcës.

Historia botërore, siç ka shkruar Hegeli, lëviz në një rrafsh përtej konsideratave morale, dhe janë fuqitë e mëdha që e ndiejnë dhe e kuptojnë më mirë se kushdo këtë lëvizje.

Nëse ky skenar merr jetë, atëherë prej tij mund të përfitojmë edhe ne gjeopolitikisht, pasi liria dhe pavarësia e Kosovës, siç dihet, kanë lindur nga shkëputja me forcë e saj prej sovranitetit serb. Kështu, argumenti klasik serb kundër Kosovës, i mbështetur fuqishëm nga Rusia, nuk mund të pijë më ujë.

Sidoqoftë, mbetet të shihet. Zhvillimet dramatike shpesh na i përgenjështrojnë pritjet.

___________________

Në pikën e parë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës thuhet: “Kosova shpallet shtet i pavarur dhe demokratik”. Këto dy atribute nuk janë vendosur bashkë rastësisht; ato shprehin thelbin e Republikës së Kosovës dhe çelësin e qëndrueshmërisë së saj. Kjo do të thotë: ky shtet mund të jetë i pavarur vetëm duke qenë demokratik, dhe demokracia mund të ekzistojë vetëm në një Kosovë të pavarur. Si përfundim, çdo cenim ose degradim i demokracisë në Kosovë automatikisht e dobëson edhe vlerën e pavarësisë së saj.

Degradimi i demokracisë në Kosovë ka tri forma kryesore: normalizimin e shkeljes së Kushtetutës, shndërrimin e sundimit të ligjit në formalitet të zbrazët dhe grryerjen e heshtur të karakterit sekular të shtetit.

Shtetet nuk shemben vetëm nga agresionet e jashtme dhe krizat e mëdha të brendshme; ato shpesh shemben dalëngadalë nga erozioni i heshtur i shtyllave mbi të cilat qëndrojnë.

Mos thoni pastaj se nuk e kemi ditur.

___________________

Aty ku është fajdja, aty është edhe gjaku. Jo vetëm jeta e individëve, por edhe shoqëri të tëra janë shkatërruar prej saj. Qytetërimet janë përpjekur ta kontrollojnë ose zhdukin duke përdorur mallkimet fetare dhe mllefin moral. Aristoteli në veprën e tij "Politika" e dënon fajdën si "formën më të urryer të fitimit", ndërsa tri fetë abrahamike, Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, e ndalojnë atë rreptësisht në komunitetet e tyre. Por fajdja ka vazhduar të ekzistojë pandërprerje, pasi ajo kurrë nuk ka qenë vetëm çështje e mungesës së ligjit apo drejtësisë, por edhe shprehje brutale e instinktit të fitimit që nxit lakminë dhe hakmarrjen mes njerëzve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx