E merkure, 30.07.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Propaganda dhe folklori politik për Ujmanin

E marte, 29.07.2025, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

“Fati t'ban dhandër të mbretit, por po s’pate mend, përfundon te xhelati i tij"

Raporti midis mendjes dhe fatit ka qenë gjithmonë një nyje e vështirë për njerëzit që mendojnë. Që në kohët antike, ata e kanë lodhur mendjen me një pyetje të vjetër sa vetë jeta: prej nga varet jeta e njeriut? Nga fati, domethënë nga rrethanat, rastësitë dhe mundësitë që i vijnë papritur, apo nga përpjekja dhe puna e tij e menduar dhe e organizuar racionalisht?

Fatalistët besojnë se gjithçka është e shkruar më parë, nga një dorë e padukshme që tjerr fijet e jetës së njeriut mbi dhe, si moirat në mitologjinë e lashtë greke. Sipas tyre, njeriu nuk është veçse një lodër në duart e një fati të pasfidueshëm.

Ndërsa ata që besojnë në lirinë e njeriut, ata që në filozofi quhen “indeterministë”, këmbëngulin se mendja është busulla dhe timoni i jetës së tij: vetë njeriu e shtyn anijen e vet drejt cilitdo drejtim a liman që dëshiron.

Në Greqinë e lashtë, shembull i pikëpamjes së parë është Edipi i nemur nga orakulli; i të dytës është Odiseu i Homerit, që me mençuri, qëndrushmëri dhe vullnet të hekurt, arrin të kthehet në atdhe.

Makiaveli, në filozofinë e tij politike, përpiqet t’i bashkojë këto dy forca, mendjen dhe fatin, në figurën e sundimtarit efektiv, i cili nuk e lë veten në dorën e rrjedhës së rrëmbyeshme të ujit, por as nuk e mohon rrymën që e bart. Sepse fati, nëse nuk shoqërohet me mend, është si era që të larton për pak, por pastaj të rrëzon shpejt për dhe.

Në prozën popullore të mbledhur nga Anton Çeta gjendet një tregim alegorik në formë dialogu midis mendjes dhe fatit. Konkluzioni i këtij tregimi është ky : “Fati t'ban dhandër të mbretit, por po s’pate mend, përfundon te xhelati i tij”.

Sot, si shtet, jemi pikërisht në një udhëkryq të tillë: historia na ka dhënë një fat të mirë (çlirimin, pavarësinë dhe shtetin), por nëse nuk jemi të kujdesshëm dhe nuk e përdorimin mendjen për t'i ruajtuar ato, rreziku që t’i humbim është plotësisht real.

Në këtë vend ekzistojnë ligje për ujërat dhe energjinë, të cilat ndalojnë larjen në liqene akumuluese, siç është Ujmani.

Ndër shumë arsye përmenden edhe rreziqet nga instalimet hidroenergjetike, të cilat mund të shkaktojnë rrymime ujore që, në kontaktin e parë, mund ta mbytin njeriun.

Por në Kosovë askush nuk lodhet se çka thonë ligjet.

Askush nuk del t’i zbatojë ato.

Madje as nuk marrin mundimin të dalin e t’u tregojnë qytetarëve se larja në Ujman, përveçse e ndaluar, është edhe rrezikshme dhe mund t'u marrë jetën.

Me rëndësi është të ecë përpara propaganda dhe folklori politik për Ujmanin.

Nën ndikimin e këtij folklori vjen njeriu nga diaspora, zhytet në Ujman dhe nuk del më i gjallë prej andej.

Një jetë e humbur kot. Një familje e shkatërruar për shkak të një shteti që nuk i kryen detyrat e veta dhe një politike për të cilën rëndësi ka veç përfitimi elektoral.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx