Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Nga sallat e Sorbonës në malet e Kosovës
E diele, 20.07.2025, 06:58 PM
Prof.
Blerim Latifi:
Nga sallat e Sorbonës në
malet e Kosovës
Ai
ishte mbase kosovari më i shkolluar i kohës së tij. Kishte studiuar në Firence
për histori dhe gjeografi, më pas në Akademinë Ushtarake në Romë, dhe
gjithashtu për filologji në Sorbonë, në Paris.
Fliste
anglisht, italisht dhe frëngjisht. Gjimnazi "Sami Frashëri" në
Prishtinë, në gjithë historinë e tij, nuk ka pasur ndonjëherë një mësues më të
kualifikuar.
Ishte
ndër të paktët që u përpoq të krijonte një lëvizje kombëtare shqiptare përtej
binomit komunizëm-fashizëm. Si idealist i madh që ishte, kur u shua kryengritja
e Shaban Polluzhës, refuzoi të arratisej. Doli maleve për të vazhduar
rezistencën antikomuniste dhe për gati dy vite udhëhoqi përpjekjet për t’i
dhënë asaj tiparet e një lëvizjeje të organizuar nacional-demokratike.
Krejt
rrethanat ishin kundër tij, por ai kurrë nuk u dorëzua përballë fatalitetit të
tyre. U vra më 11 korrik të vitit 1946, në një pritë të organizuar në malet e
Hereçit të Gjakovës, nga vetë shqiptarët, për të cilët ai kishte ndërtuar një
vizion demokratik.
Çfarë
tragjedie! Çfarë njolle turpi në historinë e Kosovës!
Ky
ishte Ymer Berisha, nga Gjurgjeviku i Klinës.
_______________________________________
Në
Londër nënshkruhet Traktati midis Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Në thelb
të tij është bashkëpunimi ushtarak dhe strategjia e mbrojtjes së përbashkët.
Çfarë
do të thotë kjo?
Do
të thotë se dy nga shtetet më të fuqishme të NATO-s nuk janë më të bindura në
garancitë e sigurisë që ofron aleanca.
Ndërkohë
te ne, kjo ngjarje nuk përbën lajm.
Në
shpellën tonë mendore, gjithçka që ndodh përtej kufijve të grindjeve tona të
vogla, thjesht nuk ka rëndësi.
Nuk
i dëgjojmë kambanat e alarmit që po bien gjithandej në botë, sepse veshët na
janë shurdhuar nga zhurma e madhe e budallallëqeve tona të pafundme politike,
religjioze e mediatike.
Ky
është defekti ynë kronik si komb: mungesa e mendimit elitar kombëtarist,
paaftësia për të pa përtej interesave të partive e klaneve.
Derisa
të tjerët ndërtojnë aleanca për mbijetesë në një botë që po ribëhet
dramatikisht, ne nuk arrijmë ta mirëmbajmë as themelin e një shteti që e ka të
qartë se cili është interesi i tij kombëtar.
Dhe
derisa të mos kuptojmë se liria dhe siguria nuk ruhen me llafe politikanësh e
klerikësh injorantë, por me fuqi, me miq të zgjedhur dhe me vetëdije kombëtare
– do të mbetemi peng të një historie që do ta bëjnë e shkruajnë të tjerët për
ne.
Ashtu
siç na ka ndodhur vazhdimisht gjatë historisë.
_______________________________________
Në
Kosovën e ditëve tona mund të bëhesh deputet edhe nëse nuk ke as profesion, as
nivel kulturor dhe bagazhin intelektual e ke zero. Asnjëra nga këto nuk ka
rëndësi: rroga të del në fund të muajit.
Mund
të jesh deputet, të mos e hapësh kurrë gojën dhe prapëseprapë të marrësh rrogën
rregullisht.
Mund
të mungosh sa herë të duash, përderisa mungesat nuk e kalojnë gjashtë muaj, dhe
sërish paga nuk ndalet.
Pra,
mund të jesh full time i papërgjegjshëm dhe të paguhesh mirë për këtë.
Në
literaturën utopike mungon një utopi për dembelët dhe të
papërgjegjshmit.Kuvendi i Kosovës mund ta mbushë lirisht këtë boshllëk.
Kur
diskutonin për përparësitë dhe të metat e regjimeve politike, filozofët e
hershëm paralajmëronin se demokracia nuk mund të funksionojë vetëm si respektim
formal i procedurave ligjore në ushtrimin e pushtetit. Ajo kërkon
domosdoshmërisht edhe një lloj kredoje,
besimin e thellë në vlerat dhe synimet e saj. Kur ky mungon atëherë vjen
një ditë dhe procedurat formale rrënohen si kulla prej letre.
_______________________________________
Ka
qenë viti 1988. Unë isha 9 vjeç. Në lagjen tonë kishte ndodhur një vdekje dhe,
sipas traditës së asaj kohe, e pamja për të ndjerin zgjaste së paku dy javë. Ne
fëmijët, gjatë asaj kohe, sorollateshim rreth vendit ku zhvillohej rituali i
ngushëllimeve.
Një
ditë pamë një qerre me kuaj që u ndal aty, dhe një burrë i shtyrë në moshë
zbriti prej saj, i mbajtur nga dy burra të tjerë. Duke ecur ngadalë, me
frymëmarrje të rënduar, ai hyri në odën e burrave. Nga brenda u dëgjua një zë:
—
A je Xhemë Ternafci?
Plaku,
që ne fëmijët nuk e njihnim, ishte luftëtari i fundit i gjallë i çetës
legjendare të Azem Galicës. Duke qenë më i riu ndër ta, Azemi e trajtonte si
"sugarin" e çetës. Pjesëmarrës në shumicën e betejave të saj, Xhema
kishte marrë pjesë edhe në betejën titanike për ta shpëtuar trupin e prijësit
të plagosur, që të mos binte në duart e ushtrisë serbe. Ishte korriku i vitit
1924, kur ushtria serbe kishte rrethuar e bllokuar çdo cep të Drenicës.
Tridhjetë burra, shumë prej tyre të plagosur, do të çanin përmes dhjetëra
batalioneve serbe për ta çuar në vend amanetin e prijësit të tyre që po jepte
shpirt.
Dekada
më vonë, kur Xhemë Ternafci, ky luftëtar i kohëve të moçme, po i kalonte ditët
e fundit të jetës, disa djem të tjerë po niseshin maleve për të rifilluar
luftën për çlirim nga Serbia. Nga ata djem, doli USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS.
_______________________________________
E
paskan arrestu një serb në Rahovec për shkak se kishte mbajtur një fjalim
publik me sharje dhe ofendime ndaj UÇK-së. Shumë mirë. Por pyetja që shtrohet
natyrshëm është: si t’ia bëjmë me shqiptarët e shumtë që përditë mbushin
rrjetet sociale me gjuhë po aq të rëndë kundër UÇK-së?
Unë
mendoj se rreziku më i madh për përmbysjen e narrativës çlirimtare të Kosovës
nuk vjen nga propaganda e Serbisë, por pikërisht nga këta.
_______________________________________
Në
Librin e Predikuesit të Besëlidhjes së Vjetër gjendet ajo fjalia e famshme me
të cilën fillon ndoshta për herë të parë meditimi nihilist mbi botën:
"Kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi."
Është
si një britmë që lind nga përvoja e drejtpërdrejtë e jetës, e jo diçka që del nga rezonimi logjik.
Dhe
sot, kush dëshiron ta përjetojë atë shije të vjetër të kotësisë biblike, nuk ka
nevojë të lexojë literaturë teologjiko-filozofike: mjafton të ndjekë një
konferencë a forum të Internacionales Socialiste. Spektakli i fjalëve pa trup,
retorika e rrotullimit në vend, ekzegjeza boshe e idealizmave të falimentuar,
donkishotizmi politik — e gjithë kjo është “hevel havalim”, avull mbi avuj, tym
i tymrave.
_______________________________________
Rumania
po kontrakton me Izraelin blerjen e Kupolës së Hekurt — shteti i parë në Europë
që blen këtë teknologji shumë efektive të mbrojtjes ajrore.
Ne,
ndërkaq, buzë kolapsit shtetëror, vazhdojmë të jemi pjesë aktive e korit të
mallkimeve të përditshme në rrjetet sociale kundër Izraelit, Amerikës dhe
Perëndimit.
Pastaj,
kur të zgjohemi një mëngjes me raketat që hidhen nga Kopaoniku e Nishi mbi
qytetet tona, do të shohim se me kë do të rreshtohen Hamasi, Hezbollahu, Irani
dhe dreqi me t'birin.
Një
popull që nuk di kë ka mik e kë ka armik, është vetëm çështje kohe kur do ta
thyej qafën në kthesat e forta të historisë.
_______________________________________
Kur i pashë këto blinda të Ushtrisë së Shqipërisë duke shkuar në drejtim të Skënderajt, m’u kujtua beja që bënin pleqtë dikur: Pasha ato tri ditë të Shqipnisë!
Duket
se aq të mira kishin qenë ato tri vite [1941–1944], saqë u ishin dukur si me
qenë veç tri ditë.
_______________________________________
Kisha
e Thethit u ndërtua në vitin 1892 me ndihmën e misioneve katolike austriake, që
vepronin në zonën e Shkodrës. Projekti arkitekturor, materialet ndërtimore dhe
trajnimi i klerit e mësuesve u siguruan nga këto misione. E gjithë kjo ishte
vetëm një pjesë e vogël brenda projektit të madh austro-hungarez për ndërtimin
e kombit shqiptar — pa të cilin vështirë se do të kishim Shqipërinë e pavarur
të vitit 1912 dhe mbijetesën e çështjes së Kosovës gjatë shekullit XX.
Prandaj,
kjo nuk është vetëm një kishë e bukur në mes të një peizazhi të mahnitshëm
natyror, tashmë i shëmtuar nga ndërtimet e egra dhe rrënimi i vonuar i tyre.
Është
edhe një simbol i një kohe kur për fatin e Shqipërisë mendonin më shumë disa të
huaj sesa vetë shqiptarët. Me shumë mund dhe vështirësi, Shqipëria është sot më
afër se kurrë përmbushjes së qëllimeve të artikuluara që në atë kohë, ndërsa
Kosova, për fat të keq, ka hyrë në një cikël të rrezikshëm degradimi, i cili
nuk dihet se ku do ta çojë.
_______________________________________
Në
vitin 2012, një studim me datimin me karbon-14 zbuloi se ky ulli, bashkë me dy
të tjerë në Kopshtin e Gethsemanit në Jeruzalem, është rreth 900 vjeç. Mendohet
se janë mbjellë në kohën e Kryqëzatave, mes viteve 1099 dhe 1198 pas Krishtit.
Rrënjët e tyre janë dëshmi e heshtur e shekujve që kanë kaluar, e njerëzve që
kanë ardhur e ikur, e lutjeve që janë ngritur në heshtje dhe me zë drejt
qiellit.
Facebook-u
ma kujtoi sot këtë fotografi, të shkrepur nga një djalosh që rrinte buzë
rrugës, duke u afruar me shpresë te pelegrinët. Ishte i heshtur, por në sytë e
tij kishte një lloj urtësie që më bëri të ndalem. Për shërbimin e tij të
thjeshtë — një fotografi — i dhashë 10 shekelë. Ndoshta për të ishte shumë. Për
mua, ai çast mbeti si kujtim i gjallë i një udhëtimi në qytetin që prej
shekujsh vazhdon të mos e lë të qetë imagjinatën njerëzore.
_______________________________________
Ka
qenë një kohë kur kjo ishte një prej aventurave më të dashura në botën e
fëmijëve. Sot frytet e pemëve nëpër shumë katunde i zë vjeshta të pavjelura dhe
të kalbura në tokën e brymosur.