E shtune, 26.07.2025, 09:57 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Edhe një herë për pyetjen e vjetër - Të kujt janë kishat ortodokse në Kosovë?

E premte, 25.07.2025, 06:59 PM


EDHE NJË HERË PËR PYETJEN E VJETËR: TË KUJT JANË KISHAT ORTODOKSE NË KOSOVË?

Nga Prof. Blerim Latifi

Ka një polemikë të vjetër lidhur me pronësinë dhe përkatësinë e kishave ortodokse në Kosovë. Serbët i konsiderojnë ato si pronë të tyre, dhe kjo, prej kohësh, është një çështje e mbyllur në mënyrë legale. Në anën tjetër, janë të shumtë shqiptarët që mendojnë se këto kisha kanë qenë fillimisht shqiptare dhe më pas janë përvetësuar nga serbët. Përfundimi logjik që del nga ky mendim është se një gjë e vjedhur duhet t’i kthehet pronarit të ligjshëm.

Pikërisht mbi këtë truall arsyetimi ka gjetur terren për të vepruar sharlatani i dyshimtë Nikolla Bllazhde Xhufka – ky donkishot i ortodoksisë së humbur shqiptare në Kosovë.

Por cila është e vërteta e dy pretendimeve të sipërpërmendura?

Të dyja gabojnë, për faktin se përdorin koncepte të vona moderne për të përshkruar realitete tepër komplekse fetare të periudhës paramoderne. Kushdo që ka një lexim serioz të historisë, të mbështetur në tekste vërtet shkencore, e kupton një gjë themelore: para shekullit XIX, kishat ortodokse nuk kishin “tapi” etno-nacionale. Ato u përkisnin të gjithë besimtarëve ortodoksë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo gjuhësore. Kjo do të thotë se ato ishin njëherësh të shqiptarëve, serbëve, vllehëve e të tjerëve.

Një shembull i vonë i këtij fakti është se deri në dekadën e dytë të shekullit XX, igumeni i Manastirit të Deviqit në Drenicë ishte një shqiptar ortodoks.

Po si ndodhi që u prish kjo ekumeni multietnike dhe kishat ortodokse në Kosovë përfunduan në pronësi ekskluzive serbe?

Ka disa faktorë. Një ndër më të rëndësishmit është nacionalizmi serb, i cili u konsolidua shumë më herët se nacionalizmi shqiptar dhe, për rrjedhojë, pretendimet e tij për përvetësimin e pasurive materiale dhe shpirtërore të Perandorisë Osmane që po shembej, patën përparësi në çdo drejtim.

Faktori tjetër ka të bëjë me procesin e islamizimit: nga viti 1760 e tutje, ortodoksët shqiptarë të Kosovës filluan të kalojnë në islam, dhe deri në fund të shekullit XIX ky proces pothuajse kishte përfunduar. E njëjta ndodhi edhe me vllehët. Ideja se shqiptarët e Kosovës kaluan nga ortodoksia në islam për t'i shpëtuar asimilimit kombëtar, është një rrenë e madhe historiografike. Kur ky kalim po ndodhte shqiptarët etnikë nuk kishin ende vetëdije kolektive të identitetit kombëtar, të cilin medoemos duhej ta ruanin, qoftë edhe duke sakrifikuar besimim e tyre fetar për llogari të një tjetri.

Ndërkaq, shqiptarët ortodoksë që i mbijetuan këtij procesi të islamizimit, pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912, nuk kishin më asnjë mundësi tjetër përveçse të serbizoheshin, brenda një kishe që tanimë ishte kthyer në kishë kombëtare të shtetit modern serb.

Ndërkaq, ortodoksët shqiptarë të islamizuar, përveç arsyeve fetare, kishin tani edhe represionin shtetëror serb si nxitës për ta fshirë përfundimisht kujtesën e përkatësisë së tyre të dikurshme fetare. Për ta bërë këtë, ata e përqafuan edhe më fuqishëm fenë e re, Islamin. Edhe sot, në Kosovë, Islami është më i fortë pikërisht te ata që rrjedhin nga ortodoksët shqiptarë.

Ky pra ishte fati i “tapive” të kishave ortodokse në Kosovë. Serbët ishin të përgatitur për t’i nacionalizuar pikërisht në momentin kur kjo u duhej, dhe ia dolën fare lehtë, për shkak se shqiptarët ortodoksë kishin kohë që i kishin braktisur ato kisha, duke përqafuar fenë e shtetit osman.

Një vërejtje për në fund: nëse mund të flasim në terma të pronësisë historike etnike të kishave në Kosovë, atëherë kjo vlen vetëm për kishat katolike. Arsyeja është se katolicizmi, në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, ekzistonte vetëm tek shqiptarët. Vetë i madhi Pjetër Bogdani, në “Çeta e Profetëve”, na tregon se në terminologjinë ortodokse, katolicizmi quhej “arbanaška vera” – pra, feja e shqiptarëve. Pikërisht për këtë arsye, katolicizmi e pati shumë më të lehtë që, kur erdhi momenti historik, të pozicionohej bindshëm në funksion të nacionalizmit shqiptar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx