Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Anija e të marrëve
E marte, 02.09.2025, 06:54 PM
ANIJA E TË MARRËVE
Nga
Prof. Blerim Latifi
Në
veprën e tij “Shteti”, Platoni na e jep alegorinë e anijes së të marrëve për të
shpjeguar fatin e shteteve që mbyten në kaos, si pasojë e grindjeve të pafundme
midis grupeve dhe partive që luftojnë për pushtet.
Alegoria
është kjo: një anije po lundron në det të hapur, mes dallgëve. Pronari i saj,
që është edhe drejtuesi, ka një problem: është dritëshkurtër dhe njohuritë për
detin i ka të cekëta. Për këtë arsye, anija humbet vazhdimisht drejtimin.
Atëherë, ndër udhëtarët e tjerë shpërthen grindja: kush duhet të marrë timonin?
Secili prej tyre i lutet pronarit që t’ia besojë drejtimin, edhe pse asnjëri
nuk ka mjeshtëri detarie. Nëse ndonjëri arrin ta bindë pronarin, të tjerët e
vrasin dhe e hedhin në det. Të gjithë duan ta kenë timonin në dorë dhe secili
pengon tjetrin për ta arritur këtë qëllim.
Secili
e quan veten mjeshtër, ndërsa tjetrin të paaftë, megjithëse në të vërtetë
asnjëri nuk ia ka haberin detarisë. Kur më në fund pronari ua lë anijen në
dorë, ndodh katrahura: të gjithë shpallen timonierë dhe anija shkon herë në një
drejtim, herë në tjetrin, sipas atij që e ka timonin për momentin. Por askush
nuk e di nga duhet të shkojnë; të gjithë preokupohen vetëm që ta kenë timonin
në duar qoftë edhe për pak.
Leksioni
që Platoni na e jep përmes kësaj alegorie është i qartë: egot e shfrenuara për
pushtet, injoranca në drejtimin e tij dhe mungesa e konsensusit për
bashkëveprim janë sëmundjet që i sjellin një shteti vdekjen e sigurt.