Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Anija e të marrëve

| E marte, 02.09.2025, 06:54 PM |


ANIJA E TË MARRËVE

Nga Prof. Blerim Latifi

Në veprën e tij “Shteti”, Platoni na e jep alegorinë e anijes së të marrëve për të shpjeguar fatin e shteteve që mbyten në kaos, si pasojë e grindjeve të pafundme midis grupeve dhe partive që luftojnë për pushtet.

Alegoria është kjo: një anije po lundron në det të hapur, mes dallgëve. Pronari i saj, që është edhe drejtuesi, ka një problem: është dritëshkurtër dhe njohuritë për detin i ka të cekëta. Për këtë arsye, anija humbet vazhdimisht drejtimin. Atëherë, ndër udhëtarët e tjerë shpërthen grindja: kush duhet të marrë timonin? Secili prej tyre i lutet pronarit që t’ia besojë drejtimin, edhe pse asnjëri nuk ka mjeshtëri detarie. Nëse ndonjëri arrin ta bindë pronarin, të tjerët e vrasin dhe e hedhin në det. Të gjithë duan ta kenë timonin në dorë dhe secili pengon tjetrin për ta arritur këtë qëllim.

Secili e quan veten mjeshtër, ndërsa tjetrin të paaftë, megjithëse në të vërtetë asnjëri nuk ia ka haberin detarisë. Kur më në fund pronari ua lë anijen në dorë, ndodh katrahura: të gjithë shpallen timonierë dhe anija shkon herë në një drejtim, herë në tjetrin, sipas atij që e ka timonin për momentin. Por askush nuk e di nga duhet të shkojnë; të gjithë preokupohen vetëm që ta kenë timonin në duar qoftë edhe për pak.

Leksioni që Platoni na e jep përmes kësaj alegorie është i qartë: egot e shfrenuara për pushtet, injoranca në drejtimin e tij dhe mungesa e konsensusit për bashkëveprim janë sëmundjet që i sjellin një shteti vdekjen e sigurt.