E merkure, 10.09.2025, 12:38 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Një sqarim për miqtë dhe një mesazh për talibanët shqipfolës

E marte, 09.09.2025, 07:13 PM


Një sqarim për miqtë dhe një mesazh për talibanët shqipfolës

Nga Blerim Latifi

I

Fushatat e ndyra të platformave digjitale të vahabistëve shqipfolës kundër meje vazhdojnë prej vitesh. Arsyeja dihet: duan të më detyrojnë të mbyll gojën dhe të hesht përballë ideologjisë së tyre, e cila synon ta kthejë këtë vend në Afganistanin e Europës. Kjo ideologji synon ta delegjitimojë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me qëllim që të legjitimojë rikthimin e Serbisë. Po ju dhemb shumë që ua kam nxjerrë në shesh të vërtetën: këto platforma kanë pas vetes shërbimet sekrete të Serbisë – një e vërtetë që tashmë edhe institucionet tona të sigurisë janë duke e provuar.

Nuk kanë lënë shpifje pa sajuar kundër meje dhe familjes sime. Kërcënimet ndaj meje, të frymëzuara nga këto platforma terroriste, janë të panumërta e shpesh morbide. Shumë prej tyre tashmë ndodhen në dosjet e institucioneve tona të sigurisë, por edhe të shërbimeve mike të inteligjencës së huaj. Prej këtyre të fundit njëra ka qenë shumë efektive. Ajo është makthi i këtyre plehrave. U shfaqet edhe në ëndërr. I tmerron emri i tij.

I kam të vulosura dëshmitë për aktivitetin e ndytë të këtyre zuzarëve. Një ditë secili do të përballet me të vërtetën e tij dhe ky vend do të kuptojë se çfarë njolle ata i kanë vënë në ballë.

Nuk i kam publikuar, as i kam mediatizuar, sepse nuk kam dashur të bëj viktimën. E di se këta terroristë digjitalë vetëm do të trimëroheshin edhe më shumë. Një axhë i imi, luftëtar i Shaban Polluzhës dhe martir i luftës së fundit, thoshte:

"Kur të turren qentë, mos ua kthe shpinën, se marrin zemër e të bëjnë copa; shihi në sy qentë."

Së fundmi, kjo fushatë e ndyrë e këtyre plehrave medialë kundër meje është riaktivizuar. Nga një portal me emrin Shënjestra. Shikoni emrin dhe logon e tij. Një simbolikë që bartë konotacion të qartë terrorist.  Duke mos pasur asnjë material konkret për t’u kapur, kanë gjetur një rast të vitit 2022 dhe mbi të kanë ndërtuar një mal shpifjesh të reja kundër meje, si njeri që paskam kërcënuar nxënës e gra. Natyrisht për këto shpifje do të përgjigjen në gjykatë.

II

Por për çfarë bëhet fjalë?

Djali im, Genti, kishte filluar shkollën në vitin 2022. Duke qenë fëmijë i ndrojtur dhe i tërhequr, që në javët e para filloi të bullizohej nga disa nxënës të klasës. Fillimisht mendova se kjo ishte një situatë e përkohshme që me kalimin e kohës do të kalonte, por nuk ndodhi ashtu. Sjelljet bullizuese vazhduan. Mësuesja e re, e cila kishte ardhur për të zëvendësuar mësuesen paraprake, ishte e pafuqishme për të ndalur sjelljet e dhunshme, ndërsa ankesat e mia te drejtoria e shkollës u shpërfillën plotësisht.

Genti tregoi se një ditë, nxënësit kishin tentuar ta zhveshin në koridor, ndërsa kulmi kishte arritur kur një ditë tre prej tyre e rrëzojnë në tokë, dy e mbajnë për duarsh dhe i treti e shkelë me këmbë në bark. Shenjat e dhunës ishin të dukshme: në dy duart Genti kishte mavijosje. Dita kur më tregoi këtë ka qenë një nga më të rëndat e jetës sime, një ditë që nuk do ta harroj kurrë, deri në frymën e fundit.

Dhe kisha arsye.

Si një njëzetvjeçar, kisha hyrë në luftë, në Betejën e Koshares, i gatshëm ta jepja jetën për një Kosovë ku fëmijët e saj të rriteshin të lirë dhe pa frikë. Dhe ja tani, fëmija im po përjetonte një traumë të tmerrshme, një plagë që rrezikonte të linte pasoja të përhershme në jetën e tij.

Tani më thoni: çfarë duhej të bëja?

Të ulja kokën përpara një bullizimi grupor që rrezikonte ta shkatërronte përgjithmonë psikikisht djalin tim?

Të pranoja pafuqinë përballë indiferencës institucionale?

Të kërkoja mëshirë nga ata prindër që udhëzonin fëmijët e tyre të mos uleshin në një bankë me fëmiun tim, të cilin, përveç dhunës, nisën edhe ta etiketonin si autist?

Jo. Kurrë jo.

Unë nuk jam nga ata që e ulin kokën, as nga ata që i nënshtrohen të keqes që iu bie mbi shpinë. Nuk di të dorëzohem. Këtë e kam prej traditës dhe vendlindjes ku jam rritur, Prekazit të Ahmet Delisë, Tahir Mehes, Adem Jasharit, e qinda të tjerëve që e kanë vulosur lirinë e këtij vendi.

Prandaj, veprova. Pa cenuar apo prekur me dorë askënd, dërgova vetëm një mesazh tek prindërit e bullizuesve, se unë nuk do të hesht e ata duhet t'i ndalojnë fëmijët e tyre. Kaq është e gjithë kjo histori.

Dikush u frikësua dhe ngriti padi, pa qenë as dëshmitar i ngjarjes. Gjykata mori një vendim objektiv, duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe vendosi një gjobë minimale, vetëm për faktin se kisha hyrë në klasë. E kam bërë këtë sepse Genti kishte frikë të shkonte në shkollë. Përfytyrojeni një voglush 6 vjeçar që ka frikë të futet në klasë dhe të thotë: babi rri me mu.

Kjo është krejt historia.

Zotërinj talibanë shqipfolës: Unë jam Blerim Latifi.

Dëgjojeni mirë këtë :  Unë nuk thyhem nga paçavuret tuaja online. As nga kërcënimet tuaja. As nga presionet që bëni në institucionet ku unë punoj. As nga gjuha juaj helmuese e me tone terroriste. Propaganda juaj kundër meje ka vite që vazhdon, por ajo vetëm më ka forcuar.

Ky vend kurrë nuk do të bëhet Afganistan, e as Iran.

Sepse unë nuk jam i vetëm. Janë mijëra të tjerë që mendojnë si unë dhe nuk heshtin përballë cenimit të lirive në këtë vend. Zëri i tyre përditë po rritet. Sepse ne jemi shumica shqiptare, e ju jeni pakica mesjetare, që mbështetet nga forcat e errta që duan ta kthejnë pas këtë vend. Ju jeni njolla e pamerituar e këtij vendi dhe si njollë do të përfundoni.

Për fund dua t’i falënderoj gazetarët dhe mediat e vërteta të Kosovës që nuk kanë rënë nën ndikimin e këtyre paçavureve vahabiste, duke refuzuar gënjeshtrat dhe propagandën e tyre kundër meje. Janë pikërisht këta gazetarë dhe këto media që sot janë kthyer në një fortesë të demokracisë dhe lirive të saj. Në rend të parë të asaj lirie pa të cilën demokracia nuk ka kuptim: lirisë së shprehjes pa frikë.

Prof. Blerim Latifi me bashkëluftëtarin Nehat Shala, Koshare, maj 1999



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx