| E enjte, 18.09.2025, 06:58 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Pashë
disa video nga protestat e së djathtës në Londër. Rreth 150 mijë njerëz duke
kaluar Urën e Westminster.
Mund
të bëhen analiza nga më të ndryshmet, por ajo që duket qartë në horizont është
kjo: procesi i pandalshëm i ardhjes në pushtet të së djathtës kulturore në
kontinentin europian. Kombinatorikat politike mes socialdemokratëve, liberalëve
multikulturalistë dhe qendrës së djathtë mund ta vonojnë përkohësisht këtë
proces, por nuk mund ta shmangin dot.
As
etiketimet për një “rikthim të fashizmit në Europë” nuk kanë më fuqi bindëse.
Sepse e djathta kulturore e sotme nuk ka asnjë lidhje me fashizmin.
Konservatorizmi i saj nuk përkon as me konservatorizmin klasik, e as me
programet radikale të fashizmit.
Konservatorizmi
i së djathtës kulturore sot është konservatorizëm i trashëgimisë iluministe, e
cila përbën identitetin europian të katër shekujve të fundit, identitet që e
majta postmoderne nuk ka pushuar së luftuari, madje duke bërë edhe aleanca
solidariteti me ideologji reaksionare e mesjetare. Ana teorike e kësaj lufte ka
qenë ajo që Luk Ferry e quan “terrorizmi i dekonstruksionit”, ndërsa Pascal
Bruckner e ka përkufizuar si “mazohizmi perëndimor”.
Ka
ardhur koha të hiqet tabuja mbi një të vërtetë vetëevidente: Perëndimi është
superior mbi të tjerët jo vetëm në rrafshin tekniko-shkencor, por edhe në atë
etiko-politik.
_________________
Merreni
me mend këtë situatë: dy palë ndërluftuese në front. Në një moment, njëra palë
korr një fitore të madhe mbi palën tjetër. Pala humbëse tërhiqet, për të
rimarrë veten dhe për t’u bërë gati që sërish të kthehet në fushëbetejë.
Ndërkaq,
pala fituese, e kapluar nga euforia e fitores, bie në vetëkënaqësi dhe, pas një
kohe, grupet brenda saj fillojnë të grinden e të luftojnë me njëra-tjetrën.
Pala që kishte humbur betejën sheh një shans të ri në këtë sherr të brendshëm
dhe nis njerëzit e burimet e saj për ta nxitur e për ta bërë atë sa më
shkatërrimtar.
Nëse
planet e saj ecin, atëherë hapet mundësia që disfata e dikurshme të kthehet në
fitore. Kjo bëhet edhe më e sigurt nëse pala kundërshtare nuk e ka kuptuar një
të vërtetë të thjeshtë dhe të vjetër sa vetë historia: “Armiku më i rrezikshëm
i njeriut është krenaria që e verbëron dhe grindja që e copëton nga brenda.
Fitoret e jashtme nuk kanë vlerë pa një fitore të brendshme mbi egon dhe
përçarjen.”
_________________
Përtej
propagandës së ndyrë serbe në njërën anë dhe folklorit tonë historiografik në
anën tjetër, dëshmia e James Rubin në Hagë përbën një dokument esencial për
historinë e vërtetë, ende të pashkruar, të UÇK-së.