Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Roma e lavdishme ende ka telashe me barbarët
E hene, 08.09.2025, 06:56 PM
Prof. Blerim Latifi:
Roma
i ka dhanë botës idenë e rrugëve të shtruara, të cilat lidhin vendet, rajonet
dhe kontinentet. Via Egnatia ishte padyshim një nga më të famshmet, e ndërtuar
për të bashkuar Romën me atë që do të bëhej kryeqyteti i dytë i perandorisë,
Konstantinopoja. Ajo niste në Durrës dhe përfundonte në brigjet e Bosforit. Për
shekuj me radhë ajo ishte rruga kryesore tokësore që lidhte Perëndimin me
Lindjen. Historia botërore ka ecur mbi gurët e saj. Fragmente të saj u kanë
mbijetuar shekujve dhe, në këtë foto, shihet gjendja e njërit prej tyre në
Shqipëri. E kanë mbyllur brenda një rruge të asfaltuar, duke e kthyer nga
monument me vlera civilizuese në trotuar të kësaj rruge. Budallak me brirë.
Shekujt
kanë kaluar, por Roma e lavdishme ende ka telashe me barbarët.
______________
Vitet
e para të pavarësisë ishin plot entuziazëm dhe eufori. Ajo frymë përfshiu edhe
futbollin. Krijuam iluzionin se do të bënim namin në stadiumet ndërkombëtare.
Madje, ekipin tonë me mburrje e quanim “kombëtarja jonë”. Por erdhi momenti kur
euforia u davarit si tymi i fishekzjarreve të festës dhe realiteti na u shfaq
ashtu siç është. Për të na treguar mundësitë dhe kufizimet tona konkrete.
Futbolli, ashtu si ushtria, kërkon tre gjëra për të qenë histori suksesi: pare,
profesionalizëm dhe patriotizëm. Ne çalojmë në të tria këto shtylla, prandaj
edhe po humbim vazhdimisht.
______________
A
ju kujtohet ky objekt i frikshëm? Kali i orëve të edukatës fizike. Dimrit, kur
nuk mund të luanim në fushën e sportit të shkollës, arsimtari na dërgonte në
një sallë të madhe, që ndodhej në objektin e shkollës së vjetër. Aty gjendeshin
dy prej këtyre kuajve gjimnastikorë. Çfarë tmerri ishte! Kërcimi mbi ta ishte
tepër i rrezikshëm. Mund të thyeje duar e këmbë në përpjekje për të marrë notën
në lëndën e edukatës fizike. Sot, me siguri ky mjet primitiv atletik i takon
historisë.
______________
Një
shtet i brishtë ka vetëm dy rrugë përpara: ose të forcohet, ose të dështojë.
Ne, qartazi, po ia bëjmë me sy rrugës së dytë.
______________
Vesa
dhe fresku i mëngjesit të shtatorit që paralajmërojnë ardhjen e vjeshtës. Dhe
ky kopsht i vogël, i mbjellë me speca, të jep ndjesinë e një botë të qetë në
vetvete. Epikuri i urtë do të thoshte: Ja ataraksia: qetësia shpirtnore, pa
trazim, e gjetur mes gjânave ma të thjeshta!