Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Roma e lavdishme ende ka telashe me barbarët

| E hene, 08.09.2025, 06:56 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Roma i ka dhanë botës idenë e rrugëve të shtruara, të cilat lidhin vendet, rajonet dhe kontinentet. Via Egnatia ishte padyshim një nga më të famshmet, e ndërtuar për të bashkuar Romën me atë që do të bëhej kryeqyteti i dytë i perandorisë, Konstantinopoja. Ajo niste në Durrës dhe përfundonte në brigjet e Bosforit. Për shekuj me radhë ajo ishte rruga kryesore tokësore që lidhte Perëndimin me Lindjen. Historia botërore ka ecur mbi gurët e saj. Fragmente të saj u kanë mbijetuar shekujve dhe, në këtë foto, shihet gjendja e njërit prej tyre në Shqipëri. E kanë mbyllur brenda një rruge të asfaltuar, duke e kthyer nga monument me vlera civilizuese në trotuar të kësaj rruge. Budallak me brirë.

Shekujt kanë kaluar, por Roma e lavdishme ende ka telashe me barbarët.

______________

Vitet e para të pavarësisë ishin plot entuziazëm dhe eufori. Ajo frymë përfshiu edhe futbollin. Krijuam iluzionin se do të bënim namin në stadiumet ndërkombëtare. Madje, ekipin tonë me mburrje e quanim “kombëtarja jonë”. Por erdhi momenti kur euforia u davarit si tymi i fishekzjarreve të festës dhe realiteti na u shfaq ashtu siç është. Për të na treguar mundësitë dhe kufizimet tona konkrete. Futbolli, ashtu si ushtria, kërkon tre gjëra për të qenë histori suksesi: pare, profesionalizëm dhe patriotizëm. Ne çalojmë në të tria këto shtylla, prandaj edhe po humbim vazhdimisht.

______________

A ju kujtohet ky objekt i frikshëm? Kali i orëve të edukatës fizike. Dimrit, kur nuk mund të luanim në fushën e sportit të shkollës, arsimtari na dërgonte në një sallë të madhe, që ndodhej në objektin e shkollës së vjetër. Aty gjendeshin dy prej këtyre kuajve gjimnastikorë. Çfarë tmerri ishte! Kërcimi mbi ta ishte tepër i rrezikshëm. Mund të thyeje duar e këmbë në përpjekje për të marrë notën në lëndën e edukatës fizike. Sot, me siguri ky mjet primitiv atletik i takon historisë.

______________

Një shtet i brishtë ka vetëm dy rrugë përpara: ose të forcohet, ose të dështojë. Ne, qartazi, po ia bëjmë me sy rrugës së dytë.

______________

Vesa dhe fresku i mëngjesit të shtatorit që paralajmërojnë ardhjen e vjeshtës. Dhe ky kopsht i vogël, i mbjellë me speca, të jep ndjesinë e një botë të qetë në vetvete. Epikuri i urtë do të thoshte: Ja ataraksia: qetësia shpirtnore, pa trazim, e gjetur mes gjânave ma të thjeshta!