Editorial
Gjon Keka: Gjergj Kastrioti është figura e vetme që na frymëzon, na mban në unitet dhe na ribashkon me familjen europiane
E diele, 17.08.2025, 06:59 PM
Gjergj Kastrioti është figura e vetme që na frymëzon, na mban në unitet dhe na ribashkon me familjen europiane
Nga
Gjon Keka
Historia
e asaj që njerëzimi ka arritur në botë është në thelb historia e njerëzve të
mëdhenj që kanë qenë aktiv dhe që kanë ndërtuar themelet e së ardhmes së
kombeve e popujve dhe civilizimeve. Ata ishin udhëheqësit e njerëzimit, njerëz
të mëdhenj, modeluesit, shembuj mbikohor apo në një kuptim të gjerë krijuesit e
gjithçkaje që njerëzimi në tërësi ka sjellë deri më sot Çdo gjë që shohim të
përfunduar në botë është në të vërtetë rezultati i jashtëm, fizik, realizimi
dhe mishërimi aktual i mendimeve të natyrshme në njerëzit e mëdhenj të dërguar
në botë.
Shpirti
i gjithë historisë botërore dhe të kombeve mund të thuhet më të drejtë dhe në
mënyrë të arsyeshme se është historia e këtyre udhëheqësve të mëdhenjë apo
njerëzve të mëdhenjë përgjtë historisë. Nëse do të mund t'i hulumtonim siç
duhet atëherë do të fitonim njëfarë depërtimi në thelbin e historisë botërore.
Sa me fat, nëse do të mund t'ju zbuloja sadopak rëndësinë e natyrës heroike të
kryeheroit arbëror, mbrojtësit të civilizimit europian Gjergj Kastriotin (Skënderbeun)
- marrëdhënien hyjnore të tij, atdhetarizmin e pastër dhe rolin e madh që ai
kishte marrë mbi vete në atë kohë jo vetëm ta ruaj Arbërinë e tij por edhe tërë
kontinentin europian dhe civilizimin e tij.Një aktor i madh është vetëm një
aktor në skenë dhe ashtu duhet të jetë, por Gjergj Kastrioti ishte më shumë se
një aktor, ishte një njeri i madh, një iliro-arbëror i madh, një europian i
madh.Në analet historike dhe politike ne e shohim kryeheroin tonë si një aktor
kryesor në Gadishullin Ilirik dhe kontinentin europian, dhe kjo është e vërtetë
sepse ai sëbashku me Janosh Huniadin u bënë mburoja e përbashkët e civilizimit
europian.
Kur
shkruaj për kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin sigurisht se bazohem në fakte, kronika
historike, në veprat e bashkohësve të tij që shkruan për të dhe në analet tjera
historike e politike e mbi të gjitha në frymën e historisë së njeriut dhe
kombit e cila i largon të gjitha dyshimet dhe mungesën e njohurive mbi atë
personalitet apo kohën dhe ndikimin që ai kishte në atë kohë.
Sikur
mësojm nga historia e lashtë në kohërat e vjetra heronjët cilësoheshin si hyjni,
pra në formën më të vjetër primare të kohës heroizmi ishte simbol i hyjnisë, kjo
për shkak të fuqisë së tij, strategjisë së tij, taktikës së tij, dijes apo
urtësisë së tij dhe mbi të gjitha në heroin e formës së fillesave të tij e
shohim heroin si hyjni. Ka edhe një arsye tjetër pse heroi cilësohej si hyjni, kjo
për shkak se në atë kohë nuk kishte armë të sofistikuara sikur ka tani, nuk
kishte mjete të shumta luftarake etj, pra barra e gjithë betejës së një lufte
binte mbi kurrizin e gjeneralit, e kryeheroit që i printe asaj dhe ushtarëve që
e ndiqnin atë.Për këtë arsye heroi cilësohej si hyjni për shkak se ai pa mjetet
e mëdha më fuqinë e tij, trimërinë, dijen dhe strategjinë arrinte të korrte
fitore të mëdha në beteja të shumta, dhe sigurisht se ky cilësim mund të
arsyetohet për atë kohë kur armët dhe mjetet ushtarake as nuk ishin të shumta
dhe as të sofistikuara sikur tani.Prandaj edhe sot ne kemi më pak heronjë se në
të kaluarën sepse sot pothuajse mbi 70% të gjithë ndërmarrjes së luftës e
kryejën armët e zhvilluara ndër vite e shekuj deri më sot. Sot mjafton një
ushtar apo gjeneral të urdhëroj të shtypet një pullë dhe arrihet te qëllimi i
lartë i një lufte për ta mposhtë armikun. Sot gjenerali apo komandanti ia jep
planin ushtarëve dhe me mjete të telekomunikimit dhe forma tjera të pasqyrës së
betejës në imazhin e teknologjisë të arrijë deri te pika e synuar.
Pra
sikur shihet si rezultat i zhvillimit të teknologjisë së armëve të luftës, sot
bota ka më pak heronjë se në të kaluarën.
Sidoqoftë
të kthehemi te figura e kryeheroit arbëror i cili me pak mjete dhe me fuqi, urtësi
e trimëri arriti të mposhtë një Perandori dhe ta ndalë atë për 25 vjet që të
mos e kalojë kufirin që Gjergji ynë i madh me arbëroët e tij ia kishte vendos
sulltanëve.
Ai
nuk kishte armët e sofistikuara dhe mundësitë që sot janë për t'u mbrojtur
kundër një armiku, por ai ishte vetë fuqia e duhur me arbërorët e tij që i
tejkaluan të gjitha armët e sotme të sofistikuara, pra sikur shihet heroi i të
kaluarës është heroi i cilësuar hyjni sepse arriti gjëra të mëdha me pak mjete.
Atëherë
nisur nga kjo, a nuk duhet që edhe sot të mbahet gjallë figura më e ndritur e
historisë së kombit tonë arbëror, kryeheroit Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)?
Natyrisht
secili komb që ka figura të tilla të larta heroike që janë ngjitë në
piedestalin më të lartë të historisë së kombit, që janë bërë tempull ku
mblidhen pasardhësit e tij, i mbanë të gjallë dhe i ngre lartë me lavde, shkrime
dhe mbi të gjitha merr shembullin e tyre se si duhet të jetë një atdhetar i
vërtetë, se si duhet të jetë një qytetar besnik, se si duhet të jetë një
gjeneral, burrështeti, politikan, diplomat e udhëheqës etj.
Gjergj
Kastioti është një figurë mbikohore, ai mund të merret edhe sot shembull, mjafton
secili arbëror i vërtetë që mbanë në venat e tij gjakun e Gjergj Kastriotit të
përpiqet t'i ngajë atij si në fjalë dhe në vepra, si në atdhedashuri dhe në
mbrojtje të dinjitetit dhe lirisë së atdheut të tij, si dhe të udhëheqjes së
vendit më vizion, urtësi, guxim dhe strategji. Në fakt kur unë shkruaj për
Gjergj Kstriotin do të thotë që po shkruaj për një figurë që na frymëzon, që na
mbanë në udhën që ai e trasoj pra udhën e përbashkët të uniteti dhe të
ribashkimit më familjen e natyrshme europiane,
Gjatë
leximit, kërkimit të dokumenteve historike dhe të shumë veprave në vlerësimin e
figurave historike gjithmonë kam pasur qëllimin themelor të ndaj gjykimin tim
për një nga aspektet e pabarabarta të personit nga ai i të gjithë personit. Në
këtë mënyrë kam zbuluar se shumë njerëz ishin njerëz të mëdhenj për të cilët
historia përgjithësisht i kalonte në heshtje dhe shumë të tjerë për të cilët
historia hesht ose të cilëve u dha kurorat e saj më të shkëlqyera të fitores, por
që nga ana tjetër ishin njerëz krejtësisht mediokër. Një njeri nuk është i madh
sepse është një gjeneral i madh, një burrë shteti i madh, një shkencëtar i madh,
një shkrimtar i madh, një artist i madh etj. Por ai është i madh kur kombinohet
me njërën nga këto cilësi mirësinë e zemrës, thjeshtësia dhe forcën për të
kontrolluar veten dhe për t'i mohuar vetes diçka, duke mos qenë egoist dhe
tiran. Në të vërtetë do të doja dhe mund ta konsideroja atë një njeri të madh
që pa asnjë gjenialitet di si ta mbajë të bashkuar familjen e tij, pozicionin e
tij qytetar apo publik, ta ruaj identitetin e tij, kulturën e tij, gjuhën e tij
dhe nuk e mohon kombin dhe figurat e tij etj.
Sot
njeri i madh është ai që e donë lirinë, familjen e vetë, vëllezërit e vetë të
një kombi e familje pa dalllim, atdheun e tij, heronëjt e tij, themeltarët e
kombit të tij, që nuk urren kombet tjera por i respekton dhe krijon miqësi e
fqinjësi të mirë, që nuk i mohon dhe njollos figurat humane kombëtare-
historike të kombit të tij, që e udhëheq shtetin me urtësi, guxim dhe vizion
drejtë të ardhmes apo udhës që trasuan paraardhësit pra udhës së natyrshme
europiane etj, etj. Një njeri i madh e bënë një shtet të madh, një mbretëri të
madhe, një perandori të madhe vetëm për jetën e tij, njerëzit pa vlerë dhe të
vegjël për nga vlerat nuk bëjnë asgjë të madhe, por në vogëlsinë e tyre e bëjnë
edhe më të vogël dhe të mjerë një shtet dhe komb.
Gjergj
Kastrioti, arbërori më i madh i shekullit të XV., dhe i të gjithë shekujve deri
më sot e fitoi betejën më të madhe në jetën e tij, betejën për ta bërë atdheun
e tij, shtetin e tij të lirë dhe të pavarur dhe flamurtar të civilizimit
europian. Pra ai në kohën e tij e transformoi Arbërinë e tij në një shtet që
mori flamurin e udhëheqjes së popujve europian, flamurin e mbrojtjes së
civilizimit të përbashkët europian, pra të familjes së përbashkët të
kontinentit europian. Gjenialiteti i tij e vendosi atë në piedestalin e parë
dhe gjatë kohës sa i ai jetoi dhe veproi Arbëria ishte flamurtare, por pas
vdekjes së tij ajo ra sërish poshtë nën pushtuesin mbi pesëshekullor otoman pa
e parë dritën e saj të natyrshme europiane për gjithë ato shekuj.Shihet se
vetëm shkëlqimi i emrit të tij dhe veprat e tij, me arbërorët e tij që i
qëndruan besnik e mbajtën atë në rangun e mëparshëm nga i cili e zhvendosi
sulltan Mehmeti i II pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Kështu që kryevepra e
një njeriu të aftë është të bëjë gjithçka në kohën dhe vendin e duhur, dhe a
nuk bëri kështu Gjergji ynë i madh, ky kryehero i pavdekshëm i Arbërisë dhe
Europës. A nuk është ky heroizëm jo vetëm arbëror e europian, por edhe heroizëm
botëror. Ndërsa politika e vërtetë e një udhëheqësi, princi apo mbreti dhe e
çdo njeriu të ndershëm konsiston në të qenit i mirë dhe i drejtë, a nuk ishte
politika e vërtetë e Gjergj Kastriotit e tillë bazuar në jetën e veprën e tij.
Me
pak fjalë çdo gjë që mund ta shtyjë një person në një sferë të madhe ndikimi u
bashkua në personin e Gjergj Kastriotit. Është e vështirë t'ia shpjegosh këtë
plotësisht injorantëve, mohuesve e atyre që ia ka verbuar ideologjia fetare
sytë apo dikujt që nuk është njeri i shkencës dhe që nuk e njeh këtë epokë të
historisë së kombit tonë dhe historisë së përgjithshme europiane. E gjithë
historisë dhe figurat themeltare dhe ato deri më sotjanë një zinxhir i madh dhe
nëse hiqni një hallkë e shkatërroni të tërën, prandaj kushdo që tenton ta
zvogëlojë, apo ta heq, apo ta mohojë e njollos Gjergj Kastriotin brenda kësaj
hallke, do të thotë se ai po tenton ta shkatërrojë këtë hallkë pa të cilën ne
nuk kemi më histori dhe ekzistencë kombëtare dhe europiane.