E premte, 08.08.2025, 10:12 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Vrasjet

E enjte, 07.08.2025, 06:54 PM


VRASJET

Tregim nga Gani Mehmetaj

-Ik sa më parë dhe sa më larg. Je në rrezik.

-Pse?

-Të kanë futur në listën e vdekjes. Ndërkaq ata që i fusin në listën e vdekjes, të gjallë nuk i lëshojnë.

-Ku të shkoj more burrë? Unë atdhe tjetër nuk kam. Dikur ika në kurbet nga kërcënimet e okupatorit. Isha aq i rrëmbyer e naiv sa mendoja se të gjithë bashkëkombësit i kam vëllezër. U ktheva me shpresën se do të ndërtonim një jetë të re.

– Jetë të re nuk ka me këtë lukuni që kanë dal nga vrimat e kanalizimit, të nxirë nga ligësia. Dikush i mbanë dhe i ndërsen si qentë, ndërsa ata nuk dinë të ndalën.

-Ç’u kam ba more burrë?

-Asgja. Nuk je me ta. Kjo mjafton. Kush nuk është me ta, është kundër tyre. Është armik.

-Por unë jam ai që jam. Ndryshe nuk di të bëhem.

-Po nuk dite ndryshe, lufto, ose mbathja.

-Është vonë të sorollatem refugjatë rrugëve të botës.

-Të kam mik të vjetër, prandaj të përgjërohem të gjesh zgjidhje.

Mbeta si hut para tij. S’kisha asnjë përgjigje. Ai kishte të drejtë. Ishte atmosferë e nderë, e tmerrshme, çka pillte nata, nuk e gdhinte dita. Rrugëve të qytetit endeshin njerëz që nuk i kuptoje pse silleshin vërdallë, të shihnin si të kishin armik, ndërsa ti nuk e dije nga u vinte ky mllef, kjo urrejtje, kjo egërsi. Natën endeshin hijet tjera, apo të njëjtit. Rrëmbenin burra, përdhunonin gra, zhdukeshin si të mos qenë fare. Ishin tmerri i qyteteve e katundeve.

Historia po përsëritej në mënyrë të frikshme. Me kujtoheshin rrëfimet e tim ati:

-Na vrisnin tinëzish. Të dilnin në prit, ta shkrepnin një plumb dhe shkriheshin me terrin e natës. Po qe me fat dhe e pikasje me kohë, përgjigjesha flakë për flakë. Gjithnjë mbaja një armë me vete. Kush s’kishte armë, mbaronte.

-E pastaj?

– Pastaj. Një natë shpëtoje, por herën tjetër a do të ishe me fat? Nuk ishin të gjithë jetëgjatë.

U ktheva në të sotmen.

-Athua janë nipat e atyre që vrisnin dje, andej dhe këndej Drinit?

-Po, ata janë.

Mikun që përpiqej të më shpëtonte, e vranë në një hyrje apartamentesh në terr. E vranë edhe kolegun tjetër që ia tumirte në lëvizje koke, kur me këshillonte.

Unë shpëtova dhe nuk e di pse shpëtova. Të rrëfeja mynxyrat që na kapluan? Me nxorën nga vdekja fatthënat, a renditja e duhur e trupat qiellor?

Mijëra të tjerë nuk priten t’i binin vrasësit listës deri në fund. Kërkuan strehim. Babë e babagjysh e kishin ngrysur jetën në mërgim, edhe ata do të ngryseshin atje. Atdheun ua morën për herë të tretë.

“Zoti ua ktheftë”, -i mallkonte dikur gjyshja ime okupatorët. Por zoti u vonua dje, po vonohej edhe sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx