Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kosovë a Dardani?
E marte, 31.12.2024, 07:00 PM
Kosovë a Dardani?
Nga
Gani Mehmetaj
Kosova
e sotme në antikë emërtohej Dardani. Ky emërtim gjeografikisht dhe në aspektin
etnik kishte një shtrirje më të gjerë se sa nocioni i sotëm që nënkupton
Kosovën. Pra përfshinte një territor shumë më të madh, kështu që jo rrallë kur
nocioni Dardani shtrohej nëpër debate a tryeza ndërkombëtare, të huajt
thartoheshin në fytyrë, sepse i shqetësonte shtrirja e kufirit, ndërkaq serbët
dhe aleatët e tyre ua bënte hi e pluhur propagandën e stisur me gënjeshtra për
Kosovën e tyre.
Pos
Kosovës së sotme, Dardania përfshinte krahinën e Nishit, një pjesë të
Sanxhakut, Luginën e Preshevës deri në Leskocë; Shkupin, një pjesë të veriut të
Shqipërisë dhe ishte njëra ndër
provincat më të njohura ilire. Është e famshme Mbretëria dardane. Disa
perandorë romakë patën prejardhje iliro-dardane. Madje, ka mëdyshje ishte
Shkupi a Ulpiana, përkatësisht Nishi, kryeqytet i Dardanisë. Me fjalë të tjera
cilat nga këto qendra ishin më të mëdha, sepse që të tria këto qytete ishin
qendra të mëdha e të fuqishme dardane.
Kosova,
përkatësisht Dardania sikurse Shqipëria londineze në terë hapësirën e vet
kufitare me një brez të gjerë është e rrethuar me territoret etnike shqiptare.
Tri komunat: Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilat ndryshe në
terminologjinë strategjike quhen Lugina e Preshevës (në media dhe revista quhet
Kosova lindore), ish- Jugosllavia i shkëputi
nga Kosova me 1961 dhe ia bashkëngjiti Serbisë, megjithëse këto komuna kishin
shumicën etnike shqiptare dhe ishte një tërësi politike-gjeografike.
Në
ish-Jugosllavi Kosova ishte njësi federale
, mirëpo shqiptarët ishin të pakënaqur me pozitën që e patën, prandaj të
parët e kundërshtuan pushtetin qendror të Beogradit.
Janë
të njohura gjatë historisë përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës kundër
pushtuesve. Me 1389 u zhvillua Beteja e Kosovës ku morën pjesë princërit dhe
mbretërit më të njohur të Gadishullit Ilirik-që më vonë u quajt Ballkan, pësuan
disfatë nga ushtria osmane shumë më e përgatitur dhe më e organizuar .
Disa
dhjetëra vjet më vonë filloi pushtimi i Gadishullit dhe i territoreve shqiptare
nga Perandoria osmane. U bënë shumë përpjekje të mëvonshme pas Gjergj Kastriotit-
Skënderbeut për çlirimin nga zgjedha osmane, mirëpo përpjekjet përfunduan pa
sukses. Është e njohura lufta Austro-Turke (1689), nën udhëheqjen e gjeneralit
Pikolomini dhe ipeshkvit Pjetër Bogdani, ku ndihmuan dhe pësuan shqiptarët, por
sërish depërtuan ushtritë osmane dhe e shkretuan Kosovën e Shkupin .
Pasoi
një shpërngulje e madhe e shqiptarëve drejtë veriut austriak, ndërsa qindra
familje të Kosovës dhe të Malësisë së Kosovës, kryesisht kelmendas u vendosën
në Rrafshin e Panonisë, që ishte nën zotërimin austriak.
Përpjekja
tjetër në shkallë kombëtare është Lidhja Shqiptare e Prizrenit për çlirimin e
Shqipërisë, e cila e pati selinë në Prizren (1878-1881). Kjo organizatë
politike ushtarake u organizua për ruajtjen e territoreve shqiptare nga fqinjët
shovinist si përgjigje e Kongresit të Berlinit dhe reagim kundër shpërnguljes
së madhe të shqiptarëve nga krahina e Toplicës, që përfshinte edhe Nishin .
Kryengritja
e madhe shqiptare kundër Perandorisë turke me 1912 filloi në Kosovë, ku u
çlirua i gjithë territori, çlirimtarët vazhduan në Shkup , ku do të duhej të shpallej kryeqyteti i
shqiptarëve, mirëpo kryengritësit më në krye Isa Boletinin, në vend se të
mbanin Shkupin, qytetin puro shqiptar, në mënyrë të pakuptueshme vazhduan
drejtë Selanikut, ndërsa trupat serbe hynë në Shkup e Tetovë, me masakra e
tmerre duke depërtuar edhe në Kosovë; malazezët depërtuan nga Perëndimi duke e
shkretuar Dukagjinin. Shteti shqiptar u shpall i pavarur, por Kosova dhe dy te
tretat e territoreve etnike shqiptare mbetën nën okupim.
Miti
i Dardanisë
Ndërkohë
apo paralelisht me konceptin e Shqipërisë, filloi të ngjizet një mendësi pak më
“lokaliste”, herë me druajtje, herë më me shumë guxim – mendësia për krijimin e
shtetit të Dardanisë. U inicuan ose u shfrytëzuan hulumtimet arkeologjike të
mëhershme për të mbështetur idealin e shqiptarëve të Kosovës, përkatësisht
shqiptarëve të ish-Jugosllavisë për përkatësinë ilire-dardane dhe për një
shtet. U intensifikuan hulumtime të reja arkeologjike për të ndriçuar edhe më
mirë të kaluarën e lashtë. U ri aktualizuan me shkrime popullarizuese e studime
perandorët romakë me prejardhje dardane a ilire, u fol aq shumë për qendrat e
Dardanisë antike të vazhdimësisë shqiptare, si Nishi, Ulpiana, në afërsi të
Prishtinës dhe Shkupi. U nxorën në pah edhe mendimet e studiuesve nga antika e
këndej për dardanët dhe për shqiptarët si pasardhës të tyre. Duke nxjerrë në
sipërfaqe heronj e princër dardanë e të fiseve të tjera ilire të territorit të
Dardanisë antike, ose të tillë që ishin në fqinjësi me të, filloi një rilindje
romantike dhe një vetëbesim i madh i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e
Kosovës Lindore, gati e paparë ndonjëherë më parë.
Rrënjët
sikur nxorën në shesh traditën, vazhdimësinë, përkatësinë e një populli të
vjetër, të guximshëm, të kultivuar e me shtrirje të gjerë gjeografike, të
mbështjellë edhe me mite e legjenda të bukura e joshëse.
Disa
janë të prirë që këtë ngjizje të mendësisë për përkatësinë dardane ta lidhin me
një bërthamë intelektualësh të Prishtinës gjatë viteve të shtatëdhjeta, që ka
mbështetje, madje u bë emblemë intelektuale,
por ajo shumë shpejt mori një shtrirje të gjerë, popullarizuese, ndërsa
çuditërisht edhe mediet tona, pavarësisht që ishin të kontrolluara, i dhanë
hapësirë Dardanisë antike e dardanëve, duke e theksuar mburrjen që u përkasim
këtyre paraardhësve. Madje, tashmë pjesë e madhe e shqiptarëve e dinin se me se
janë marrë të parët e tyre, si e kanë trashëguar emrin, dinin po ashtu edhe
legjenda të larmishme, u vunë në spikamë shenjtorët Flori e Lauri dardan(për të
cilët ekziston legjenda se janë të varrosur në Ulipianëë, megjithëse nga
hulumtimet e deritashme nuk është zbuluar varri
i tyre, ndërsa gjetjet e shumta arkeologjike në Kosovë vetëm sa ua forconin
këtë bindje dhe mburrje për përkatësinë dardane.
Më
vonë kur filloi fushata e egër kundër “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”
këto shkrime filluan të shikoheshin me llupë, ndërkohë që sulmohej gjithandej
euforia e përkatësisë së Dardanisë. Megjithatë, sa ishte e vështirë të çrrënjosej
vetëdija se ne i përkisnim një kombi të përbashkët andej dhe këndej kufirit dhe
se bashkëjetesa me Serbinë e ish-Jugosllavinë ishte e dhunshme, po aq e
vështirë ishte të çrrënjosej vetëdija e mëhershme se ne ishim pasardhës të
dardanëve të lashtë. Emrat Dardan, Ulpianë, emërtimet Dardani, ishin aq të
shpeshta dhe aq të shumta, saqë serbët e të tjerët që shkumëzonin kundër kësaj
mendësie të ngulitur te shqiptarët e Kosovës vetëm sa rrihnin ujë në havanë.
Dardania
tashmë ishte bërë emërtim konkret gjeografik e pjesë e etnisë, dardania ishte
bërë mit, por gjeografikisht edhe realitet, sepse shkrimtarët antik flisnin për
shtrirejne gjeografike të kësaj hapësire dhe për dardanët banorët autokton që e
popullzonin këtë hapësirë.
Me
fillimin e shpartallimit të ish-Jugosllavisë, jo vetëm emërtimi por edhe
përpjekja për identifikim me emërtimin Dardania, përkatësisht Kosova e pavarur,
sikur rilindën sërishmi, por kësaj radhe si kërkesë e artikuluar për shtet
sovran e të pavarur. Natyrisht, në të njëjtën kohë bashkëjetonin disa opsione:
Kosova - Dardania e pavarur, me territoret e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi,
ku Prishtina mëtonte të bëhej Piemonti shqiptar, ashtu sikur dikur Prizreni me
Lidhjen Shqiptare; Shqipëria etnike, me tërë hapësirën shqiptare me kryeqytet
Tiranën; konfederata e dy shteteve shqiptare me të dy qendra Prishtinën dhe
Tiranën strumbullar të ekonomisë, kulturës dhe administratës shqiptare.
Shumica
e këtyre opsioneve u paraqitën në Prishtinë. Këshilli Koordinues i Partive Politike
Shqiptare në krye me dr. Ibrahim Rugovën, këtë opsion synonte dhe me mekanizmat
e vet pretendonte krijimin e konturave të Dardanisë të së ardhmes. Madje, ky
këshill ka funksionuar në mënyrë tejet të disiplinuar e të koordinuar sa
asnjëherë gjatë historisë, por u krijuan rrethana të reja. Shpartallimi i tij
nuk u bë dhunshëm sikur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por një grusht iu
dha nga disa subjekte jashtë Kosovës, ndërsa u shua ngadalë e pahetueshëm.
Secila parti u la në fatin e vet duke iu sugjeruar që të kooperojnë me shtetet
e kompozuara rishtazi që nuk patën dashamirësi ndaj shqiptarëve. Presioni
ndërkombëtar ishte i madh, për t’i stabilizuar shtetet e rajonit, fatkeqësisht
prapë në dëm të shqiptarëve.
Edhe
qarqet ndërkombëtare, dashamirë të shqiptarëve dhanë sinjale të qarta se nuk
janë të gatshëm të mbështesin Shqipërinë etnike as bashkimin e territoreve
jashtë Shqipërisë administrative me përfshirjen e pjesë më të madhe të
Dardanisë antike dhe me Prishtinën kryeqytet, sepse i druanin reagimit të
shteteve fqinje që ende kishin mjaftë mbështetës.
Duke
u mbështetur në gatishmërinë e disa faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë për
të pranuar pavarësinë e Kosovës, që ishte pranim i kompromisit nga
institucionet tona, të vetëdijshëm po ashtu se kjo do të jetë proces i gjatë
dhe i vështirë, u krijuan institucionet paralele të Kosovës. Pastaj u
intensifikua sërish popullarizimi i Dardanisë me simbolet e veta shtetërore:
flamuri, himni dhe stema. Po ashtu, me këtë emërtim në të njëjtën kohë sikur
mëtohej në mënyrë fine e të pa imponuar të rikujtohej periudha e lavdishme e
Dardanisë antike, apo mesjeta e hershme, kur shqiptarët mbroheshin me sukses
nga hordhitë sllave në një territor disa herë më të madh sesa Kosova e sotme.
Presidenti
Rugova tashmë e kishte nxjerrë në opinion opsionin për pavarësinë, për flamurin
e Dardanisë, për himnin “Kur ka ra kushtrimi n”Kosovë” që ishte kënduar në
vitet 1911-1912 gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe
krijimin e Shqipërisë etnike. U bë disejnimi i flamurit të Dardanisë, që i
kishte të gjitha elementet shqiptare. Po ashtu, pritej reagimi ndaj këtyre
propozimeve të shtetësisë. Nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Kosovë u prit
me dashamirësi, madje me eufori ikonografia e re. Simbolet bënë jetë aktive
publike. Ndërkohë flitej hapur, madje bëheshin përgatitjet e mundësisë së
debatit në institucionet shtetërore edhe për emërtimin e shtetit të ri të
pavarur - Dardani. Ky debat besoj se nuk do të anashkalohet as tash,
pavarësisht që ideatori, përkatësisht personaliteti që e inicoi publikisht,
presidenti Ibrahim Rugova nuk është gjallë. Janë shumë arsye që flasin në të
mirë të emërtimit Dardani, në vend të Kosovë, duke filluara nga aspekti
historik, gjeografik, të vazhdimësisë dhe të traditës e deri të aspektet
praktike politike, që do t’ua mbyllnin mundësinë e mbllaçitjes së propagandës
serbe të përrallave të ndryshme që i kanë shpifur dhe duan t’i besojnë edhe të
tjerët. Madje serbët me këto përralla të gënjeshtërta e kanë bindur bashkësinë
ndërkombëtare se kishat e periudhës bizantine janë kinse kisha serbe, sepse
para dy shekuj e gjysmë ua dha me zemërligësi Perandoria Osmane që t’i
qeverisin, meqë ishin rajë lojale ndaj pushtuesit osman.
Dardania
e pavarur nuk e përjashton ëndrrën e vjetër - Shqipërinë etnike. Vetëm se kjo
gjë mund të bëhet në mënyrë të pa imponuar, fine, në mënyrë të natyrshme dhe pa
pompë.
Dardania
e pavarur e sovrane, mund të jetë vetëm një hap drejt synimit final. Me
forcimin e ekonomisë shqiptare, andej dhe këndej kufirit, me krijimin e
qarkullimit të lirë të mallrave e të ideve, kjo vetëdije do të bëhet gjithnjë e
me mbizotëruese. Sepse, për kapitalin e madh, për prodhimtarinë e madhe serike,
për vlerat konsumatore dhe të arriturat kulturore është shumë më mirë dhe shumë
më e shëndetshme kur shtrihet në një territor më të gjerë pa pengesa dhe pa
ngufatje, sesa bie fjala vetëm në 10 mijë kilometra katrore sa ka Kosova, apo
29 mijë kilometra katrore sa ka Shqipëria. Po ashtu, në mënyrë të pahetueshme mund
të integrohen hapësirat e tjera shqiptare, që realisht nuk janë brenda kufijve
të dy shteteve shqiptare. Se si do të bëhet ky proces, do gjëra duhet t’ia lëmë
kohës, por duke u prirë proceseve dhe duke mos ia lënë stihisë apo përpjekjeve
të huaja për pastrimin e territoreve nga etnia jonë. Deshi s’deshi politika një
ditë do të ndjekë kërkesat e ekonomisë e të biznesit, në mënyrë që të krijohet
mundësi e hapësirë e tërësishme shqiptare për qarkullimin e vlerave, duke mos u
hetuar fare kufiri Kosovë - Shqipëri dhe duke u bërë në mënyrë të pahetueshme
një tërësi ekonomike, kulturore dhe etnike.
Prandaj,
sërish mund të shtrohet tema për debate: duhet të vazhdojë emërtimi Kosovë me
ngatrrës e gjëra të pasqaruar të prejardhjes së emërtimit, apo të kthehet në skenë,
pra edhe në debatin parlamentar çështja e emërtimit Dardani, që do t’i hiqte të
gjitha mëdyshjet, sikurse që duhet të debatohet sërish për flamurin e Dardanisë
dhe për himnin kombëtar e shtetëror, sepse e dimë fare mirë se në çfarë
rrethanash është bërë, përkatësisht është aprovuar flamuri dhe himni i shtetit
të ri, ndërkaq askush nuk është i kënaqur me te.
1. Akademia e Shkencave
dhe Arteve të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Historia e Popullit Shqiptar
I, Ilirët dhe Mesjeta, faqe 23, Tiranë 2002 (Toena)
2. Kushtetuta federale e
ish-Jugosllavisë e vitit 1974, ndërsa me nenin 300 të Kushtetutës së Serbisë
përcaktoheshin të drejtat dhe obligimet ndaj Serbisë, shih nenin 300 të
Kushtetutës së Serbisë
3. Ismail Kadare: Tri
këngë zie për Kosovën, Tiranë, Onufri, 2005
4.,Noel Malkolm, Kosova
një histori e shkurtër , botim i parë,
Koha, Prishtinë, 1998. Kjo luftë ka një rëndësi të veçantë për historinë e
Kosovës. Në vjeshtën e vitit 1689 një armatë e vogël perandorake e pushtoi Kosovën,
faqe 144.
5. Sabit Uka:
Shpërnguljet e Shqiptarëve nga Serbia e jugut 1878-79, Prishtinë 1991
6. Akademia e Shkencave
dhe Arteve të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Historia e Popullit Shqiptar,
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Toena, Tiranë, 2002