Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Tragjedia e fisit Kuçi
E shtune, 07.09.2024, 05:55 PM
Tragjedia
e fisit Kuçi
Nga
Gani Mehmetaj
Fati
i fisit të Kuçi është fati më tragjike i shqiptarëve. Dikur malësorë të lirë
sikurse mirditorët, luftuan qindra vjet kundër turqve, luftuan edhe më
egërsisht kundër malazezëve, që udhëhiqeshin nga oficerë të shkolluar rusë.
Fisi
i Kuçit shpesh luftoi në dy fronte kundër turqve dhe kundër malazezëve. Lufta gati i shfarosi. Ata që
mbetën u shpërngulën në Dardani, Kroaci, u asimiluan në Mal të Zi e Serbi. Fare
pak mbetën në fenë burimore, edhe më pak e ruajtën gjuhën. Pjesëtarët e këtij
fisi luftarak shqiptarë u shprishën në tri kombe dhe në tri fe pas luftës
malazeze-shqiptare, veçmas para dhe pas Kongresit të Berlinit.
Në
Mal të Zi ata që shpëtuan kokën nga gjenocidi u asimiluan në malazezë ortodoks,
ndërsa ishin shqiptarë katolikë. Kështu, ndryshuan komb e fe nga dhuna
shfarosëse malazeze. Në Kroaci, ku ikën, që atëbotë ishte pjesë e
Austro-Hungarisë, u bënë kroatë, ndërsa fenë e të parëve e ruajtën. Në Dardani
Perandoria turke i detyroi të bëheshin myslimanë, por gjuhën dhe kombin i
mbajtën, sepse komb tjetër pos shqiptarëve në Dardani nuk kishte.
Kam
takuar pinjoj të këtij fisi në Mal të Zi edhe me 2010 që tregonin se si
gjyshërit e tyre flisnin shqip, tregonin me mall, pavarësisht që ata flisnin
sllavisht se gjaku ujë nuk bëhet. Në Kroaci, Mal të Zi e Serbi kam takuar
artistë të suksesshëm filmi e letërsie me prejardhje kuçiane, por të shkëputur
përgjithmonë nga trungu shqiptarë. Vetëm kur deheshin nëpër ndejat e kineastëve
pas mesit të natës në festivalet e Pulës, Zagrebit, Beogradit e Budvës dhe,
veçmas kur merrnin vesh se jam shqiptar, nisnin e rrëfenin më pikëllim të
pafundme tragjedinë e tyre dhe fatkeqësinë e gjuhës e të kombit që e braktisën.