Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Bombardimet e NATO-s dhe shpërngulja biblike
E marte, 26.03.2024, 09:59 PM
Bombardimet e NATO-s dhe shpërngulja biblike
24
mars 1999
Nga
Gani Mehmetaj
Para
se Kosova të mbyllej hermetikisht, vajtje-ardhjet e diplomatëve perëndimorë në
Beograd nuk pushonin. Riçard Hollbruku, diplomat i rryer amerikan, tejet
energjik, ishte njeriu i fundit, i cili i ofroi Serbisë paqe, para se të nisnin
bombardimet. Milosheviqi nuk e pranoi as këtë ofertë, shpresonte se bashkësia
ndërkombëtare po bënte blof, ose priste ndihmën e Rusisë.
Në
ekranin e televizorit i shikoja si i mpirë kolonat e mbikëqyrësve ndërkombëtarë
derisa tërhiqeshin nga vendi me automjetet e tyre karakteristike. Uiliam Uolker
nuk do të rrinte më që të raportonte e të protestonte për krimet e ushtrisë e
policisë serbe. Askush s’do të mbetej dëshmitar i krimeve, askush s’do të
pengonte krimet serbe, kështu që pritej hakmarrja mizore. Kolonat e gjata të makinave
shkonin drejt Hanit të Elezit, ndërsa njerëzit e paktë rrugëve shikonin të
hutuar. Ditë të frikshme po afroheshin. Garancia e fundit po e braktiste
vendin.
Raportet
bënin me dije se presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u kthye në Prishtinë,
megjithëse aleatët e këshilluan të rrinte në ndonjë kryeqytet evropian. Ai
ndenji disa orë në Aeroportin e Rinasit, na raportuan nga Tirana, pa pranuar të
takohej me zyrtarët shqiptarë, të cilët u treguan të pabesë gjatë gjithë kohës.
Njeriu i parë i Kosovës vendosi të kthehej në vendin e vet. S’kishte asnjë
kuptim që ai t’i shmangej fatit, kurse popullata të vritej e të vuante. Askush
nuk do t’ia falte një veprim të këtillë. Sikur të qenë marrë vesh, u përhap një
parullë e përgjithshme: askush nuk duhej ta braktiste vendin. Toka pa zot,
është tokë e humbur.
Pamjet
që shiheshin në ekranin e televizorit më përziheshin me imazhet që i krijoja në
mendjen time, duke u përpjekur të ndrydhja skenat e frikshme që imagjinoja. Më
duhej të shkruaja një porosi redaksionale për lexuesit që jetonin në Perëndim.
Shumica syresh patën njerëzit e vet brenda darëve të hekurta, ata e kaluan një
pjesë të madhe të jetës së tyre në atë vend që po mbyllej për botën, ndërsa e
shikonin të pafuqishëm në televizor, ose lexonin lajmet në gazeta si të
babëzitur. Mundësi të ndryshonin gjërat nuk kishin. Të gjithë të afërmit e
farefisin i pata prapa perdes së hekurt që u krijua. Ndërkaq, pritej fillimi i bombardimeve
të NATO-s. Agjencitë botërore dhanë lajmin se fillimin e
bombardimeve do ta shpallte presidenti amerikan, Bill Klinton.
Me
Avni Bulliqin na shkoi dita në redaksi, duke pritur lajme të reja dhe duke e
përgatitur gazetën. Koha e caktuar e dorëzimit në shtyp na rrinte si shpata e
Demokleut, na stresonte sa na e hante shpirtin. Përpiqeshim të fusnim sa më
shumë lajme e shkrime nga terreni, prisnim zhvillime të reja, lexuesit i kapërdinin informatat, përpiqeshim
të bëheshim sa më aktualë, sepse ngjarja e shkelte ngjarjen brenda disa orëve,
apo edhe më shpejt, brenda disa dhjetëra
minutash.
Bashkëkombësit
tanë ndonjëherë i lëshonte durimi, na
telefononin: ju lutem, a dini çfarë po ndodh në katundin tim, pyesnin të
shqetësuar, mezi mbusheshin frymë. Ndonjëherë nuk na mungonin informacionet as
për katundet veç e veç, shpeshherë të zymta, por përpiqeshim t’ua zbusnim,
ndonjëherë nuk dinim asgjë. Ndërkaq, ata në të dy herët e lëshonin receptorin e
telefonit të dëshpëruar.
Lajmet
atë ditë vinin shqetësuese, të frikshme, me të vrarë e të plagosur, me mijëra
refugjatë, të cilët natën e kalonin nëpër male. Zonat që u bombarduan nga
artileria serbe, detyruan popullatën të iknin nëpër strehimoret e natyrës.
Dhjetëra katunde u dogjën ende pa nisur bombardimet e NATO-s. Kampet përtej
kufirit prisnin prurje të reja.
Korrespondentët
tanë nga terreni nuk pushonin, megjithëse sot dukeshin disi të shurdhër, më
shumë në pritje të asaj që do të ndodhte. Pritej vendimi i Uashingtonit.
Asnjëri nga korrespodentët nuk e braktisi shtëpinë as qytetin. Por mundësitë e
qarkullimit për mbledhjen e informatave iu kufizuan. Çdo çast mund t’i vrisnin po të merrnin vesh
policia se ata janë gazetarë, madje që raportojnë për një gazetë e cila botohej
në Perëndim. Më dukeshin heronj që s’kishte kush t’u jepte medalje. Por ata
s’donin medalje, as shpërblime, ata donin ta kryenin punën e të shpëtonin
familjen.
Në
këtë situatë dramatike përpiqeshim ta zbusnim atmosferën me batuta përmes
telefonit: “Do t’ju shpallim heronj të punës socialiste!” Kurse ata ma kthenin:
“ Të shpëtojmë gjallë, të tjerat ua fali me të dyja duart heronjve socialistë e
kapitalistë!”
E
përgatitëm gazetën, e dorëzuam në shtyp. Ekranet e agjencisë Rojters, shërbimet
e së cilës i shfrytëzonim, dhe kanalet e mëdha televizive i ndiqnim orë e çast
lidhur me situatën më të re. Kosova u bë top story, kreu i ngjarjeve. Prisnim
kumtim më të rëndësishëm: shpalljen zyrtare të bombardimeve të caqeve serbe.
Thuhej se avionët e NATO-s prisnin me motorë të ndezur.
Në
orën 20.00 të datës 24 mars të vitit 1999, presidenti i SHBA-së, Bill Klinton,
doli në ekran. Më të tronditur ishim ne që e ndiqnim sesa ai që do të shpallte
fillimin e një lufte, fundi i së cilës nuk dihej. Të gjithë shpresonin se ai do
të jepte lajmin për nisjen e bombardimeve, zemra më rrihte fuqishëm, m’u duk se
do të më dilte nga gjoksi. As ata që më rrinin pranë, nuk qetësoheshin,
lëviznin me karrige, luhateshin apo shtrëngonin grushtet. Dikush qau.
Klintoni
që në fjalët e para kumtoi se pas përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të
konfliktit, në konsultim me aleatët, u vendos fillimi i bombardimeve derisa të
gjunjëzohej shteti mujshar. Ai vazhdoi të fliste për shpëtimin e shqiptarëve
nga gjenocidi, për aksionet humanitare, për fundin e krimeve serbe, ndërsa
njerëzit përqafoheshin në mes vete. Derisa të gjithë u ngritën në këmbë me
eufori, pa dashje më shkoi nëpër mend: Athua si do t’i bëhej halli popullatës
brenda rrethojave të hekurta! Si do t’ia bënin serbët pas bombardimeve? Do të
nisnin gjuetinë e shtrigave, apo do të hapnin kufijtë e do të dëbonin
popullatën? Televizionet jepnin pamje satelitore të caqeve serbe që
bombardoheshin, ndërsa ne i ndiqnim si të qemë tifozë futbolli, por të një
ngjarjeje më dramatike, sepse kësaj radhe nuk vendosej fati i një ndeshjeje,
por vendosej fati i një kombi.
Disa
u përpoqën të marrin me telefon njerëzit e tyre, atje ku shpërthenin bombat.
Lidhjet e ngarkuara vetëm sa ushtonin, po bëhej shurdhëri e frikshme. Për herë
të parë nisi të binte euforia e gëzimit për bombardimet.
Gjithë
natën e kaluam në kërkim të lajmeve të reja. Televizionet sikur e përsërisnin veten
e njëra-tjetrën me pamjet e njëjta dhe me raportet e ngjashme. Na mbyste
padurimi. Kërkonim diçka që s’ kishte në televizor, kërkonim imazhet e
familjeve tona, brenda shtëpive, në dhomat e mbyllura me errësim të
detyrueshëm. Na e merrte mendja që rrinin të cucërruar me veshët e mprehur për
të kapur jo vetëm shpërthimet e predhave të aeroplanëve, por edhe zhurmat më të
vogla rrugëve të qytetit e korridoreve të banesave. Të gjithë shihnim të
tronditur nga ajo që po ndodhte, sidomos nga ajo që mund të ndodhte. Diku nëpër rrugë e rrugica vraponin në
errësirë ushtarët serbë në panik nga avionët e NATO-s.
Të
nesërm e të pasnesërmen lajmet erdhën ogurzeza. Paramilitarët e policët serbë
hynin nëpër shtëpi e apartamente, i
dëbonin banorët shqiptarë, flitej se nisën t’i zbrazin lagje të tëra. Dyert e
shqyera e dhomat në rrëmujë, stolitë e vjedhura e fotografitë- kujtime që do të
digjeshin në tërbimin e parë.
Të
paralizonte në tru pamja e banorëve që e braktisnin vatrën të tmerruar. Disa
prej tyre nuk arrinin të dilnin nga banesa. Pamjet e qyteteve e katundeve të
lëna shkretë, me kolonat e gjata të
refugjatëve që u ngjiteshin bjeshkëve e rrugëve të përbaltura, nisën ta
pushtonin ekranin e televizioneve botërore.
Lajmet
e cunguara vinin gjithnjë e më të frikshme, nga burimet e ndryshme. Ndonjë gazetar që raportonte duke iu ruajtur
policisë serbe, lajmëronte se lagje, madje qytete të tëra dukeshin fantazma, ku
lëviznin vetëm policët serbë e qentë e uritur. Policët tërboheshin, qentë e
mbanin veten.
Secili
nga ne kërkonte familjen e vet në ndonjë imazh të filmuar, në kolonat e
refugjatëve. Tre fëmijët dhe gruan i kisha në Shkup, ndërsa pjesa tjetër e
familjes në Prishtinë e Pejë. Në fillim erdhën lajmet për dëbimet nga
Prishtina, nisi me lagjen periferike Sofalia, ku e kisha shtëpinë. Dy
vëllezërit me familje u nisën maleve të Gërmisë së bashku me banorët e tjerë të
lagjes. Bombardimet e krismat e pushkëve nuk u dhanë mundësi të merrnin rrobat
e duhura. Trupat serbe nisën bombardimet në lagje me artileri, kurse kolonët
serbë i ndihmuan me pushkë e mitraloza. Lagjja u zbraz për kohë të shkurtër.
Një
korrespondent lajmëronte se para se të zbrazej lagjja Sofali, shpërthimet e
artilerisë serbe e drodhën periferinë, përderisa banorët ua mbathin kodrave. Ai
raportonte për serbët lokalë të lagjes, që ndihmuan ushtrinë. Askush nuk dinte
më shumë për fatin e banorëve. Pati disa versione. Disa thanë se shkuan drejt
Mramorit, një katund rreth 20 kilometra nga Prishtina në Malësinë e Gollakut,
të tjerët thoshin se së bashku me banorët e tri lagjeve të tjera të kryeqytetit
u nisën drejt Stacionit të Trenit
Një raport që na erdhi në redaksi tregonte për
disa të vrarë, shpresoja të mos ishte asnjëri nga të familje sime, secili
shpresonte për familjen e vet. Pastaj nisi zbrazja e lagjes Taslixhe dhe e
lagjeve të tjera të kryeqytetit të Kosovës.
Derisa
bombardimet vazhdonin, telefonatat e pakta që arrinim t’i kapnim na bënin me
dije për grumbullim të popullatës së kryeqytetit në Stacionin e Trenit. Thuhej
se ishin mbi 50 mijë banorë vetëm me çanta dore. Pastaj na erdhën filmimet:
mijëra gra, fëmijë e burra, të grumbulluar në hapësirën e platesë e në fushën
pranë shinave të trenit, shikonin të hutuar e të tmerruar. Prej aty i nisën me
trena drejt Maqedonisë.
Ditët
tjera lajmet vinin edhe më dramatike. Përmes një burimi në Vjenë na erdhi lajmi
se u ekzekutua avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë, u kap Fehmi Agani në
trenin për Han të Elezit. Besohej se e vranë policia serbe në afërsi të
Lipjanit. Prof. Agani kishte qenë nënkryetar i LDK-së dhe pedagog i njohur.
Pastaj u dha lajmi për vrasjen e kreut të LDK-së, të intelektualëve më
eminentë. U përmendën emrat e Xhemail Mustafës, Alush Gashit, Fadil Hysajt,
duke renditur një numër të madh emrash të mëdhenj. Njeriu s’dinte si të sillej para
këtyre të dhënave që të paralizonin, ndërsa duhej t’i seleksionoje sipas
peshës, t’i përpunoje e t’i përgatisje për gazetë. U krijua situatë e tillë,
saqë sikur dikush të ta përmendte emrin në listën e të vrarëve, nuk do të
habitesha, ndodhnin gjëra të papara e të
padëgjuara. Asgjë më nuk të habiste, të bënte ta ndieje veten të pafuqishëm, të vogël, të
brishtë e të thyeshëm si gota e qelqit.
Në
vazhdim se kush e distribuoi një lajm edhe më të frikshëm. Mund të qe ndonjë
telefonatë nga Kosova, nga zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shia, apo dikush nga Dega
e LDK-së në Austri, por dyshohej se
krahas grumbullimit të popullatës së kryeqytetit në Stacionin e Trenit
në Prishtinë, për t’i dëbuar në Maqedoni e Shqipëri, u tha se policia e ushtria
serbe grumbulluan mbi 20 mijë banorë në Stadiumin e qytetit. Ata do t’i bënin
mburojë kundër bombardimeve të NATO-s, ose
do t’i pushkatonin një nga një a në grupe, në shenjë hakmarrjeje, sipas
modelit nazist.
Megjithëse
tërë ditën merrja informata nga disa burime në Prishtinë, prapë nuk e kuptoja
situatën, më rrëshqiste çdo gjë, ngatërrohej nga ata që më tregonin të
shqetësuar e të tronditur. Lajmet vinin kundërthënëse, saqë nuk arrije të
kuptoje asgjë, atë që ta thoshte një burim, e mohonte burimi tjetër, ndërsa nuk
dinte asgjë burimi i tretë. Lajmet e hallakatura i krihja pak dhe i botoja në
gazetë, duke i cituar që të tri burimet e vjela nga terreni. Njerëzit rrezikonin
që të lajmëronin opinionin ndërkombëtar. Çdo raport që vinte nga terreni e
kishte klithmën, “Ndihmë!”
Vetëm
pas disa ditësh mora një numër telefoni në një qytet shqiptar të Maqedonisë, ku
bisedova me Milotin e Shkumbinin, dy djemtë e Ekrem Kryeziut, të cilët qenë të
sigurt se i panë vëllezërit e mi me familje në Stacionin e Trenit.
E
dhashë një njoftim në Televizionin Shqiptar, pastaj në faqen elektronike të
Dojçe Veles, ku e kërkoja pjesën e familjes, e dhashë edhe në gazetën tonë, ku
botoja qindra ftesa të tilla të familjarëve, drejtuar atyre që dinin diçka për
familjet e tyre. E dërgova në Shkup në gazetën “Fakti” të Emin Azemit. Gazeta e
tij shpërndahej me mijëra copë nëpër kampet e refugjatëve, mund ta lexonte
dikush dhe të jepte më shumë të dhëna.