E shtune, 27.04.2024, 12:21 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Rambuje- folklori politik a fillimi i mbarë?

E hene, 25.03.2024, 08:58 PM


Rambuje- folklori politik a fillimi i mbarë?

Isha kryeredaktor i gazetës "Rilindja", botimi për Perëndim dhe SHBA, me seli në Cyrih, ndërsa e ndiqja konferencën nga afër.

Jusuf Buxhovi dhe Sulejman Gashi raportonin cdo ditë si asnjë korrepodent tjeter. Ishin të shkëlqyeshem e gjithëpërfshires.

Nga libri: Rugovën, si e kam njohur, botim i Uetpressit, Tiranë.

Nga Gani Mehmetaj

Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Veton Surroi dhe Hashim Thaçi, përbënin delegacionin e shqiptarëve të Kosovës që do të takoheshin me delegacionin e Serbisë, në qytezën franceze Rambuje. Ndërmjetës ishin ShBA, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia.

Rugova përfaqësonte shtetin paralel të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike. Pra shumicën absolute të shqiptarëve të Kosovës, që i kishin dhënë votën. Qosja një alternativë tjetër, intelektualin e pavarur, individin me emër, që kishte mbështetje nga Tirana. Surroi ishte “jugosllavi i moderuar”, ndërsa përfaqësonte veten. Hashim Thaçin, një emër i panjohur që doli nga hiçi, e kishin zgjedhur një grup i UÇK-së. Ndërsa në terren ndjehej edhe grupi tjetër me në krye Adem Demaçin, që i bënte presion të mos nënshkruante asgjë dhe të mos e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Thaçi i ri dhe i papërvojë, nuk e fshihte se ua kishte frikën. Tha se ata e kërcënonin. Pati shumë mëdyshje e presion.

Delegacioni i Kosovës ishte i larmishëm, njëri me tjetrin nuk flisnin. Përballë kishin delegacionin shtetëror të Serbisë, me një koncept politik, të një partie, të një përcaktimi, me përvojë, diplomatë të regjur.

Pos Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit e tjerë të Kosovës nuk kishin asnjë përvojë politike. Llambadarët farfuritës i hutonin. Ata e kishin vështirë të zëvendësonin bakllavën turke të Prizrenit a çajin beduin të rusit, me verë të kuqe në gotat e kristalta.

Fati ynë që amerikanët qëndronin prapa nesh, ndryshe do të përfundonim si Shqipëria e copëtuar në Konferencën e Londrës a si çështja palestineze.

Nga redaksia në Cyrih përpiqesha të vendosja kontakte me Rugovën brenda kështjellës së Rambujesë. Por ishte e pamundur, sepse ai kurrë nuk mbante celular; edhe më herët nuk u përgjigjej telefonatave në zyrën e tij në Prishtinë. Edita Tahiri, që ishte një lloj ministre e jashtme e Rugovës, nuk ishte në grupin e parë të delegacionit, por ishte shumë bashkëpunuese.

Më informonte vazhdimisht me telefon. Të tjerët, nuk dija se ç’mund të më informonin.

Para fillimit të Konferencës së Rambujesë u mobilizuam të gjithë në redaksi. Bisedova në telefon me korrespondentin tonë të përhershëm në Bon, Jusuf Buxhovi, analist me përvojë të gjatë në Gjermani, njohës i shkëlqyeshëm jo vetëm i raporteve gjermane, por edhe i diplomacisë evropiane që nga koha e Bizmarkut. E thirra në telefon edhe Sylejman Gashin, korrespondentin e “Rilindjes”, i cili na raportonte nga Nju-Jorku e Uashingtoni. Ai i njihte raportet brenda Departamentit të Shtetit, i njihte edhe diplomatët amerikanë. Me dy korrespondentët tanë dhe me lidhjet që mbaja brenda delegacionit të LDK-së, shpresoja se do t’i informoja lexuesit, meqë interesimi i opinionit ishte i jashtëzakonshëm. Tensioni i pritjes dhe ethet e padurimit stresonin. Në redaksi qëndronim në pritje si në fushën e futbollit, kur tifozët presin hapat taktikë e strategjikë të lojtarëve të tyre të preferuar. Prisnim të niste zgjidhja e problemit të Kosovës, e mbetur jashtë Marrëveshjes së Dejtonit, ku u kristalizua çështja e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Korrespodentët Buxhovi e Gashi ishin dinamikë, gjithëpërfshirës, i analizonin veprimet e situatat me shkathtësi, kapnin ato që ndiheshin në ajër, regjistronin deklaratat e personaliteteve, duke i sintetizuar në raporte të çdoditshme që i botonim në faqen e parë dhe në disa faqe në vazhdim. Asnjëherë një ngjarje politike, takim ndërkombëtar i rëndësishëm për shqiptarët, nuk është ndjekur me kaq përkushtim, tension e analiza të thukëta. Në raportet e çdoditshme përfshinim edhe informacionet nga grupet e delegacioneve, apo lajme të tjera pikante që m’i tregonin personat e afërt me delegacionet.

Me Edita Tahirin bisedonim shpesh me telefon. Në Rambuje po debatonin me zjarrmi delegacioni shqiptar i Kosovës dhe delegacioni serb nga Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë. Ngjarja qe e dorës së parë, madje më e rëndësishmja për Kosovën në shekullin XX. Me këmbënguljen e ShBA-ve, e shteteve të Evropës Perëndimore, ku fatkeqësisht u imponua si palë Rusia, në qytetin francez Rambuje paralajmëroheshin bisedime të gjata e të rënda, duke i vënë në sprovë të dyja palët.

Në sprovë u vunë edhe faktorët ndërkombëtarë. Në këtë përpjekje për të krijuar mozaikun e subjektit politik shqiptar pa asnjë atribut shteti, kishte folklor, shumë zhurmë dhe imponime nga më të çoroditurat. Kuptohej pse u ftua presidenti Ibrahim Rugova (përfaqësonte subjektin më të madh të shqiptarëve në Kosovë, ishte President i zgjedhur nga

shtetasit e Kosovës). Grupi i UÇK-së, i mbështetur nga shteti shqiptar i socialistëve, donin t’i rivalizonin Ibrahim Rugovës e ta sfidonin. Por nuk e kuptoja kë përfaqësonte Rexhep Qosja, Veton Surroi, Blerim Shala. Nuk e dija pse i futën në delegacion, ndërsa zor se mund të imponoheshin me individualitetin e munguar. Shtetësinë e Kosovës nuk e pranonte askush, mirëpo të përfaqësoheshim në këtë mënyrë folklorike në fund të shekullit XX, në një konferencë ndërkombëtare ku vendosej për fatin e Kosovës, ishte vështirë të arsyetohej.

Nga mbiu Hashim Thaçi? Kush ishte ai? Cilat qenë bëmat sa të dilte në krye të delegacionit? Askush s’dinte të thoshte asgjë për të. Kot që pyesje a kërkoje për të kaluarën e të tashmen e tij. Kishte qenë azilkërkues në Zvicër, në Cyrih, më thanë. Më shumë nuk dihej. Ai s’kishte biografi, as histori. Ishte Nobody-askushi. Ishte njëri nga djemtë e paemër të ‘çajit të rusit’. Në pamje, më shumë ngjante një kryengritës çeçen sesa një atdhetar shqiptar.

Më thërrisnin redaksitë e huaja, më kërkonin ndonjë të dhënë për të, por i pafuqishëm u thosha se nuk e kam idenë kush është. Kurrë s’kisha dëgjuar për të. “S’dini asgjë për të, dhe e vini në krye të delegacionit?!”, më tha me mllef një komentator i njohur gjerman. Se mos e kam vënë unë, iu përgjigja i zemëruar.

Të tjerët përreth tij ishin nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të thekur me drapër e me çekanë. Ashtu e kishin organin e partisë, gazetën javore “Zëri i Kosovës”. Po na përsëritej historia në mënyrë tragjike.

Delegacioni serb pati qëndrim të njëzëshëm, me koncepte të qarta, me strategji të përpunuar, të përgatitur mirë profesionalisht, me përvojë diplomatike e politike. Delegacioni ynë së pari nuk pajtohej në mes vete, mbante qëndrim dëbues ndaj njëri-tjetrit deri në shkallë armiqësie, që nuk e fshihnin as para miqve dhe as para armiqve.

Me përjashtim të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, të tjerëve u mungonte përvoja politike e diplomatike, u mungonte koncepti politik, nuk sajuan kurrë më parë strategji, s’mund ta bënin një gjë të tillë kur nuk e kuptonin as nocionin “strategji”. Raportimet, të cilat për shkaqe të arsyeshme në atë kohë euforie nuk i botuam, na bënin me dije se njerëzit tanë ishin të hutuar e të humbur në kohë e në hapësirë, pjesa dërmuese e përfaqësuesve të shqiptarëve për herë të parë shihnin salla të tilla madhështore me llambadarë. Ata vinin nga ambientet ku pija kryesore qe çaji i rusit, ndërsa duhej të silleshin nëpër tryeza ku rridhte vera e njohur franceze. Brenda mureve të kështjellës, më shumë rrinin të shisnin poza e të nxirrnin jashtë   mureve ndonjë fjalë për bëmat e tyre, në stilin e diplomacisë baritore të Isa Boletinit, sesa mobilizoheshin për t’iu përgjigjur armikut në tryezën e bisedimeve.

Në kështjellën e Rambujesë vendosej fati i mëtutjeshëm i shqiptarëve të Kosovës, me supozimin se ata arritën fazën e pjekurisë. Shpresohej se në këtë konferencë të rëndësishme do të dërgonin përfaqësues të denjë. Po, a thua ishte kështu? Asgjë nuk e ndryshonte pamjen e konferencës nga folklori i njëqind vjetëve më parë të bajraktarëve që për diplomaci nuk ia thoshin, ndërsa luftën në terren e humbën. Atëbotë bajraktarët i njihte dikush, ndërkaq, disa nga “bajraktarët” e tashëm nuk i njihte askush, sikur pikën nga qielli.

Ky ishte fati ynë historik, në takime të këtilla të rëndësishme për fatin e kombit, dilnin në sipërfaqe njerëz që nuk dihej pse ishin aty, kush i caktoi e pse i caktoi.

Megjithatë, në Konferencën e Rambujesë nisi shthurja e golgotës shqiptare. Rambuje u bë edhe pjesë e dhimbshme e sëmurjes sonë të vjetër-përçarjes, përfaqësimit folklorik, intrigave të brendshme. Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë konferencë, më të rëndësishmen në shekullin XX për Kosovën, ishte përfaqësim i përzier me demokraci të improvizuar. Morën pjesë grupime politike ende të paverifikuara për forcën e tyre politike, ashtu sikurse u përfaqësuan subjekte politike e individë që s’mund ta mblidhnin një autobus ithtarësh.

Secili shtet me peshë vendimmarrjeje e pati përfaqësuesin e vet në delegacionin shqiptar. Krahas rolit të zhurmuesit, shteti shqiptar bëri anim të pafalshëm, duke favorizuar njërin grup politik të sajuar aty për aty, e duke shpërfillur palën tjetër, që gëzonte legjitimitetin e shumicës shqiptare. Në vend që të mbështeste një delegacion homogjen, që do të përfaqësonte interesat e kombit e jo interesat e grupimeve politike. Animi i pafalshëm do t’u peshojë rëndë shqiptarëve në Kosovë, sepse mbi këtë mbështetje u bë një lloj grusht shteti që nisi në Rambuje.

Rugova ishte pothuajse i shushatur, edhe pse i vetmi personalitet që e kishte vendin aty.

Askush nuk e thotë, por rezistenca e Rugovës që mos ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë ishte e madhe, nuk pajtohej me formulimet, kërkonte formulime të plotësuara, druante nga pasojat etj. Pati fërkime me Sekretaren e Shtetit, Olbrajt, në Konferencën e Rambujesë. Por meqë e bindën se ky ishte shkas për një aksion tjetër, pranoi. Dhe nuk u gabua, për dallim nga Demaçi që refuzoi çdo mundësi bashkëpunimi. Ai e refuzoi ofertën e Sekretares amerikane të Shtetit, saqë Olbrajt pastaj tha se ishte ndjenjë pështirosje ajo që pati pasi dëgjoi Demaçin.

Fatbardhësia e shqiptarëve ishte se, prapa delegacionit qëndronin diplomatët e rryer amerikanë dhe dy shtete dashamirëse të shqiptarëve: Britania e Madhe dhe Franca. Jo rrallë, këta diplomatë apo edhe Sekretarja e Shtetit, Medlin Olbrajt, duhej t’u bënin presione që të lëviznin nga pika zero ose ngurrimet e shqiptarëve, pasojë e frikës së vazhdueshme se mos binin pre e lojës së Serbisë.

Ne patëm fat që Millosheviçi ishte kokëmushkë, nuk pranoi asnjë kusht të bashkësisë ndërkombëtare, ndryshe gjërat do të rridhnin keq.

Në raportet e zymta e të tensionuara të Konferencës së Rambujesë, jepte shpresë prania e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Korrespodentët lajmëronin për frikë e stres të vazhdueshëm të përfaqësuesve të subjekteve shqiptare.

Qysh në tezat fillestare, Konferenca e Rambujesë nuk ofronte pavarësi, nuk ofronte as garanci për referendum pas tre vjetësh, sikurse doli një herë teza e parë e propozuar nga amerikanët. Konferenca e Rambujesë më shumë synonte të ndërpriste masakrat serbe në Kosovë, të detyronte Serbinë të ulej në tryezën e bisedimeve, duke u tërhequr nga fushëbeteja ku ishte shumë më e fortë sesa shqiptarët e paarmatosur e të paorganizuar. Përparësia e madhe e Rambujesë ishte mundësia e dialogut të barabartë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Këtë ndërmjetësim, Rugova e kërkonte me këmbëngulje që nga fillimi i daljes së tij në skenën politike shqiptare.

Kur i shfletoja gazetat pas disa ditësh, më dukej sikur i kisha përsëritur ngjarjet, takimet, sepse veprimet e deklaratat sikur përsëriteshin. Dikur m’u duk se po silleshin në rreth të mbyllur. Këtë përshtypje sigurisht e patën edhe diplomatët, pavarësisht që ata e dinin pse po i përsërisin lëvizjet: dikush fitonte kohë (këta nuk ishim ne), të tjerët përpiqeshin t’i shpenzonin të gjitha mjetet diplomatike e të nisnin fazën tjetër të veprimeve, kurse të tretët u shkonin prapa herë njërës palë, herë tjetrës.

Nga ajo që ndiqej nga redaksia, krijova përshtypjen që përfaqësuesit e shtetit serb vepronin si tërësi me bosin e tyre që i komandonte nga Beogradi; shqiptarët më shumë vepronin e funksiononin si tribu a përfaqësues të fiseve, sesa si delegacion modern ku kishte hierarki e marrëveshje për një problem sublim, shumë më të rëndësishëm sesa kapriçot e sedrës së sëmurë.

Brenda kështjellës së Rambujesë, dy korrespodentët e “Rilindjes” raportonin çdo ditë me raporte të vlefshme e shumë të rëndësishme, me detaje e pikanteri bisedimesh. Me biseda telefonike nga brenda, merrja çdo ditë njërin nga bashkëpunëtorët e Rugovës. Ngjarjet ishin dinamike, në stilin tërhiq e mos këput: sa i përafronte qëndrimet njëra palë, tërhiqej tjetra. Kryesisht, ishin serbët ata që përpiqeshin të mos ofronin asgjë, duke i amortizuar gjërat.

Kur u shfrytëzuan të gjitha mundësitë, kur nuk arritën ta bindin delegacionin serb, i cili ishte i varur fund e krye nga Beogradi, kur edhe me Millosheviçin nuk arritën të merreshin vesh, atëherë bashkësia ndërkombëtare u bind se pos me shkop, ndryshe s’kishin si merreshin vesh.

Por, para kësaj doli një pengesë tjetër. Ngurrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së që ta nënshkruante marrëveshjen, dëshpëroi jo vetëm amerikanët, të cilët u qëndronin aq afër shqiptarëve, por i dëshpëroi edhe shqiptarët e diasporës që ishin më afër ngjarjeve. Ndërkaq, pasojat i hoqën shqiptarët e Kosovës, sepse mbi ta qëndronte thika e kasapit. Javët e pritjes për rikthim e këndellën Serbinë që të mobilizonte forca të dyfishuara në Kosovë.

Negociuesit lanë një kohë për t’iu rikthyer nënshkrimit, ndërsa Beogradi thuhet se zhvendosi në Kosovë forcën ushtarake prej mbi 100 mijë ushtarësh e policësh. Kështu u krijua tension i madh, ndërkohë bëhej një lloj folklori e dukjesh që nuk ishin në të mirë të shqiptarëve.

Herën e dytë kur iu kthyen sërish tryezës, gjërat ecën shumë më lehtë. Nisën mobilizimet brenda Shtabit të NATO-s në Bruksel. Uashingtoni e Londra, në bashkëpunim me Bonin e Parisin, jepnin e merrnin për veprime ekstreme.

Po mbyllej një kapitull i takimeve diplomatike, i konferencave ndërkombëtare e ecejakeve të diplomatëve, me thirrjet e lutjet e faktorit politik të shqiptarëve për ndërhyrje ushtarake.

“Konferenca e Rambujesë, që i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999 dhe i përfundoi më 18 mars, u inicua nga Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga ShBA-të, Boris Majorski, Rusi dhe Ëolfgang Petrick nga BE. Konferenca ndërkombëtare kishte për qëllim ndërprerjen e luftës, si dhe një zgjidhje të përkohshme politike për Kosovën.

Delegacioni i shqiptarëve përbëhej prej gjashtëmbëdhjetë vetash, nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, si dhe dy “të pavarur” (V. Surroin dhe B. Shalën).

Ndonëse bisedimet përfunduan pa sukses, delegacioni kosovar kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte pranuar në parim projekt-marrëveshjen politike për vetëqeverisjen në Kosovë.

Nga aspekti diplomatik, edhe pse u quajtën marrëveshje, ato nuk ishin të tilla;u mungonte nënshkrimi i përbashkët i palëve, i domosdoshëm për ratifikime të ndërsjella parlamentare, që u jep validitet shtetëror dhe ndërkombëtar. Si të tilla, ato paraqesin letra zotuese (diktate të panegociueshne) me nënshkrime të njëanshme, pa kredibilitet diplomatik, por me fuqi politike.

Nga këndvështrimi historik, nënshkrimet e palës shqiptare në marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë (pa atë rus), si dhe refuzimi nga ana e Millosheviçit, krijuan atë që quhet Casus Belli, ngaqë NATO-s ia plotësuankushtin kryesor për fushatën ajrore ultima ratio ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqeve të tjera ushtarake në Serbi”, shkruan Jusuf Buxhovi, që raportoi nga kjo konferencë.

Dhe pastaj, dalëngadalë, sikur binte perdja pas një shfaqjeje të përgjakshme, m’u duk sikur ra perdja mbi Kosovë, u fikën dritat dhe nisi masakra.

Cili do të ishte çmimi? Sepse që do të kishte një çmim, kjo s’kishte fije dyshimi. Të gjithë druanin për ndonjë masakër, për të dëbuar e pengje, sepse pritej që Serbia do ta mbante peng popullatën gjatë bombardimeve. Por askush nuk e dinte se si do të zhvilloheshin ngjarjet.

Një shurdhëri e kaploi jo vetëm Kosovën, ku flitej se do të tërhiqeshin qysh të nesërmen vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët, megjithëse të paktë në numër krijonin një lloj sigurie. Largimi i tyre nxiste frikë deri në tmerr, sepse të gjithë e dinin se si vepronin serbët kur fikeshin dritat. E kishim provuar.

A thua, do të përfundonte lufta me këtë brez?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora