| E hene, 25.03.2024, 08:58 PM |
Rambuje- folklori politik a fillimi i mbarë?
Isha
kryeredaktor i gazetës "Rilindja", botimi për Perëndim dhe SHBA, me
seli në Cyrih, ndërsa e ndiqja konferencën nga afër.
Jusuf
Buxhovi dhe Sulejman Gashi raportonin cdo ditë si asnjë korrepodent tjeter.
Ishin të shkëlqyeshem e gjithëpërfshires.
Nga libri: Rugovën, si e
kam njohur, botim i Uetpressit, Tiranë.
Nga
Gani Mehmetaj
Ibrahim
Rugova, Rexhep Qosja, Veton Surroi dhe Hashim Thaçi, përbënin delegacionin e
shqiptarëve të Kosovës që do të takoheshin me delegacionin e Serbisë, në
qytezën franceze Rambuje. Ndërmjetës ishin ShBA, Britania e Madhe, Franca dhe
Rusia.
Rugova
përfaqësonte shtetin paralel të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike. Pra shumicën
absolute të shqiptarëve të Kosovës, që i kishin dhënë votën. Qosja një
alternativë tjetër, intelektualin e pavarur, individin me emër, që kishte
mbështetje nga Tirana. Surroi ishte “jugosllavi i moderuar”, ndërsa
përfaqësonte veten. Hashim Thaçin, një emër i panjohur që doli nga hiçi, e
kishin zgjedhur një grup i UÇK-së. Ndërsa në terren ndjehej edhe grupi tjetër
me në krye Adem Demaçin, që i bënte presion të mos nënshkruante asgjë dhe të
mos e pranonte marrëveshjen e Rambujesë. Thaçi i ri dhe i papërvojë, nuk e
fshihte se ua kishte frikën. Tha se ata e kërcënonin. Pati shumë mëdyshje e
presion.
Delegacioni
i Kosovës ishte i larmishëm, njëri me tjetrin nuk flisnin. Përballë kishin
delegacionin shtetëror të Serbisë, me një koncept politik, të një partie, të
një përcaktimi, me përvojë, diplomatë të regjur.
Pos
Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit e tjerë të Kosovës nuk kishin asnjë përvojë
politike. Llambadarët farfuritës i hutonin. Ata e kishin vështirë të
zëvendësonin bakllavën turke të Prizrenit a çajin beduin të rusit, me verë të
kuqe në gotat e kristalta.
Fati
ynë që amerikanët qëndronin prapa nesh, ndryshe do të përfundonim si Shqipëria
e copëtuar në Konferencën e Londrës a si çështja palestineze.
Nga
redaksia në Cyrih përpiqesha të vendosja kontakte me Rugovën brenda kështjellës
së Rambujesë. Por ishte e pamundur, sepse ai kurrë nuk mbante celular; edhe më
herët nuk u përgjigjej telefonatave në zyrën e tij në Prishtinë. Edita Tahiri,
që ishte një lloj ministre e jashtme e Rugovës, nuk ishte në grupin e parë të
delegacionit, por ishte shumë bashkëpunuese.
Më
informonte vazhdimisht me telefon. Të tjerët, nuk dija se ç’mund të më
informonin.
Para
fillimit të Konferencës së Rambujesë u mobilizuam të gjithë në redaksi.
Bisedova në telefon me korrespondentin tonë të përhershëm në Bon, Jusuf
Buxhovi, analist me përvojë të gjatë në Gjermani, njohës i shkëlqyeshëm jo
vetëm i raporteve gjermane, por edhe i diplomacisë evropiane që nga koha e
Bizmarkut. E thirra në telefon edhe Sylejman Gashin, korrespondentin e
“Rilindjes”, i cili na raportonte nga Nju-Jorku e Uashingtoni. Ai i njihte
raportet brenda Departamentit të Shtetit, i njihte edhe diplomatët amerikanë.
Me dy korrespondentët tanë dhe me lidhjet që mbaja brenda delegacionit të
LDK-së, shpresoja se do t’i informoja lexuesit, meqë interesimi i opinionit
ishte i jashtëzakonshëm. Tensioni i pritjes dhe ethet e padurimit stresonin. Në
redaksi qëndronim në pritje si në fushën e futbollit, kur tifozët presin hapat
taktikë e strategjikë të lojtarëve të tyre të preferuar. Prisnim të niste
zgjidhja e problemit të Kosovës, e mbetur jashtë Marrëveshjes së Dejtonit, ku u
kristalizua çështja e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Korrespodentët
Buxhovi e Gashi ishin dinamikë, gjithëpërfshirës, i analizonin veprimet e
situatat me shkathtësi, kapnin ato që ndiheshin në ajër, regjistronin
deklaratat e personaliteteve, duke i sintetizuar në raporte të çdoditshme që i
botonim në faqen e parë dhe në disa faqe në vazhdim. Asnjëherë një ngjarje
politike, takim ndërkombëtar i rëndësishëm për shqiptarët, nuk është ndjekur me
kaq përkushtim, tension e analiza të thukëta. Në raportet e çdoditshme
përfshinim edhe informacionet nga grupet e delegacioneve, apo lajme të tjera
pikante që m’i tregonin personat e afërt me delegacionet.
Me
Edita Tahirin bisedonim shpesh me telefon. Në Rambuje po debatonin me zjarrmi
delegacioni shqiptar i Kosovës dhe delegacioni serb nga Beogradi, me
ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë. Ngjarja qe e dorës së parë, madje më
e rëndësishmja për Kosovën në shekullin XX. Me këmbënguljen e ShBA-ve, e
shteteve të Evropës Perëndimore, ku fatkeqësisht u imponua si palë Rusia, në
qytetin francez Rambuje paralajmëroheshin bisedime të gjata e të rënda, duke i
vënë në sprovë të dyja palët.
Në
sprovë u vunë edhe faktorët ndërkombëtarë. Në këtë përpjekje për të krijuar
mozaikun e subjektit politik shqiptar pa asnjë atribut shteti, kishte folklor,
shumë zhurmë dhe imponime nga më të çoroditurat. Kuptohej pse u ftua presidenti
Ibrahim Rugova (përfaqësonte subjektin më të madh të shqiptarëve në Kosovë,
ishte President i zgjedhur nga
shtetasit
e Kosovës). Grupi i UÇK-së, i mbështetur nga shteti shqiptar i socialistëve,
donin t’i rivalizonin Ibrahim Rugovës e ta sfidonin. Por nuk e kuptoja kë
përfaqësonte Rexhep Qosja, Veton Surroi, Blerim Shala. Nuk e dija pse i futën
në delegacion, ndërsa zor se mund të imponoheshin me individualitetin e
munguar. Shtetësinë e Kosovës nuk e pranonte askush, mirëpo të përfaqësoheshim
në këtë mënyrë folklorike në fund të shekullit XX, në një konferencë
ndërkombëtare ku vendosej për fatin e Kosovës, ishte vështirë të arsyetohej.
Nga
mbiu Hashim Thaçi? Kush ishte ai? Cilat qenë bëmat sa të dilte në krye të
delegacionit? Askush s’dinte të thoshte asgjë për të. Kot që pyesje a kërkoje
për të kaluarën e të tashmen e tij. Kishte qenë azilkërkues në Zvicër, në Cyrih,
më thanë. Më shumë nuk dihej. Ai s’kishte biografi, as histori. Ishte
Nobody-askushi. Ishte njëri nga djemtë e paemër të ‘çajit të rusit’. Në pamje,
më shumë ngjante një kryengritës çeçen sesa një atdhetar shqiptar.
Më
thërrisnin redaksitë e huaja, më kërkonin ndonjë të dhënë për të, por i
pafuqishëm u thosha se nuk e kam idenë kush është. Kurrë s’kisha dëgjuar për
të. “S’dini asgjë për të, dhe e vini në krye të delegacionit?!”, më tha me
mllef një komentator i njohur gjerman. Se mos e kam vënë unë, iu përgjigja i
zemëruar.
Të
tjerët përreth tij ishin nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të thekur me drapër e
me çekanë. Ashtu e kishin organin e partisë, gazetën javore “Zëri i Kosovës”.
Po na përsëritej historia në mënyrë tragjike.
Delegacioni
serb pati qëndrim të njëzëshëm, me koncepte të qarta, me strategji të
përpunuar, të përgatitur mirë profesionalisht, me përvojë diplomatike e
politike. Delegacioni ynë së pari nuk pajtohej në mes vete, mbante qëndrim
dëbues ndaj njëri-tjetrit deri në shkallë armiqësie, që nuk e fshihnin as para
miqve dhe as para armiqve.
Me
përjashtim të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, të tjerëve u mungonte
përvoja politike e diplomatike, u mungonte koncepti politik, nuk sajuan kurrë
më parë strategji, s’mund ta bënin një gjë të tillë kur nuk e kuptonin as
nocionin “strategji”. Raportimet, të cilat për shkaqe të arsyeshme në atë kohë
euforie nuk i botuam, na bënin me dije se njerëzit tanë ishin të hutuar e të
humbur në kohë e në hapësirë, pjesa dërmuese e përfaqësuesve të shqiptarëve për
herë të parë shihnin salla të tilla madhështore me llambadarë. Ata vinin nga
ambientet ku pija kryesore qe çaji i rusit, ndërsa duhej të silleshin nëpër
tryeza ku rridhte vera e njohur franceze. Brenda mureve të kështjellës, më
shumë rrinin të shisnin poza e të nxirrnin jashtë mureve ndonjë fjalë për bëmat e tyre, në
stilin e diplomacisë baritore të Isa Boletinit, sesa mobilizoheshin për t’iu
përgjigjur armikut në tryezën e bisedimeve.
Në
kështjellën e Rambujesë vendosej fati i mëtutjeshëm i shqiptarëve të Kosovës,
me supozimin se ata arritën fazën e pjekurisë. Shpresohej se në këtë konferencë
të rëndësishme do të dërgonin përfaqësues të denjë. Po, a thua ishte kështu?
Asgjë nuk e ndryshonte pamjen e konferencës nga folklori i njëqind vjetëve më parë
të bajraktarëve që për diplomaci nuk ia thoshin, ndërsa luftën në terren e
humbën. Atëbotë bajraktarët i njihte dikush, ndërkaq, disa nga “bajraktarët” e
tashëm nuk i njihte askush, sikur pikën nga qielli.
Ky
ishte fati ynë historik, në takime të këtilla të rëndësishme për fatin e
kombit, dilnin në sipërfaqe njerëz që nuk dihej pse ishin aty, kush i caktoi e
pse i caktoi.
Megjithatë,
në Konferencën e Rambujesë nisi shthurja e golgotës shqiptare. Rambuje u bë
edhe pjesë e dhimbshme e sëmurjes sonë të vjetër-përçarjes, përfaqësimit
folklorik, intrigave të brendshme. Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë
konferencë, më të rëndësishmen në shekullin XX për Kosovën, ishte përfaqësim i
përzier me demokraci të improvizuar. Morën pjesë grupime politike ende të paverifikuara
për forcën e tyre politike, ashtu sikurse u përfaqësuan subjekte politike e
individë që s’mund ta mblidhnin një autobus ithtarësh.
Secili
shtet me peshë vendimmarrjeje e pati përfaqësuesin e vet në delegacionin
shqiptar. Krahas rolit të zhurmuesit, shteti shqiptar bëri anim të pafalshëm,
duke favorizuar njërin grup politik të sajuar aty për aty, e duke shpërfillur
palën tjetër, që gëzonte legjitimitetin e shumicës shqiptare. Në vend që të
mbështeste një delegacion homogjen, që do të përfaqësonte interesat e kombit e
jo interesat e grupimeve politike. Animi i pafalshëm do t’u peshojë rëndë
shqiptarëve në Kosovë, sepse mbi këtë mbështetje u bë një lloj grusht shteti që
nisi në Rambuje.
Rugova
ishte pothuajse i shushatur, edhe pse i vetmi personalitet që e kishte vendin
aty.
Askush
nuk e thotë, por rezistenca e Rugovës që mos ta nënshkruante marrëveshjen e
Rambujesë ishte e madhe, nuk pajtohej me formulimet, kërkonte formulime të
plotësuara, druante nga pasojat etj. Pati fërkime me Sekretaren e Shtetit, Olbrajt,
në Konferencën e Rambujesë. Por meqë e bindën se ky ishte shkas për një aksion
tjetër, pranoi. Dhe nuk u gabua, për dallim nga Demaçi që refuzoi çdo mundësi
bashkëpunimi. Ai e refuzoi ofertën e Sekretares amerikane të Shtetit, saqë
Olbrajt pastaj tha se ishte ndjenjë pështirosje ajo që pati pasi dëgjoi
Demaçin.
Fatbardhësia
e shqiptarëve ishte se, prapa delegacionit qëndronin diplomatët e rryer
amerikanë dhe dy shtete dashamirëse të shqiptarëve: Britania e Madhe dhe
Franca. Jo rrallë, këta diplomatë apo edhe Sekretarja e Shtetit, Medlin
Olbrajt, duhej t’u bënin presione që të lëviznin nga pika zero ose ngurrimet e
shqiptarëve, pasojë e frikës së vazhdueshme se mos binin pre e lojës së
Serbisë.
Ne
patëm fat që Millosheviçi ishte kokëmushkë, nuk pranoi asnjë kusht të
bashkësisë ndërkombëtare, ndryshe gjërat do të rridhnin keq.
Në
raportet e zymta e të tensionuara të Konferencës së Rambujesë, jepte shpresë
prania e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Korrespodentët lajmëronin për frikë e
stres të vazhdueshëm të përfaqësuesve të subjekteve shqiptare.
Qysh
në tezat fillestare, Konferenca e Rambujesë nuk ofronte pavarësi, nuk ofronte
as garanci për referendum pas tre vjetësh, sikurse doli një herë teza e parë e
propozuar nga amerikanët. Konferenca e Rambujesë më shumë synonte të ndërpriste
masakrat serbe në Kosovë, të detyronte Serbinë të ulej në tryezën e bisedimeve,
duke u tërhequr nga fushëbeteja ku ishte shumë më e fortë sesa shqiptarët e
paarmatosur e të paorganizuar. Përparësia e madhe e Rambujesë ishte mundësia e
dialogut të barabartë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Këtë
ndërmjetësim, Rugova e kërkonte me këmbëngulje që nga fillimi i daljes së tij
në skenën politike shqiptare.
Kur
i shfletoja gazetat pas disa ditësh, më dukej sikur i kisha përsëritur
ngjarjet, takimet, sepse veprimet e deklaratat sikur përsëriteshin. Dikur m’u
duk se po silleshin në rreth të mbyllur. Këtë përshtypje sigurisht e patën edhe
diplomatët, pavarësisht që ata e dinin pse po i përsërisin lëvizjet: dikush
fitonte kohë (këta nuk ishim ne), të tjerët përpiqeshin t’i shpenzonin të
gjitha mjetet diplomatike e të nisnin fazën tjetër të veprimeve, kurse të
tretët u shkonin prapa herë njërës palë, herë tjetrës.
Nga
ajo që ndiqej nga redaksia, krijova përshtypjen që përfaqësuesit e shtetit serb
vepronin si tërësi me bosin e tyre që i komandonte nga Beogradi; shqiptarët më
shumë vepronin e funksiononin si tribu a përfaqësues të fiseve, sesa si
delegacion modern ku kishte hierarki e marrëveshje për një problem sublim,
shumë më të rëndësishëm sesa kapriçot e sedrës së sëmurë.
Brenda
kështjellës së Rambujesë, dy korrespodentët e “Rilindjes” raportonin çdo ditë
me raporte të vlefshme e shumë të rëndësishme, me detaje e pikanteri
bisedimesh. Me biseda telefonike nga brenda, merrja çdo ditë njërin nga
bashkëpunëtorët e Rugovës. Ngjarjet ishin dinamike, në stilin tërhiq e mos
këput: sa i përafronte qëndrimet njëra palë, tërhiqej tjetra. Kryesisht, ishin
serbët ata që përpiqeshin të mos ofronin asgjë, duke i amortizuar gjërat.
Kur
u shfrytëzuan të gjitha mundësitë, kur nuk arritën ta bindin delegacionin serb,
i cili ishte i varur fund e krye nga Beogradi, kur edhe me Millosheviçin nuk
arritën të merreshin vesh, atëherë bashkësia ndërkombëtare u bind se pos me
shkop, ndryshe s’kishin si merreshin vesh.
Por,
para kësaj doli një pengesë tjetër. Ngurrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së
që ta nënshkruante marrëveshjen, dëshpëroi jo vetëm amerikanët, të cilët u
qëndronin aq afër shqiptarëve, por i dëshpëroi edhe shqiptarët e diasporës që
ishin më afër ngjarjeve. Ndërkaq, pasojat i hoqën shqiptarët e Kosovës, sepse
mbi ta qëndronte thika e kasapit. Javët e pritjes për rikthim e këndellën
Serbinë që të mobilizonte forca të dyfishuara në Kosovë.
Negociuesit
lanë një kohë për t’iu rikthyer nënshkrimit, ndërsa Beogradi thuhet se
zhvendosi në Kosovë forcën ushtarake prej mbi 100 mijë ushtarësh e policësh.
Kështu u krijua tension i madh, ndërkohë bëhej një lloj folklori e dukjesh që
nuk ishin në të mirë të shqiptarëve.
Herën
e dytë kur iu kthyen sërish tryezës, gjërat ecën shumë më lehtë. Nisën
mobilizimet brenda Shtabit të NATO-s në Bruksel. Uashingtoni e Londra, në
bashkëpunim me Bonin e Parisin, jepnin e merrnin për veprime ekstreme.
Po
mbyllej një kapitull i takimeve diplomatike, i konferencave ndërkombëtare e
ecejakeve të diplomatëve, me thirrjet e lutjet e faktorit politik të
shqiptarëve për ndërhyrje ushtarake.
“Konferenca
e Rambujesë, që i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999 dhe i përfundoi më
18 mars, u inicua nga Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher
Hill nga ShBA-të, Boris Majorski, Rusi dhe Ëolfgang Petrick nga BE. Konferenca
ndërkombëtare kishte për qëllim ndërprerjen e luftës, si dhe një zgjidhje të
përkohshme politike për Kosovën.
Delegacioni
i shqiptarëve përbëhej prej gjashtëmbëdhjetë vetash, nga tri grupime: Lidhja
Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës
(UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të
Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, si dhe dy “të pavarur” (V. Surroin dhe B.
Shalën).
Ndonëse
bisedimet përfunduan pa sukses, delegacioni kosovar kishte nënshkruar
marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që
delegacioni serb kishte pranuar në parim projekt-marrëveshjen politike për
vetëqeverisjen në Kosovë.
Nga
aspekti diplomatik, edhe pse u quajtën marrëveshje, ato nuk ishin të tilla;u
mungonte nënshkrimi i përbashkët i palëve, i domosdoshëm për ratifikime të
ndërsjella parlamentare, që u jep validitet shtetëror dhe ndërkombëtar. Si të
tilla, ato paraqesin letra zotuese (diktate të panegociueshne) me nënshkrime të
njëanshme, pa kredibilitet diplomatik, por me fuqi politike.
Nga
këndvështrimi historik, nënshkrimet e palës shqiptare në marrëveshjen e ofruar
nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë (pa atë rus), si dhe refuzimi nga ana e
Millosheviçit, krijuan atë që quhet Casus Belli, ngaqë NATO-s ia
plotësuankushtin kryesor për fushatën ajrore ultima ratio ndaj forcave policore
dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqeve të tjera ushtarake në Serbi”,
shkruan Jusuf Buxhovi, që raportoi nga kjo konferencë.
Dhe
pastaj, dalëngadalë, sikur binte perdja pas një shfaqjeje të përgjakshme, m’u
duk sikur ra perdja mbi Kosovë, u fikën dritat dhe nisi masakra.
Cili
do të ishte çmimi? Sepse që do të kishte një çmim, kjo s’kishte fije dyshimi.
Të gjithë druanin për ndonjë masakër, për të dëbuar e pengje, sepse pritej që
Serbia do ta mbante peng popullatën gjatë bombardimeve. Por askush nuk e dinte
se si do të zhvilloheshin ngjarjet.
Një
shurdhëri e kaploi jo vetëm Kosovën, ku flitej se do të tërhiqeshin qysh të
nesërmen vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët, megjithëse të paktë në numër
krijonin një lloj sigurie. Largimi i tyre nxiste frikë deri në tmerr, sepse të
gjithë e dinin se si vepronin serbët kur fikeshin dritat. E kishim provuar.
A
thua, do të përfundonte lufta me këtë brez?