E merkure, 30.04.2025, 11:23 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Nata e Buzmit

E merkure, 27.12.2023, 08:56 PM


Kalorësit e Dardanisë - Nata e Buzmit

Nga Gani Mehmetaj

Përgatiteshim të mbroheshim nga dyndjet e fiseve avare e sorbiane. Bullgarët kishin sulmuar dy herë kufirin lindor....

Muaji i fundit i vitit na fshikullonte me borë e pjalm. Atmosfera e Krishtlindjes ndihej kudo, katundarët më dilnin përpara, ma uronin festën pa më pyetur e mbaja apo jo, meshtarët e katundeve para derës së kishës më ofronin një kupë gjak Krishti, ashtu i thoshin verës së kuqe. Ata më pyesnin për kështjellën e kështjellarët, kërkonin sigurinë në sytë e mi, më shumë ma kërkonin frikën. Më vinte mirë që nuk e gjenin.

Në buzëmbrëmje, në kishën e vogël të katundit, për herë të parë po e dëgjoja himnin e Niketë Dardanit "Të Deum Laudamus". Tingujt e një instrumenti përhapeshin tutje në katunde e në Luginë. Tingujt atë natë të Krishtlindjeve dilnin nga një kishë e vogël rranzë mali, pak sipër katundit. Instrumenti muzikor ndiqte zërin e korit kishtar. Se si më dukej ndryshe festa e sivjetme, megjithëse Krishtlindjet e Pashkët festoheshin edhe viteve të kaluara. Sonte kishin diçka të veçantë, përmalluese, grishëse e mistike njëkohësisht. Gjendja ishte ndryshe, e rëndë dhe me pritje të papërcaktuara.

Rrija i përhumbur në bedenat e kështjellës, duke ndjekur yjet. Kambanat nisën të bien në mesnatë. Jehona e tyre përplasej maleve përreth, shtrihej në lugina dhe vazhdonte tutje. Pastaj u bë qetësi. Dritat e shtëpive nuk u fikën sikurse netëve të tjera pak kohë pasi qetësoheshin njerëzit e bagëtitë. Pishtarët e bishtukët ndriçonin si xixëllonja kohë të gjatë edhe pasi ranë kambanat. Imagjinoja burrat e gratë se si luteshin brenda në kishë, imagjinoja se si u skuqeshin faqet, ndërsa nga goja u dilte avulli. Nata ishte e kthjellët dhe e ftohtë. Bora kishte mbuluar bjeshkët e luginën. Shurdhëri kudo. Shihja nga bedenat e kështjellës, ndiqja yjet. Edhe ata ishin të ftohtë, të akullt e shpërfillës, ashtu sikurse natyra poshtë kështjellës.

Më pëlqente e më pikëllonte kjo shurdhëri, më gëzonte nata e Krishtlindjeve, më zymtonte vetmia. Kazerma e kështjella ishin plot ushtarë secili më i vetmuar se tjetri.

Pas ndonjë ore kur besimtarët dilnin nga faltoret, gratë niseshin në shtëpi, burrat në ara, ata vazhdonin festën e tyre. Nata e zjarreve me kryqe të thyera, ose Nata e Buzmit e quanin. Nuk ishte vazhdimësi e Krishtlindjeve, festohej pas meshës së madhe. Disa e quanin kryqi me grremçe, disa kryqi kaçurrel, ishte ndryshe nga kryqi i Krishtit të mbërthyer, ishte shumë më i vjetër, ne e mbanim në krye të flamujve të ushtrisë me simbolin e diellit.

Burrat vazhdonin ta mbanin festën e moçme të Buzmit bujar, gratë uronin njëra-tjetrën Krishtlindjet dhe gëzoheshin që e pritën edhe një festë. Shumë vjet më parë nga romakët pata dëgjuar se Kryqin e Buzmit e quanin sfastika, një fjalë e vjetër burimin e së cilës nuk e dija.

Ndiqja me kureshtje në katundet poshtë kështjellës se si pas mesit të natës filluan ritualin e Buzmit bujar. Zjarret e vogla përreth pronave të katundarëve ndriçonin natën e errët. Bora sivjet kishte rënë e trashë dhe e rëndë, ditët u bënë të ftohta e dielli me dhëmbë, netët të acarta e të mbuluara me qiell të pastër e yje xixëllues. E ndiqja me vëmendje ritualin e Buzmit që zhvillohej gati në tërë hapësirën e luginës.

Dy-tre veta në pronën më të afërme silleshin rreth trungjeve, ia afronin trungut zjarrin, pastaj ia largonin, e ndriçonin hapësirën përreth me kashtë, duke e vijëzuar kryqin me grremç të dyfishtë. I imagjinoja fjalët që ia thoshin dhe ritualin që e zhvillonin, duke e përcjellë traditën pagane, që nuk e kishte lënë anash festa e të krishterëve.

Ndërsa e ndiqja ritualin me zjarre të vockla e me hije të burrave që endeshin pas mesit të natës se si më dukej diçka që ma kujtonte fëmijërinë e rininë e hershme, kur së bashku me tatën dilnim në fushë, silleshim rreth trungjeve të pemëve frutore dhe ua këndonim këngën e urimit, herë i kërcënonim po nuk bënë fruta. Acari m’i mpinte veshët, megjithëse isha aq i emocionuar e i gëzuar që ndihmoja tatën, më dukej vetja i rritur; kurse ia besoja çdo fjalë që ua thoshte pemëve. Kryqin e thyer e linim në ara, të varur në majë të pemës, kryqet e vegjël që i bënim me nga një grusht kashte, digjeshin e shuheshin njëri pas tjetrit.

Nana na priste në dhomën e ngrohtë me nga një gotë verë të valuar pasi futeshim të bërë shtangë, aq të gëzuar që kryem një ritual. Tata fërkonte duart, unë fërkoja veshët e mbështjellë që më nuk i ndieja. Motra përpiqej të ndihmonte nanën. Kupën e drunjtë të verës së nxehtë e mbaja me shuplakë për t' i ngrohur duart e fytin derisa e hurbja me kujdes. Për herë të parë më lejonin të pija verë.

- Buzmi bujar, - e dëgjova zërin e dikujt në natë, derisa kryqet e thyera ndriçonin. Zëri i burrit në errësirë më zgjoi nga kujtimet. Në ara rituali zgjaste më shumë gati me të lindur të diellit. Kjo ndodhte atje ku krahas kryqit e zjarrit, i zoti i shtëpisë me djemtë apo vetëm me gruan gëzonin me ndonjë gotë verë të vreshtave të tyre. Atëherë edhe unë pa vetëdije nxirja calikun ku e mbaja verën në mëshikëzën e dhisë. E gëzova me familjet imagjinare që ua shihja zjarret e ndriçuara në arat si xixëllonja, ndiqja edhe pishtarët me të cilët e ndriçonin hapësirën para vetes. Kur e gëzova për herë të dytë, prapë duke imagjinuar njerëzit në vend të xixëllonjave m’u duk sikur shihja pleqtë e mi që e gëzonin të vetmuar natën e Buzmit, ndërsa më mendonin mua në natën e ftohtë në majë të kullave vrojtuese apo edhe më keq ashtu si isha jo rrallë në fushime ku dridheshim nga të ftohtit. Zëri m’u ngjir kur i thashë vetes zëshëm:

-Gëzuem!

Më mbërtheu një shkulmë nostalgjie, m’u kthye fëmijëria, më dolën para fytyrat e të dashurve të mi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx