E shtune, 27.04.2024, 04:47 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: A di Zoti shqip? - Vështrimi historik

E premte, 27.10.2023, 08:03 PM


A di Zoti shqip?

Vështrimi historik

Nga Gani Mehmetaj

Shën Pali predikoi fjalën e Zotit deri në Iliri. “Prej Jerusalemit e përqark në Ilirik e kam përhapur ungjillin e Krishtit”, shkruan në Bibël. (1. Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e re, Bibla, tek romaket 15, vargu 19, përktheu Dom Simon Filipaj, Ferizaj 1994). Sigurisht duhet t’u jetë drejtuar besimtarëve të parë ilirë në gjuhën e tyre, ose me ndihmën e përkthyesve. Ndryshe nuk do ta merrnin vesh dhe nuk do ta dëgjonin.Shën Pali u strehua apo jetoi kohë më të shkurtër në Durrës, njërin ndër qytetet më të mëdha të Ilirisë. Mësimet e Krishtit që u përhapën në Iliri me frymën e re të barazisë në mes të njerëzve, ishin edhe  kundërvënie pushtimit romak. Feja që e përhapnin apostujt dhe pasusit e tyre, ndiqej egërsisht nga romakët.  Krahas ndjekjeve në Romë, ndjekja ndaj lëvizjes së re fetare pati në tërë provincat e pushtuara.

Dardania antike, krahinë e Ilirisë njeh martirizimin e dy shenjtorëve dardanë: Flori e Lauri,  (2. Gjon Berisha: Arbërorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj  lindore(shek. XI-XIV), Prishtinë 2015, botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri” ). Ata ranë ndër të parët në themelet e fesë së krishterë. Këta ishin martirët e parë të njohur të krishterimit në Dardani. Hamendësohet se varri i tyre është në Ulpianën e sotme.

Në vazhdimin e shekujve krishterimi u bë feja mbizotëruese në Iliri. Por historinë e ilirëve e të Ilirisë e ndjekin fërkimet e çarjet që dolën në sipërfaqe në mes të Kishës së Romës dhe Kishës së Konstantinopojës. Herë-herë këto fërkime, u ndjenë mbi kurrizin e arbërorëve më shumë se askund tjetër në Evropë, sepse nëpër territoret e tyre kalonte vija ndarëse, vija e Teodosit.

Krahas Bizantit që bënte trysni të vazhdueshme mbi arbërorët katolik, ishin sundimtarët serb, të cilët ushtruan dhunë ndaj popullatës arbërore që të ktheheshin në ortodoks pravosllav. Disa shekuj karakterizohen më luftëra të ashpra në mes të arbërorëve e serbëve.   

Priftërinjtë serb “kryen veprime të ashpra, veçanërisht në krahinat e banuara me arbërorë katolik, duke detyruar me dhunë banorët vendës të linin katolicizmin e të përqafonin ritin ortodoks pravosllav“ (3. Gjon Berisha: Arbërorët ndërmjet Kishës perëndimore dhe asaj lindore, faqe 421.) 

Kishat katolike në Arbëri, shpeshherë i shndërruan në kisha bizantine, ose në xhami.  Këtë praktikë e ndoqën serbët, këtë praktikë e ndoqën  më vonë edhe pushtuesit osman, të cilët pjesën më të madhe të kishave katolike i bënë xhami, ndërsa kishat bizantine në pjesën më të madhe nuk i preken. 

Megjithëse arbërorët për shkak të rrethanave të caktuara historike, kaluan nga feja katolike në atë ortodokse, duke u kthyer sërish në katolicizëm, kur princërit e Arbërisë mundën pushtuesit, feja katolike kohë të gjatë ishte mbizotëruese të arbërorët. 

Zoti u foli arbërorëve në gjuhën e tyre edhe në mesjetë. Nga dëshmitë e mbetura të gjuhës arbërore janë predikimet fetare dhe Formula e Pagëzimit. Shkollat në gjuhën arbërorë janë të njohura gjatë historisë, ndërsa kryesisht ishin pranë kishave katolike, përkatësisht pranë qendrave më të mëdha.

Me ardhjen dhe konsolidimin e hordhive turke në principatat arbërore, fjala e Zotit në gjuhën e vendësve u predikua gjithnjë e më me vështirësi. Pas fillimit të konvertimit të dhunshëm të arbërorëve në fenë myslimane, Patrikanës së Stambollit, që ishte në shërbim të Sulltanit, osmanët i dhanë detyrë të hiqte nga liturgjia gjuhën shqipe. Kështu, Kisha ortodokse greke i ndalonte lutjet shqip, e mallkonte predikimin dhe i shkishëronte priftërinjtë, që i drejtoheshin Perëndisë shqip nën juridiksionin e ish-Perandorisë Bizantine, përkatësisht në zonën ortodokse. Pushtuesi otoman përderisa i lejoi të gjitha gjuhët e popujve në perandori, gjuhën shqipe e ndaloi, riti katolik praktikohej kryesisht në territoret që nuk i shkeli pushtuesi. Gjuhën shqipe e besimin katolik e shpalli të jashtëligjshëm, ndërsa priftërinjtë ndiqeshin e vriteshin. Megjithatë, predikimi fetar është mbajtur në gjuhën e vendit, madje atëbotë priftërinjtë katolikë organizuan shkolla në gjuhën shqipe.  

Ndërkaq, në kundërshtim me këtë, priftërinjtë grekë, por edhe ndonjë prift i shitur shqiptar, që fliste e mendonte greqisht, predikonin sikur Zoti nuk di shqip, ndërsa shqipja është gjuhë e qoftëlargut, e armikut të fesë. Në marrëveshje me qeveritarët turq nga Stambolli niseshin priftërinjtë, duke i rënë trup e tërthor Shqipërisë që të pengonin lutjet e predikimin në gjuhën shqipe.

Pjetër Budi: Shkjenimi e muhametizmi i arbërorëve

Pjetur Budi, njëri ndër personalitetet më të shquara të historisë e të kulturës sonë,  në letrën dërguar Vatikanit shkruante: “... shumë ndër ta lëshojnë fenë katolike, disa i peshteten shkjenimit, disa muhametizmit, sidomos nj’ata që gjithmonë e ma tepër se të tjerët  janë nën mizoritë osmane”. (4. Pjeter Budi, Ipeshkvi i Sapes e i Sardës, Letër  në Romë me 15 t’shtatorit 1621).

Shumë fise arbërore, ndër ta edhe fiset e Kuçit e të Piperit, përmenden si arbër katolik, pra në kohën e Budit  nuk i  janë kthye shkjenimit. Shumë vjet më vonë pjesa dërmuese e fiseve të përmendura nga presioni, i kthehen shkjenimit, sikurse do të thoshte Budi.

Për fenomenin e shkizmatizmit (shkjenimit) shkruan edhe Pjetur Bogdani në relacionet që ia drejton Vatikanit, derisa ishte ipeshkëv në Shkup, por edhe më vonë.   

Në Dardani, pjesë e Shqipërisë etnike, veziri i madh i Perandorisë Otomane, serbi Mehmet Pashë Sokoloviq, caktoi të vëllanë, peshkop të Patrikanës së Pejës, duke i dëbuar priftërinjtë ortodoksë arbëror, por edhe ata bizantinë, sipas marrëveshjes me Sulltanin.

Të njëjtën gjë e bëri edhe në Kishën e Deçanit, e në të gjitha kishat bizantine deri në Nish. Pakkush e di se në Kishën e Deçanit, pjesë e kishave shqiptare, Onufri e ka bërë një pikturë murale me vlerë të madhe artistike. Historianët e sotëm serbë e fshehin këtë fakt, ose e lënë në heshtje, ashtu sikurse e lënë në heshtje faktin se në Kishën e Deçanit meshat i mbanin shqiptarët ortodoksë, sepse serbë në atë krahinë të Dukagjinit nuk pati asnjë për be.

Por dale ngadalë me shkjenimin bjerrej gjuha, braktisej feja e të parëve, humbnin  traditat, sepse Perandoria turke e ndaloi arbërishten. Martirizimi i qindra priftërinjve arbëror të kësaj kohe, fatkeqësisht  nuk përmendet në Vatikan, sepse u vështirësuan shumë lidhjet në mes të Arbërisë së pushtuar dhe Perëndimit, përkatësisht Vatikanit. Kishte edhe shenja të tjera: sikur zbatohej një marrëveshje e fshehtë në mes të Perandorisë Otomane dhe Republikës së Venedikut për pushtimin e Arbërisë, ndërsa koncesionet zbatoheshin për lundrimin e lirë të anijeve venedikase e tregtinë e lirë në tërë pellgun e mesdheut e në Perandorinë otomane.     

Ndërkaq, brenda  territorit të arbërorëve me konsolidimin e priftërinjve serbë të caktuar nga Stambolli, raportonte një relacion i priftit katolik arbëror nga Peja, drejtuar Vatikanit, nisi terrori i priftërinjve serbë ndaj popullatës shqiptare me ndihmën e zabitëve turq (5. PO ATY).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora