E diele, 28.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kushëriri Zeqo në luftën izraelito-arabe me uniformë jugosllave

E marte, 10.10.2023, 07:55 PM


Kushëriri Zeqo në luftën izraelito-arabe me uniformë jugosllave

Fragment romani

Nga Gani Mehmetaj

-Vjen era luftë, - u pëshpërit në lagje. Disa gëzoheshin. Sa herë

kriste lufta, i shihnin thembrat e kolonëve që ia mbathnin nga sytë këmbët.

-Lufta sjell gjak e vorre,- nisi të tregonte për luftërat që i mbante në mend Zoja e Lleshit.

Plakat me rrëfimet e tyre të zymta sikur e ndillnin luftën. Bota e madhe prapë ishte trazuar. Diku bëhej luftë, kumtoi një lajm. “Arabët e kishin sulmuar Izraelin”, thanë me pëshpërime. Radioja zyrtare e përgënjeshtronte këtë thashethemnaje: Izraeli e kishte sulmuar Egjiptin a arabët, që për njerëzit ishte e njëjta gjë. Spikeri fliste me entuziazëm se si ushtria arabe po korrte fitore.

Lufta në mes tyre nuk ishte e re, por risi ishte zhdukja e kushëririt Zeqo, ushtar i jugosllavit. “Humbi në shkretëtirat arabe si kokrra e kripës në det”, u përhap fjala në lagje. Para gjashtë muajsh Zeqo shkoi ushtar në Split të Dalmacisë. Pastaj e dërguan në mision paqeruajtës në Sinaj, në mes të Egjiptit dhe Izraelit. Letra nuk dërgonte, me telefon s'kishte ku të thërriste. Pak kush e kujtonte. Por kur plasi lufta izraelite-arabe, një luftë e egër, e furishme me viktima, familja u shqetësuan. Ku të pyesnin s'kishin. Kujt t'i drejtoheshin nuk e dinin. Një kohë nuk u dëgjua fare për te. Dikush tha se u vra. Të tjerët thoshin se e zunë rob, kurse të tretët se e përpiu shkretëtira. Flitej se kur niste të frynte stuhia shkretinore, njerëz dhe deve, madje edhe batalione të tëra i përpinte rëra.

Lufta në mes dy shteteve të armiqësuara vazhdonte me furi. Për asgjë tjetër nuk flitej. I lanë anash punët tjera, u bënë si tifozët e sportit. Anonin sa nga Egjipti sa nga Izraeli. Shteti e mbante anën e arabëve. Televizioni jepte sukseset e ushtrisë egjiptiane. Tregonin se ushtarët paqeruajtës rrinin në zonën neutrale. Por kur nisen luftimet, u shprish zona neutrale, askush nuk i përfillte vijat kufitare, rrezik që forcat paqeruajtëse të vriteshin nga të dy palët.

Ishin mbledhur burra e gra që të dëgjonin sa më shumë detaje. Lajmet dëgjoheshin shkurt. Debatet zgjasnin deri natën vonë. Gjinin e kote gjumi duke imagjinuar luftimet, shkretëtirën e Sinajit, stuhinë që frynte dhe që i mbulonte ushtarët në një shtjellë të madhe. Ushtarët ishin atje, luftonin me stuhinë, luftonin me arabët, sepse dikush tha se i nxorën në territorin arab, pastaj zbytheshin, duke iu shmangur plumbave e artilerisë. Aeroplanët izraelitë e egjiptianë thuhej se u fluturonin mbi kokë.  Po t'u binte ndonjë bombë qorre?

Të nesërmen vazhduan bisedat për luftën. Flitej  se ushtarët shqiptarë shteti jugosllavë i dërgoi atje, sepse ishin pa dhimbtë.

-Shkoi nizam Zeqa- fliste gjyshja. Dhe niste të këndonte këngë të zvargura për nizamët si të vajtonte vdekjen e dikujt.

-Kuku, arabët të therin në gjumë, -ia priste Zoja e Lleshit.

-Kurrë s'ju ç' kapë gazepi burrave tonë, -ia priste gjyshja. -Herë nizamë të turkut, herë asqerë të Kralit, herë ushtarë të Titës, -i numëronte ushtritë e huaja gjyshja.

- Pa dhimbtë i kanë djemtë tonë. - e mbështeste Zoja e Lleshit.

-Thuj mirë që nuk i vrasin mbas shpine, se serbiani mbas shpine të vret, - e nxirrte mllefin ajo.

Ajo ende i kujtonte martirët e Bishtazhinit, që i vrau ushtria e Kralit, shtatë ditë pasi e bombardoi Gjermania naziste Beogradin. Për hakmarrje ushtria jugosllave vrau 72 shqiptarë të katundit të Bishtazhinit dhe të katundeve të tjera të Gjakovës, që të nxirrnin inatin e Gjermanisë së Hitlerit, që ua bombardoi kryeqytetin. Pritej që Italia të thyente kufirin dhe të futej nga Tropoja në Gjakovë, prandaj ushtarët jugosllavë nxituan të hakmerreshin ndaj shqiptarëve, kur s’kishin ç’t’i bënin Gjermanisë a Italisë.

- Vranë ushtria jugosllave shqiptarë katolikë tri ditë rresht, t'Premten e Madhe të Pashkëve, t'shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dillën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, - rrëfente me pikëllim Zoja e Lleshit.

Pastaj nisnin të numëronin vrasjet e tjera. E harruan Zeqën që ishte zhdukur në shkretëtirat e Sinajit.

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dolën në demonstrata, në mbështetje të arabëve. Grupi i të rinjve serbë e malazezë, endeshin rrugëve me pankarta “Tito-Naser”.

“Tito e do Naserin, e kishte aleat”, tregonin ata që e kuptonin politikën. Në mbrëmje nisnin komentet ndryshe:

-Një grusht izraelitësh munden miliona arabë? Janë atdhetarë këta bijtë e Moisiut, vijnë nga anë e anës për të luftuar, -fliste Bardhi.

Dikush e kujtonte sa shumë kishin hequr gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pastaj qe përhapur një rrëfim që të linte pa mend. Një ushtare izraelite, u fut në xhami, i zu duke u falur ushtarët arabë, që i kishin lënë armët të dera dhe i vrau, pa u dhënë mundësi të mbaronin namazin dhe as të kapnin armët. Dhe Bardhi, në vend të bashkëjetonin me fundin tragjik të ushtarëve arabë, sepse shteti i kishte aleatë, i ironizonin: "falnu, ju, falnu, se Zoti ju ndihmon!".

Kushëriri Zeqo, ushtar i Titos, prapë u harrua. Në lagje nuk fliste më njeri për te. S'dihej, është gjallë apo ka vdekur? Paqartësia vazhdoi për disa javë a muaj me radhë. Nëna e tij interesohej, pyeste e nuk merrte përgjigje. Qyteti e ktheu interesimin nga fati i luftës. Kush do të fitonte: Izraeli a Egjipti? Animet ishin si në fushën e futbollit. Kaluan javë, derisa u qartësuan gjërat për fatin e luftës dhe për fatin e Zeqos.

"Ushtarët tonë janë shëndosh e mirë", -erdhi lajmi nga shkretëtira e Sinajit. Ushtria suedeze që ishte e pajisur me teknologji të lartë, lajmëroi për fatin e ushtarëve. Kishin kaluar vijën e luftës, i kishin grumbulluar në limanin Jafa të Izraelit dhe do t'i nisnin së shpejti në vend", -vinte lajmi i vonuar.

Dikush tjetër lajmëroi se edhe kur të ktheheshin, do t'i mbanin në karantinë. Druanin se mos kanë sjell ndonjë sëmundje të tmerrshme. Atje nga vinin kishte sëmundje që s' t'i kapte mendja. Gjyshja thoshte se nizamët gjithnjë sillnin sëmundje, që mezi i hiqnin qafe.

-Shumë nizamë, nuk u kthyen, -tregonte ajo. Gjyshja mbante në mend kur Perandoria turke rekrutonte me dhunë shqiptarë dhe i dërgonin nizamë në Arabi, ku treteshin në rërë.

-Ua hangri kryet shkretina, që mos koftë! -mallkonte Zoja e Lleshit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora