Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Në xhaminë e Damaskut - qimja e Pejgamerit dhe kryqi
E marte, 04.10.2022, 07:58 PM
Në xhaminë e Damaskut: qimja e Pejgamerit dhe kryqi
Shkruan: Gani
Mehmetaj
Për
herë të parë me 1985 mora vesh se një emër më të cilin brezi i moçëm dhe brezi
i mesëm i shqiptarëve janë pagëzuar më mijëra, duke menduar që është emër
myslimanë, arabisht e ka kuptimin e kalit të shalës!
Damask
(Sham), 1985
Siria
e rinisë sime ishte ndryshe nga ajo që e shohim sot në ekranet televizive.
Sirianët shquheshin për tolerancë
fetare, u takonin dy feve kryesore: myslimanë e të krishterë. Tregtia,
karakteristike e popujve të lindjes ishte shumë dinamike. Diktatura e Asadit
(babait) ndjehej kudo, ashtu sikurse ndjehej prania ushtarake ruse. Shumica nga
brezi i moçëm, burra e gra e flisnin mirë gjuhën franceze. Evropa për ta ishte
ëndërr, që e gjakonin të gjithë. Delegacioni ynë nga Kosova kishte trajtim të
veçantë, sepse ishin të pakët ata që u vinin nga Evropa. Nuk e takova asnjë
sirian që dinte rusisht. Sirianët nuk i donin rusët, shihnin anash kur e
tregonin përbuzjen ndaj tyre. Njerëzit u shmangeshin bisedave politike, por nuk
u shmangeshin të huajve.
Zyrtarët
sirianë e donin Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik, sepse këto dy shtete e
mbështesnin Asadin e kauzën arabe kundër Izraelit. Palestinezët që nuk ishin të
pakët nëpër kampet siriane e në qytete, nuk gëzonin simpati. Refugjatin askush
nuk e do. “Janë të paparashikuar” më tha shoqëruesja ime, shpejt i nxjerrin
thikat po u zure me ta.
Kur
e vizitova për herë të parë Damaskun, në hotelin më të mirë të kryeqytetit,
hotelin Sham, ku na vendosen, mbahej një Kongres i Kishave Ortodokse të Lindjes
së Mesme, kështu që restoranti dhe ambientet e hotelit ishin plotë dinjitarë të
lartë të ritit lindor. Dy shoqërueset e delegacionit tonë ishin siriane: njëra
e krishterë, tjetra myslimane.
Në
xhaminë më të madhe të Damaskut, xhamia Azam, ku na dërguan, na thanë se janë
dy atraksione turistike në të njëjtin vend: qimja e profetit (Pejgamerit) dhe
një relikte, kryq i rrethuar, i një kishe të vjetër, mbi të cilën pastaj arabët
e kishin ndërtuar xhaminë. Besimtarët
faleshin para dy faltoreve: myslimanes e të krishterës. Shoqëruesja
myslimane më bënte presion që të puthja shtyllën e rrethojës së drunjtë, prapa
së cilës ishte qimja e Muhametit, ndërsa e krishtera më thoshte ta puthja
kryqin e ritit lindor. Që të mos ua prishja, gjeta zgjidhje solomonike: putha
dorën time duke e vënë para qemerit të qimes se pejgamberit dhe para rrethojës
së kishës së krishterë. Ato duartrokiten të entuziazmuara.
Sirianët
të krishterë e myslimanë kanë emra kuptimi, pra sikurse janë të ne Fatmire,
Dritë, Mërgim, Shkëlqim, Fitim, Saimir, Afërditë etj. Edhe të ne ka emra arab
kuptimi që po t’i përkthenim do të dilnin Fatmire, Dritë, Fitim, Shkëlqim, por
hoxhallarët nuk ua lejonin besimtarëve shqiptarë. Nëse siriania apo arabja e ka
emrin Samira është e krishtere, sikurse shoqëruesja ime, por mund të jetë edhe
myslimane, sepse është emër arab. Samir e Samira kryesisht janë emra arabësh të
krishterë. Xhemail, është po ashtu emër arab i të krishterëve e myslimanëve,
ashtu sikurse shumica e emrave të tjerë beduin që i kanë huazuar një pjesë e
shqiptarëve, duke menduar që janë emra myslimanë. Nga emrat nuk mund t’i
dallosh cilës fe i takojnë. Më thanë se vetëm emri Muhamed është emër puro
mysliman, që nuk e kanë të krishterët.
Sirianët
e thoshin se janë me prejardhje nga asyrët e moçëm, ashtu sikurse ta thoshin që
në fillim se u takojnë të dy feve. Për këtë arsye në një moment të caktuar
patën një problem më filmin “Proka”, të adaptuar sipas novelës më të njëjtën
emër të shkrimtarit shqiptar Filip Papajani. Sirianët druanin që shikuesit e
krishterë mund ta keqkuptonim, apo ta merrnin fyerje, sepse kishte priftërinj
në film. Por i qetësuam.
Me
emrin e njërit nga aktorët kryesor po asht na doli një “problem”. -Si
shqiptohet emri i aktorit, - më pyeti një vajzë me prejardhje shqiptare nga
prindërit e lindur në Istog. Ia shqiptova. “Ua sa keq”, me tha ajo e
skandalizuar. Ashtu si e paskeni pagëzuar ju, duke menduar që është myslimanë,
në fakt e keni pagëzuar kalë shale! Qeshem kohë të gjatë më marrëzitë e
prindërve tanë që i emërtonin fëmijët e
tyre me emra që nuk i merrnin vesh, ndërsa të ne ka mijëra emra kalë shale,
duke menduar që janë emra myslimanë. Ia treguam kuptimin e emrit, kur erdhëm në
Prishtinë aktorit, bartës të këtij emri. Ai u thartua, ne prapë qeshëm. Në Siri
më treguan që deformime të këtilla kanë dëgjuar edhe më parë. Shqiptarët, duke
mos e njohur gjuhën arabe, emrat e fëmijëve të tyre i deformojnë frikshëm:
arabisht dalin përçudnime ose emra turpi. Disa fjalë pastaj edhe hoxhallarët
tuaj në lutje i deformojë: në vend të lutjes ata shqiptojnë fjalë të pista.
Këto
mi thoshin shqiptarët e Sirisë, që ishin më mijëra në këtë shtet, të
shpërngulur nga terrori serb dhe nga mashtrimet e hoxhallarëve që ua premtuan
parajsën. Një burrë me 1985 i kishte mbi 70 vjet më tregonte se si hoxha i
katundit, i nxiti të braktisnin vendlindjen, duke u premtuar se do t’u printe,
ndërsa vet mbeti e neve na dëboi. Dramat e tyre ishin rrëqethëse.