Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: 'Kosovarizmi islamik'
E merkure, 06.07.2022, 07:54 PM
“Kosovarizmi islamik”
Janë
dy fenomene të shëmtuar që përpiqen të ndërhyjnë në qenësinë e shqiptarëve të
Kosovës: islamizimi i dytë në frymën e skajshmërisë vehabiste e erdoganiste dhe
konvertimi në një komb që nuk ekziston. Të gjithë ithtarët e islamizmit
erdoganistë e vehabistë, ashtu si të gjithë propagandistët e kombit kosovar
(janë të njëjtët), që i shohim në medie e i lexojmë nëpër gazeta, nuk janë
shqiptarë, por aziatikë shqipfolës, që erdhën së bashku më pushtuesin turk dhe
mbetën këtu. Ideja e tyre është kosovarizmi islamik, shëmti që nuk arritën ta
realizojnë as projektet e Qubrillloviqit e Milosheviqit
Nga
Gani Mehmetaj
Pas
vitit 1999 një grup mercenarësh shqipfolës filluan të bëjnë zhurmë të madhe për
krijimin e kombit të ri, kombit “kosovar”. Model e kishin – kombin jugosllav.
Propaganda integraliste e ish-Jugosllavisë arriti të sajojë surrogatin serb të
“jugosllavistëve” nga martesat e përziera, nga joshja që u bënte joserbëve për
karrierë politike dhe nga presionet e tjera. Paralelisht me ta u sajua edhe
kombi mysliman dhe kombi maqedonas, pjellë e imagjinatës së Titos dhe
titistëve. Të gjithë këta flisnin serbisht, i takonin në pjesën më të madhe
kulturës serbe ose kroate (me përjashtim të “maqedonasve” sllavë që ishin diku
në mes të bullgarëve, serbëve dhe vllehve të sllavizuar ). Megjithatë, kombi
“jugosllav” dhe “mysliman” ishin sajesa politike, prandaj dështuan për faqe të
zezë: myslimanët pësuan tragjikisht nga mungesa e identitetit dhe bredhja herë
nga Lindja, herë nga Perëndimi; jugosllavët me shpartallimin e Jugosllavisë u
fshehën skutave nga frika e kombeve reale që dolën në sipërfaqe me identitet të
sforcuar, apo jugosllavët në pjesën më të madhe u bënë serbë militantë.
“Maqedonasit” sllavë ende përpëliten në mes të bullgarëve, vllehve dhe serbëve,
por që të përbashkët e kishin dhe e kanë urrejtjen patologjike ndaj
shqiptarëve.
Përderisa
dy sajesat e para i takojnë historisë, sajesa e tretë, “maqedonasit” sllavë,
ende qëndrojnë në mes të Shiles e Harribdes, por zor se do t’i përballojnë
historisë: kombet nuk sajohen në shekullin XX dhe nuk bëhen me dekret.
Sikur
nuk mjaftoi dështimi i sajesave myslimane e jugosllave, disa mercenarë, apo
minoritete me prejardhje aziatike po përpiqen të krijojnë një frankeshtajn
gjuhe; kosovarishten dhe kosovarët. Po kombi i ri “kosovar” cilën do ta ketë
gjuhë zyrtare? “Kosovarishten” që nuk do të jetë gjuha standarde shqipe, ndërsa
nuk do të jetë as dialekti puro gegë, por një trajtë e së folmes lokale të
periferisë me sllavizma e turqizma të bollshme, apo e së folmes së pakodifikuar,
ku secili do të sjellë në medie e në institucione publike gjuhën e pagdhendur
të katundit të vet me pasthirrma e klithma malësorësh, me gjysmën e shkronjave
të ngrëna. Ndërsa “kosovaristët” e kryeqytetit të Kosovës flisnin një shqipe të
zvetënuar, në pjesën më të madhe të përkthyer nga serbishtja, me sintaksë të
çoroditur sa sllavisht, aq edhe anglishten e çalë si të Tarzanit të xhunglës,
ku dëshirorja është fshirë nga përdorimi. Asnjëri prej këtyre kosovaristëve nuk
të thotë “kalofsh mirë!”, sikurse gjyshja e tyre dikur, por të urdhërojnë: kalo
mirë! Shtresa urbane, bijë të “elitës jugosllave” apo të shtresave të
socializmit vetëqeverisës, kanë nostalgji të ndjeshme ndaj serbokroatishtes.
Ata duan ta përjashtojnë shqipen letrare jo vetëm nga e folmja e përditshme,
por edhe nga mediat. Çdo shprehje a togfjalësh që e përdorin në zhargonin e
përditshëm, e kanë përkthyer nga ish- metropoli i tyre ideologjik-Beogradi.
Kush
qëndron prapa kësaj propagande? Është vështirtë të thuhet, sepse në mjedisin
prej nga vijnë nuk kanë mbështetje, por megjithatë kanë ca fonde. Disa shenja
tregojnë se kryesisht nisma është e ish-integralistëve jugosllavë, pastaj e
majtistëve dhe mercenarëve të të gjitha ngjyrave që i shfrytëzojnë fondet e
ndryshme ndërkombëtare, me burime të dyshimta. Mjafton të thuash se do të
angazhohesh për propagandimin e gjuhës lokale, të ndryshme nga gjuha që flitet
në Shqipëri dhe fondet i ke të garantuara, në qarqet politike ndërkombëtare, që
duan të krijojnë hendek të madh në mes të Kosovës e Shqipërisë, në
propagandistët të cilët dikur ishin të zhurmshëm në luftën kundër nacionalizmit
e irredentizmit shqiptar etj. Por një pjesë e tyre këtë gjë e bëjnë edhe nga
ekscentrizmi, përkatësisht nga kompleksi i inferioritetit: “përtej Alpeve
bashkëkombësit tanë nuk na duan, na shpërfillin, na nënçmojnë, prandaj o burra
ta bëjmë “gjuhën tonë” , lëshojnë kushtrimin ata, që flasim e ta shkruajmë pa
rregulla, pa shenja pikësimi, të kënaqemi duke ia bërë qejfin vetes se jemi më
të mirët, më të mençurit dhe më të bukurit. “Kosovaristët” mbështetjen më të
madhe e patën nga disa medie elektronike të majta në Tiranë e në Prishtinë.
Këto medie a duan të nxisin debate apo kuriozitet mediatik, është vështirë të
thuhet. Mbase edhe ndonjë fond të dyshimtë nuk bënë të përjashtohet. Mediat
tona marrin gjithandej fonde dhe askush nuk e di se nga vijnë.
Elementi
joshqiptar i integruar në mjedisin shqiptar të Kosovës (disa shqiptarë
gjakpërzier me prejardhje jevge e aziatike) janë më të zhurmshmit për kombin
“kosovar’, ashtu sikurse që të kësaj përkatësie janë edhe ata që e
propagandojnë më së shumti ideologjinë e beduinëve të shkretëtirës në emër të
fesë.
Të
përpiqesh të sajosh komb në shekullin XXI, përkatësisht të përpiqesh ta ndash
kombin e konsoliduar, është më shumë se veprim prej Donkishoti, është përpjekje
të bësh punën e Beogradit. Të përpiqesh të rekrutosh njerëz për kombin e ri nga
pjesëtarët të cilët ndjenjën kombëtare e kanë më të theksuar se asnjë komb
tjetër në Ballkan, është veprim i joshqiptarëve që nuk na e duan të mirën.
Natyrisht ata ndërkombëtarë që e mbështesin këtë nismë, veprojnë nga prizmi
pragmatik: duan të zbusin ca mllefin e Serbisë, mbase duan të integrojnë serbët
në shtetin e ri, por mbi të gjitha duan ta largojnë vëmendjen e shqiptarëve nga
gjakimi për bashkim kombëtar. Ndërkaq orientalët duan që në këtë mënyrë të
shprishin gjakun shqiptar, ashtu sikurse po përpiqen që ta shprishin përmes
përpjekjes për nxitje të përçarjeve fetare. Fondet antishqiptare nuk prajnë se
derdhuri nëpër xhepat e shqipfolësve.
Përpjekja
e sajimit të kombit “kosovar” është përpjekje e pakuptim, shpenzim i
panevojshëm i energjive dhe sakrificë e madhe: për hir të 2-3 për qind të
serbëve, të cilët megjithatë nuk do ta pranonin këtë sajesë dhe nuk do ta
flisnin kurrë as gjuhën “kosovarishte”. Është më e drejtë që ne ta flasim
gjuhën tonë dhe ata gjuhën e tyre, sesa të bëjmë eksperimente kot së koti që na
kushtojnë.
Euforia
e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë pata përshtypjen se do të këndellte
edhe një herë përgjumjen e asaj shtrese të shqiptarëve të Kosovës e të
Shqipërisë që sikur iu bë zhguall breshke përkatësia kombëtare. Të topitur nga
varfëria pesëdhjetëvjeçare, të molepsur nga ca ndihma humanitare me hurma e
sheqerka, të vënë nën presionin e fqinjëve agresivë e shovinistë, një pjesë e
tyre turpëroheshin apo e fshihnin të qenët shqiptar. Të tjerët sikur po
harrojnë kë e patëm mik e ke armik, kush na gjymtoi dhe kush ishte shkaktar i
këtij gjymtimi. Të tretët iu kanë qepur internacionalizmit dhe kozmopolitizmit,
pikërisht sepse e kanë ngarkesë të qenët shqiptar.
Euforia
e theksimit të 100 –vjetorit të Pavarësisë duhet të përsëritet çdo vit. Nuk
mjafton vetëm tundja e flamujve, as vetëm fjalimet patetike, por lypet
ringjallje e frymës së rilindësve, vënia në pah e vlerave kombëtare, e heronjve
tanë, e luftës që bëmë gjatë historisë kundër pushtuesve dhe e përpjekjeve që
duhet të bëjmë tash dhe në të ardhmen në forcimin e kombit tonë të bashkuar me
përkatësi e mirëqenie evropiane.
Nuk
është turp të jesh nacionalist, është turp ta mohosh kombin tënd e të shpikësh
kombe të paqena, është jonjerëzore të shtypësh të tjerët.
dardaniapress.com