Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Akademiku maqedonas - “Mungesa e shqiptarëve të krishterë në Maqedoni, fat për ne”
E merkure, 27.10.2021, 08:54 PM
Akademiku maqedonas: “Mungesa e shqiptarëve të krishterë në Maqedoni, fat për ne”
Shkruan:
Gani Mehmetaj
Kthimi
i shqiptarëve në rrënjë do të trondiste themelet e shtetit!
-Dimçe,
pranoje se shqiptarëve ortodoksë ua keni zënë frymën, shqiptarët katolikë i
dëbuat, me shqiptarët myslimanë talleni, i trajtoni si fëmijët e vonuar mendërisht,
luani shërbimesh të fshehta, ua hapet rrugën turqve e arabëve t’i mashtrojnë me
hurma e xhami, ndërsa shkollat nuk ua lejoni.
-Kush
i pengon priftërinjtë ortodoks të luten e të predikojnë shqip? Nga Shqipëria
nuk ua dërguan asnjë prift, nuk i shkolluan, nuk ua falën madje asnjë bibël në
gjuhën shqipe, ashtu si nuk u dërgojnë as libra arsimor shqiptarëve tuaj. “Nuk
kemi të drejtë të përzihemi në Maqedoni”, thonë herë pas herë nga Kisha
Ortodokse Shqiptare në Tiranë. Arsyetim koti. Diaspora shqiptare në Amerikë i
ka futur veshët në lesh. Ndërkaq me shqiptarët myslimanë tallen të gjithë:
shteti, Turqia, Serbia, shtetet e pasura arabe, madje edhe Irani. Turqia i jep
shtetit tonë armë që t’i vrasin shqiptarët kur rebelohen, shqiptarëve u
shpërndajnë kuranë e hurma për iftar . Turqia ndërton objekte kapitale e shtëpi
mallrash në lagjet e sllavëve, kurse xhami e mejtepe në lagjet e shqiptarëve.
Ju çmendeni pas fesë, e di Turqia, kurse sllavët në Maqedoni duan standardë,
jetë të mirë dhe Evropën. Çdo objekt qeveritar në Shkup ta sjell një copë
elitare të Romës, Parisit, Londrës, Berlinit, Madridit, çdo lagje e shqiptarëve
ta sjellë një copë të Kandaharit, Rripit të Gazës, Palestinës, me dy-tri xhami
në lagje e asnjë shkollë a çerdhe fëmijësh.
Me
çoroditi me këto informacione. Por unë desha të zë ngushtë në pikat më të
dobëta.
-Po
shqiptarët ortodoksë ç’u pengojnë? ia përplasa në fytyrë.
–
Çka mendon ti se shteti do t’i lejonte ashtu kot shqiptarët ortodoksë pas 100
vjetësh të thonë se ja nga ky qastë jemi shqiptarë, kthena gjuhën dhe
predikimin shqip. Kot që shpresoni. Kthimi i shqiptarëve në rrënjë do t’i
trondiste themelet e shtetit të ri e të brishtë, -ma tha një përgjigje më pak
vonesë, pasi e piu një gllënjkë të madhe birre. Për herë të parë mu bë që
shikoi anash. Thua edhe ai të ketë frikë?
–
Akademia jonë e Arteve dhe e Shkencave, që shteti e nxitë të jetë shumë aktive
kundër shqiptarëve, apo edhe kultura, arti, letërsia, filmi, muzika e piktura
kulmore qëndrojnë mbi supet e shqiptarëve ortodoksë të konvertuar. Ashtu si
xhamitë turke që po i grithe dalin kisha katolike, edhe akademikët, artistët,
këngëtarët e shkrimtarët maqedonas po i grithe pak, dalin shqiptarë ortodoks e
më pak edhe shqiptarë myslimanë, të kthyer në sllavë. Ndonjëri prej tyre kur e
përfundon karrierën a del në pension me gjysmë zëri e thotë, në grahmat e
fundit: isha me prejardhje shqiptare. Sa e sa akademikë e shkrimtarë e kanë
thënë këtë gjë në fund të jetës. Por këtë guxim mos e prit nga ata që janë në
kulmin e suksesit, sepse do t’ua këpusnin karrierën e këngën, do t’ua nxinin
jetën. Pse kush i këndonte në vitet e pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta këngët e
vjetra qytetare? Natyrisht shqiptaret ortodokse e katolikë. Kush e mbante
frymën shqiptare në këngë e muzikë? Shqiptarët ortodoksë e katolikë. Por më
vonë ua shuan zërin, ua këputën karrierën, nuk i dëgjuan më. Këndonin aq bukur
mu si Luçie Miloti e Tefta Tashko: shqip e pastër si loti, sa të mrekullonin.
Ku
dinte Dime të thoshte shqip e pastër si loti. Kush ishte ky?
Doja
të mos e besoja, por e dija që ishte e vërtetë. E pashë më vëmendje Dimçën, e
zhbirova deri në rrashtën e kokës, por shikimi i tij një herë i luhatshëm më
rrëshqiti, pastaj pati reflekse frike. Sikur deshi të më thoshte diçka, por
zëri i brendshëm i tha të heshtte.
Nuk
e di pse, por ky duhej të jetë shqiptar, mu ngulitë në kokë. Nuk është sllav,
nuk është as torbesho-mysliman që flet sllavisht, asnjëherë nuk me tregoi cilit
komb i takonte, asnjëherë nuk shprehu patetikë ndaj shtetit, ndërsa të tjerët
që e flisnin gjuhën e tij ma lodhnin kokën me patriotizëm lokal.
–
Dimçe, a je shqiptar, nga nëna a nga babai?, me shkrepi pyetja, ende pa qenë i
sigurt se duhej t’ia thosha.
Një
herë pa anash, pastaj u kthye të shihte ku ishte kamerieri. Me pa më vëmendje
të madhe, mi nguli sytë, sa që e pash fytyrën time në bebëzat e syve të tij.
-Nga
të dy prindërit. Gjyshet e mia vetëm shqip dinin. Por babai e nëna na dërgonin
rrallë në katund. Babai e nëna ishin ateist, sepse ishte i vetmi shpëtim për ta
dhe për karrierën e tyre. Por edhe atëherë kur shkonim në vendlindje ziheshin
me gjyshet, kur plakat kërkonin t’u flisnim vetëm shqip. “Do të na merrni në
qafë me këtë gjuhë”, u thoshte babai, ose nëna, ndërsa i dëgjoja gjyshet kur ua
kthenin: “ç’më duhen nipat kur nuk ma kthejnë në gjuhën time”. Unë gjuhën e
tyre e kuptoja, por me kishin thënë të mos e flisja se rrezikoja punën e babait
e të nënës. Pastaj moshatarët në Shkup do të na tallnin. Ishte turp të ishe
shqiptar a të flisje shqip në lagjen elitare ku banoja. Shqiptarët i shihja në
Bit Pazar, kur shkoja më mamin a tatën. Kaloja ndonjëherë edhe në Çair. Lagjet
e tyre ishin të varfra dhe të pista, fëmijët të veshur keq.
Dime
pushoi, i dridhej zëri, mbase mund t’ia plaste vajit.
Më
pushtoi angështia.
-A
ka kush që na nxjerr nga ky batak, – i thash vetës më shumë se sa që e pyeta
Dimçen. Nisa të imagjinoja Gjergjin shpatzhveshur se si çante gardhin e
armiqve, imagjinova se si futej për herë të dytë a të tretë në Shkup.
Nuk
folëm më. U err. Porosisnim shishet e birrës njërën pas tjetrës. Shihnim si
binte muzgu. Ndërkohë ndriçoi thekshëm kryqi gjigant në malin e Shkupit, që
sllavët u kujtuan ta vënin pasi kohë të gjatë e dëbuan Zotin nga qyteti dhe
propaganduan komunizmin ateist. U dëgjuan altoparlantët nga disa xhami
njëherësh, u rralluan njerëzit në shëtitore e trotuare. Erdhi ndërrimi tjetër i
kamerierit. Edhe ai na shërbente në heshtje, por edhe na shihte më dyshim.
Donim
të deheshim, por nuk deheshim dot, alkooli fironte nga trupi ynë, nuk na zinte,
ndërsa na gërryente pikëllimi i pafund”.