Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Tmerri i burgjeve turke
E marte, 21.09.2021, 07:43 PM
Tmerri i burgjeve turke
Nga
Gani Mehmetaj
Pastori
ungjillor amerikan, Andreu Brunsons (Andrew Brunsons, në dëshminë e tij në
Prishtinë, rrëfeu përvojën e hidhur, tronditëse, që të rrëqeth për burgjet
turke. Për gati dyzetë minuta ai tregoi për Turqinë, ku kaloi 22 vjet. Por një
ditë e arrestuan me akuzën se e kishte organizuar grusht shtetin kundër
Erdoganit. Ishte njëri nga njëqindmijë të arrestuarit, por mbante mbi shpatulla
akuza të rënda. E kaluan nga burgu i vetmisë në burg të sigurisë së lartë me
tetëdhjetë të burgosur islamikë. Kështu i ngryste ditët në pasiguri të lartë e
presion të tmerrshëm. Gjykimi ndaj tij ishte i rëndë, mesjetar, me akuza që të
linin pa frymë, me kërkesën e prokurorit që të dënohej tre herë me burgim të
përjetshëm. Me fjalë të tjera të mos dilte kurrë nga burgu sikur t’i kishte tri
jetë.
Tundimet dhe mëdyshjet hamletiane ishin të
shpeshta për të burgosurin amerikan, ashtu sikurse që përpiqej të përballonte
mizoritë e burgjeve turke pa e ditur ishte kjo sprovë e Zotit a ndëshkim. Droja
tjetër ishte: do të shihte ndonjëherë dritën e diellit dhe a do ta shijonte
lirinë.
Pas dy vjetësh të rënda, e liruan nga
presioni i presidentit amerikan mbi Turqinë dhe Erdoganin Dhe nga ky presion
(turku do zor, ka thënë populli ynë), ai e shijoi lirinë. Vuajtjet në burgjet
turke dhe përballja me një sistem të tmerrshëm burgjesh e prokurorësh, pastori
amerikan i shkroi në librin dëshmi që u shit në 17 milion copë. Shpresoj se së
shpejti do të përkthehet dhe do të botohet edhe në gjuhën shqipe.
2.
Për
burgjet turke dhe kushtet mesjetare në te rrëfen edhe filmi amerikan “Treni i
mesnatës’, (1978) i Alen Parkerit. Në kohën kur u shfaq filmi në Evropë, Turqia
bëri disa demarshe e përpjekje ta ndalonte, ndërsa përpjekja e tyre ishte si ta
pengonte diellin me shosh. E vërteta për burgjet e tmerrshme turke e përshkoi
botën. Ishte film që tregonte për kushtet çnjerëzore.
3
Prifti
amerikan ma kujtoi regjisorin kurd, Jimaz Gynej, autor i disa filmave të
shkëlqyeshëm. Kineasti i famshëm kurd pothuajse e ngrysi jetën në burgjet
çnjerëzore turke. Nga burgu i bëri disa nga filmat më të mirë. Emri i tij u bë
i famshëm, por nuk ishte e mjaftueshëm që ta lironin. Sa herë i shikoj filmat:
“Rruga” dhe “Shpresa” ma kujtojnë burgun turk, Jilmaz Gynejin dhe protestat
evropiane për lirimin e tij.
4.
Burgjet
turke askush nuk i di më mirë se sa shqiptarët. Burgjeve turke askush nuk ua ka
pi helmin më shumë se sa bashkëkombësit e mi në pesëqind vjet robërie. Të
rrallë janë ata shqiptarë që i futën në burg dhe që dolën në liri, sepse kur i
mbyllnin brenda, nuk i lironin më. Janë shumë rrëfime që të lënë pa gjumë, janë
shumë këngë pikëllimtare që të mbushin verem për zindanet turke dhe mizoritë e
gardianëve turq. Mijëra të rinj e burra të pjekur e ngrysën jetën në vetmi të
tmerrshme burgu turk: mijëra kilometra larg atdheut e familjes, në kushte të
paimagjinueshme skëterre, nuk i panë kurrë më gratë, nuk iu gëzuan rritës së
fëmijëve, nuk u çmallën me nënë e tatë. Kishim
shumë këngë për zindanët turke dhe për mijëra të rinj e burra që e
ngrysën jetën në një vetmi të tmerrshme burgu dhe në kushte çnjerëzore. Por
fatkeqësisht shumë nga këto këngë janë harruar, nuk këndohen më, i ka mbuluar
moskujtesa.
Sa
shpejt harrojmë si peshku.
Kur
i kujtojë burgjet turke, me bie ndërmend një seri dokumentare turke, që rrëfen
për tërheqjen e turpshme të ushtrisë turke nga Gadishulli Ilirik, duke lënë
prapa tym e flakë. Për ironi ushtria turke tokat shqiptare i kishte djeg, duke
ua lënë ushtrisë mizore serbe, burrat i kishin vra apo i tërhiqnin zvarrë nëpër
Selanik e Edrene me pranga të lidhur duar e këmbë. Ishte viti 1913 kur
Perandoria turke po shpartallohej. Nuk kishte asnjë logjikë pse i tërhiqnin
zvarrë shqiptarët, as pse i dërgonin në burgje, pos shpirtit mizor otoman, që
donte të hakmerrej ndaj kryengritësve
shqiptarë. Ndërkaq, i trajtonin më keq së skllevërit. Sa e trishtueshme dhe e
dhimbshme, sa mizori janë bërë ndaj nesh, ndërsa ne i kemi harruara, apo me
këmbënguljen e mushkut nuk duam t’i kujtojmë. Ra fatkeqësia e pastorit amerikan
dhe na e kujton të kaluarën. Sa shumë hoqi populli ynë, sa pak miq patëm që të
nxjerr mijëra të burgosur shqiptarë nga burgjet turke, ndërsa do të shpëtonin
mijëra jetë.
Pastori
amerikan, për vuajtët e veta e dhunën e burgjeve turke, shkroi librin “God’s
hostage” që u botua në 17 milion copë. Sa libra shkruam ne për burgjet turke,
ku vuajtën dhe vdiqën mijëra shqiptarë?