Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Martirët Flori dhe Lauri
E merkure, 19.08.2020, 06:11 PM
Martirët Flori dhe Lauri
Nga
Gani Mehmetaj
Ulpiana
nuk ka vetëm rrëfime për princër e princesha, për amfiteatrin antik, për
aktorët me maska, për aristokracinë e kamur që bënte jetë luksi. Nga Ulpiana u
shpërnda rrëfimi i trishtë për vuajtjet e flijimin e dy martirëve vendës, që i
vranë, sepse e përhapnin fenë e krishterë. Bëmat e tyre pastaj morën dheun, u
përhapën në Gadishullin Ilirik e më tutje.
Sipas
kronikave, sundimtari i qytetit i kapi dy përhapësit e fesë së re, i arrestoi,
i urdhëroi të hiqnin dorë nga feja e tyre që të shpëtonin jetën, por ata nuk
pranuan me asnjë çmim të mohonin asgjë. Dy fatkëqijtë quheshin Flori dhe Lauri.
Thuhet se i ekzekutuan publikisht, nën akuzën se e përhapnin një fe të panjohur
e të huaj për vendësit, se mohonin perënditë romake e ilire, madje i akuzuan se
i kanë përdhosur shtatoret e hyjnive në Ulpianë. Sheshi i qytetit të Ulpianës u
bë gjykatore. Turma qëndroi në heshtje një kohë të gjatë derisa bëhej gjyqi.
Sikur nuk u besonte prokurorëve. Megjithatë, turma e tumiri vrasjen e Florit e
Laurit. Më vonë u penduan. Në qytet shpërthyen pakënaqësitë, por nuk pati
trazira të përgjakshme. Banorët pëshpëritnin se vrasja e tyre ishte e
panevojshme.
"Pse
sundimtarët tanë duhej t'u shkonim për shtat romakëve që u treguan mizorë ndaj
hyjnive ilire?", - pyesnin me pëshpërima më të guximshmit. Sundimtari i
qytetit që të mos kishte trazira i dëboi jashtë mureve të kështjellës
mbështetësit e dy martirëve të krishterë. Shumë dardanë u shkonin prapa, i
dëgjonin predikimet e tyre, disa u pagëzuan në përroskën afër qytetit nga një
burrë me mjekër të gjatë. Pagëzimet ndiqeshin me kërshëri nga muret e
kështjellës.
Arkeologu
H. Mehmetaj, që ka hulumtuar disa vjet në këtë qytet dhe që ka nxjerrë
artefakte me vlerë nga parahistoria e antika, për shenjtorët shkruan: "Në
mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori
dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit".
Dy
shekuj më vonë, për ironi, Ulpiana u bë seli ipeshkvnore, ku u zhvilluan
ngjarje dramatike në lëvizjet e krishterimit, madje u bënë luftëra të
përgjakshme për njërën apo dogmën tjetër. Në Koncilin e Sardikës (343) është i
njohur edhe emri i ipeshkvit nga ky qytet, që në aktet e këtij koncili njihet
me emrin Mecedonius a Dardania de Ulpianis, shkruan Gjon Berisha, duke iu
referuar E. Hoxhajt.
Sipas
Berishës, Ipeshkvi i Ulpianës luajti rol të rëndësishëm në fërkimet fetare që u
bënë në kohën e Justinianit. Kështu, Prokopi njoftonte se konflikti fetar në
Ulpianë ishte i lidhur me mospajtimet për Tre kapitujt. Madje Ulpiana paraqitej
si qendër kryengritëse, ndërsa u dërguan ushtarë që ta qetësonin.
Nga
libri: "Qytetet e Ilirisë"