Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Shqiponjat dhe delet
E shtune, 23.05.2020, 01:43 PM
Shqiponjat dhe delet
Nga
Gani Mehmetaj
Shqiponjën
e kemi totem, simbol kombëtar. Por nuk kemi ngjashmëri dhe as gjëra të
përbashkëta me totemin tonë. Ne flamur e kemi vënë që t'ia kujtojmë vetës kush
ishim dhe kush duhej të jemi, por kjo më shpesh na kthehet bumerang, sepse na e
kujton gjendjen në të cilën kemi rënë, pra kush nuk duhej të ishim. Shqiponja e
zotëron dhe e mbron hapësirën e vet, rrëmben e mbërthen, ndërsa ne nuk jemi zot
të hapësirave tona, nuk mbrojtëm tokat tona. Dy të tretat e territorit kombëtar
na i pushtuan armiqtë. Rrallë jemi sjell
sipas totemit tonë, megjithëse kishim periudha të lavdishme, kur shkëlqyem dhe
e mrekulluam botën. Por kishim periudha kur u sollëm si dele, madje vrapuam si
delet pas ujkut, edhe pse ai na shqyente. Shpëtimtarit ia kthyem shpinën,
armikun e bëmë mik e vëlla, e futëm në shtëpi dhe ai po na çnderon.
Ta
kujtosh kur ishe shqiponjë dhe të kuptosh se sillesh si dele, është
dëshpëruese. Ta kujtosh Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe të ballafaqohesh çdo
ditë me nga një bastard (kopil) të Ballaban Pashës, është të vajtosh grarishte.
Të kujtosh gjithë ata burra të mençur dhe trima, që i kishim dikur, dhe të te
udhëheqin një grusht horrash, të paditurish, frikacakësh e qyqarë, është kulmi
i katandisje morale e kombëtare. Vetëm nën okupim ishim më keq, por nën okupim
kishim shpresa se do të çliroheshim, tash shpresat na i kanë vra.
Haxhi
Qamili ishte emër që paraqiste turpin kombëtar dhe tradhtinë ndaj atdheut. Sot
Haxhi Qamilat na e kthyen ish pushtuesin, janë në kreun e shtetit e të partive
politike dhe askujt nuk i bëjnë përshtypje. Të jesh Haxhi Qamil sot nuk është
turp.
Sundimtarët
bastardë na e zvetënuan kombin dhe atdheun, na e nxinë të ardhmen, nuk kemi
shpresa as energji t'i kundërvihemi të keqes, dalëngadalë dhe në mënyrë të
pahetueshme po misherohemi me të shëmtuarën, po e marrim model horrin,
batakçiun, vrasësin, frikacakun e zhvatësin, po e imitojmë majmunin, po
shkëputemi nga boshti ynë dhe po ikim nga kontinenti. Vlerat kombëtare e morali
qytetar po zvetënohet. Nuk mburremi më që jemi shqiptarë, sikur po turpërohemi
për përkatësinë kombëtare.
Kur
silleshim sipas totemit tonë, shqiponjës, bota na çmonte, kur sillemi si dele,
bota nuk na çmon, as nuk na ndihmon. Na trajton si dele që nuk meritojmë fat më
të mirë.
Totemin
tonë - shqiponjën e kemi harruar. Edhe ndonjë ditë flamurin kombëtar do të na e
ndryshojnë, bustin e Gjergj Kastriotit e kanë hequr nga të gjitha institucionet
shtetërore.
Totemi
ynë shqiponja në Shqipëri e në Dardani është në rrezik zhdukje, shqiptarët po
ashtu janë në rrezik shuarje.