Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Për 20 vjet shqiptarët ndërtuan 1000 xhami dhe 0 teatër!
E hene, 18.05.2020, 10:08 PM
Për njëzetë vjet shqiptarët ndërtuan 800 - 1000 xhami dhe, asnjë teatër!
Nga
Gani Mehmetaj
Në
Dardani dhe në Shqipëri janë ndërtuar 800-1000
xhami vehabiste, salafiste, dianetiste, të dreqit e të birit, por nuk e
ndërtuan asnjë teatër apo sallë koncertesh.
Vetëm
në xhaminë e Edi Ramës, në qendër të Tiranës, ndërtuar nga Erdogani e Dianeti,
janë shpenzuar, ose janë shpërdoruar 40 milion euro. Është xhamia më e madhe në
Gadishull. Po aq euro pritet të shpërdorohen e të shpenzohen për xhaminë në
Prishtinë, "dhuratë" e Dianetit turk dhe Erdoganit.
Lejet
për ndërtimin e xhamive jepen me aq lehtësi dhe me aq papërgjegjësi sa të
skandalizojnë, sepse jepet ryshfet i madh,
por nuk jepen leje për salla koncertesh dhe për teatro, edhe kur ka
gatishmëri nga sponsorë evropianë.
Shumica
e lagjeve dhe katundeve të Dardanisë nuk kanë ambulanca, kopshte e kënde
lojërash për fëmijë, nuk kanë shkolla fillore, ndërsa ngre kokën lartë në qiell
një ose dy xhami, ku janë shpenzuar disa milion euro. Shumica e qyteteve dhe
kryeqyteti kanë mungesë spitalesh, spitalet janë të vjetruara, por qyteteve nuk
u mungojnë xhamitë me dy-tri minare me çmime dhjetëra milion euro. E njëjta
gjendje është edhe në Shqipëri, nëse jo më keq.
Supozohet
se në njëzetë vjeteshin e fundit janë shpenzuar mbi 2 miliardë dollarë në
ndërtimin e xhamive, hamendësohet se mbi dy miliardë dollarë janë dhënë për
rekrutimin (blerjen) e besimtarëve myslimanë e të qeveritarëve, kështu që edhe
qeveritarët ateistë të thekur nisën të agjërojnë, dikush shkonte haxhi, ose
gënjenin se po agjërojnë, nisën të bëhen servilë të shteteve islamike dhe
shoqatave të dyshimta.
E
dini se rinovimi i teatrove dhe i sallave të kinemave (me ndonjë përjashtim)
është bërë me paratë e taksapaguesve euro-amerikanë? E dini se pajimet për spitalet
tona janë blerë me paratë e taksapaguesve euro-amerikanë?
Më
të ndërgjegjshëm dhe më të kulturuar ishin komunistët e Dardanisë, që mos u
kthefshin kurrë, (niveli intelektualë i kastës së sotme politike është shumë më
i ulët), sepse ndonjëherë e dëgjonin fjalën e atyre që dinin dhe që kishin
kulturë. Sallat e teatrove, kinemave dhe salla koncertesh janë ndërtuar para
t50- 60 vjetësh, pra në kohën e tyre, salla të reja nuk ka.
Por
kemi numrin më të madh të xhamive se sa në Turqi dhe Egjipt, sipas përqindjes
së popullatës. Kemi më shumë xhami se sa i tërë Gadishulli ynë së bashku.
Dardania dhe Shqipëria janë shtetet më të varfra në Evropë, por i kanë xhamitë
më të kushtueshme. Me numrin e teatrove jemi të fundit në Evropë dhe në
Gadishull, mund të krahasohemi me shtetet e varfra të Afrikës.
Nuk
e kemi asnjë teatër që i plotëson kushtet për shfaqje të rregullt, ashtu
sikurse nuk e kemi asnjë sallë koncerti.
Në
mungesë sallash koncertet dhe festivalet ndërkombëtare të muzikës mbahen në
kishën e Shna'Ndout dhe në katedralen "Shenjtorja Terezë". Me salla
teatri e salla koncerti, me spitale e ambulanca na e kalojnë disa herë Serbia,
Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Vojvodina, por nuk na e kalojnë të
gjitha së bashku me numrin e xhamive.
Ku
po vete shoqëria jonë e xhamive, mesjetës shkretinore dhe e klikës sunduese të
korrupsionit të skajshëm.
Pamje
nga Prishtina, kryeqytet i Dardanisë