Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Shqiptarët e shkretë, kalorës të islamit
E shtune, 04.06.2022, 07:56 PM
Shqiptarët e shkretë, kalorës të islamit
Nga
Gani Mehmetaj
Nuk
e kuptoj pse një kategori shqiptarësh dalin në mbrojtje të islamit pa ua bërë
zoti me borxh. Pse e marrin kambanën e ogiçit, ndërsa sillen si dele. Nuk e
arsyetoj mllefin e zemërimin e tyre, sikur të ishin bijtë e sheikëve të
Arabisë, që u rrezikohet nafta, ndërsa janë katundarë të Llapit, Gollakut a të
Rrafshit të Dukagjinit, që s’kanë lesh mbi vesh.
Nuk
e drejtuan asnjë kritik kundër serbëve që na bënë të këqija me thes, nuk
shprehen asnjë mllef sa për sy e faqe kundër turqve që gati na shfarosën.
Serbin e turkun nuk e zënë në gojë. Armiqësinë e mllefin e kanë më
bashkëkombësit. Si ta përmendesh islamin e devijuar, nisin e të akuzojnë.
Një
situatë absurdi. Pse ia varin vetes në qafë barrën që nuk u takon? Janë një
miliardë myslimanë të të gjitha racave, janë treqind milion arab myslimanë, që
e përhapën islamin me gjak e më zjarr. Atyre u bie barra ta mbrojnë islamin,
nëse e vlerësojnë që është i rrezikuar. Por të dalin shqiptarët e shkretë në
mbrojtje të islamit, përderisa hallet e vështirësitë ua kanë mbuluar veshët,
është marrëzi.
Kombit
të ndarë në pesë shtete asnjëri nga kalorësit donkishot të islamit nuk ia qajnë
hallin. Luftojnë kundër mullinjve të erës.Sa më të shtypur që janë shqiptarët
aq më shumë luftojnë për fe, duke e shpërfillur kombin, të drejtat kombëtare . Serbët e sllavët e Maqedonisë i
nxijnë muret e qyteteve me parulla ogurzezë “Vdekje shqiptarëve”, shqiptarët e
mjerë çirren poshtë islamofobët. Shovinistët ua rrezikojnë kombin, shqiptarët
lëshojnë kushtrimin për fenë, megjithëse e dinë që fenë islame nuk ua rrezikon,
nuk ua merr dhe nuk ua lakmon askush.
I
kuptoj, por nuk i arsyetoj armatën e shqiptarëve të shitur që e mbrojnë
islamin. Por prapë skandalizohem: si është e mundur që për një grusht parash e
rrezikojnë të ardhmen e kombit, të ardhmen e fëmijëve të tyre? Zot ruana nga
ta, se nga Serbia na mbrojnë amerikanët.
dardaniapress.com