| E marte, 10.10.2023, 07:55 PM |
Kushëriri Zeqo në luftën izraelito-arabe me uniformë jugosllave
Fragment
romani
Nga
Gani Mehmetaj
-Vjen
era luftë, - u pëshpërit në lagje. Disa gëzoheshin. Sa herë
kriste
lufta, i shihnin thembrat e kolonëve që ia mbathnin nga sytë këmbët.
-Lufta
sjell gjak e vorre,- nisi të tregonte për luftërat që i mbante në mend Zoja e
Lleshit.
Plakat
me rrëfimet e tyre të zymta sikur e ndillnin luftën. Bota e madhe prapë ishte
trazuar. Diku bëhej luftë, kumtoi një lajm. “Arabët e kishin sulmuar Izraelin”,
thanë me pëshpërime. Radioja zyrtare e përgënjeshtronte këtë thashethemnaje:
Izraeli e kishte sulmuar Egjiptin a arabët, që për njerëzit ishte e njëjta gjë.
Spikeri fliste me entuziazëm se si ushtria arabe po korrte fitore.
Lufta
në mes tyre nuk ishte e re, por risi ishte zhdukja e kushëririt Zeqo, ushtar i
jugosllavit. “Humbi në shkretëtirat arabe si kokrra e kripës në det”, u përhap
fjala në lagje. Para gjashtë muajsh Zeqo shkoi ushtar në Split të Dalmacisë.
Pastaj e dërguan në mision paqeruajtës në Sinaj, në mes të Egjiptit dhe
Izraelit. Letra nuk dërgonte, me telefon s'kishte ku të thërriste. Pak kush e
kujtonte. Por kur plasi lufta izraelite-arabe, një luftë e egër, e furishme me
viktima, familja u shqetësuan. Ku të pyesnin s'kishin. Kujt t'i drejtoheshin
nuk e dinin. Një kohë nuk u dëgjua fare për te. Dikush tha se u vra. Të tjerët
thoshin se e zunë rob, kurse të tretët se e përpiu shkretëtira. Flitej se kur
niste të frynte stuhia shkretinore, njerëz dhe deve, madje edhe batalione të
tëra i përpinte rëra.
Lufta
në mes dy shteteve të armiqësuara vazhdonte me furi. Për asgjë tjetër nuk
flitej. I lanë anash punët tjera, u bënë si tifozët e sportit. Anonin sa nga
Egjipti sa nga Izraeli. Shteti e mbante anën e arabëve. Televizioni jepte
sukseset e ushtrisë egjiptiane. Tregonin se ushtarët paqeruajtës rrinin në
zonën neutrale. Por kur nisen luftimet, u shprish zona neutrale, askush nuk i
përfillte vijat kufitare, rrezik që forcat paqeruajtëse të vriteshin nga të dy
palët.
Ishin
mbledhur burra e gra që të dëgjonin sa më shumë detaje. Lajmet dëgjoheshin
shkurt. Debatet zgjasnin deri natën vonë. Gjinin e kote gjumi duke imagjinuar
luftimet, shkretëtirën e Sinajit, stuhinë që frynte dhe që i mbulonte ushtarët
në një shtjellë të madhe. Ushtarët ishin atje, luftonin me stuhinë, luftonin me
arabët, sepse dikush tha se i nxorën në territorin arab, pastaj zbytheshin,
duke iu shmangur plumbave e artilerisë. Aeroplanët izraelitë e egjiptianë
thuhej se u fluturonin mbi kokë. Po t'u
binte ndonjë bombë qorre?
Të
nesërmen vazhduan bisedat për luftën. Flitej
se ushtarët shqiptarë shteti jugosllavë i dërgoi atje, sepse ishin pa
dhimbtë.
-Shkoi
nizam Zeqa- fliste gjyshja. Dhe niste të këndonte këngë të zvargura për nizamët
si të vajtonte vdekjen e dikujt.
-Kuku,
arabët të therin në gjumë, -ia priste Zoja e Lleshit.
-Kurrë
s'ju ç' kapë gazepi burrave tonë, -ia priste gjyshja. -Herë nizamë të turkut,
herë asqerë të Kralit, herë ushtarë të Titës, -i numëronte ushtritë e huaja
gjyshja.
-
Pa dhimbtë i kanë djemtë tonë. - e mbështeste Zoja e Lleshit.
-Thuj
mirë që nuk i vrasin mbas shpine, se serbiani mbas shpine të vret, - e nxirrte
mllefin ajo.
Ajo
ende i kujtonte martirët e Bishtazhinit, që i vrau ushtria e Kralit, shtatë
ditë pasi e bombardoi Gjermania naziste Beogradin. Për hakmarrje ushtria jugosllave
vrau 72 shqiptarë të katundit të Bishtazhinit dhe të katundeve të tjera të
Gjakovës, që të nxirrnin inatin e Gjermanisë së Hitlerit, që ua bombardoi
kryeqytetin. Pritej që Italia të thyente kufirin dhe të futej nga Tropoja në
Gjakovë, prandaj ushtarët jugosllavë nxituan të hakmerreshin ndaj shqiptarëve,
kur s’kishin ç’t’i bënin Gjermanisë a Italisë.
-
Vranë ushtria jugosllave shqiptarë katolikë tri ditë rresht, t'Premten e Madhe
të Pashkëve, t'shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dillën e Pashkëve të Ngjalljes
së Krishtit, - rrëfente me pikëllim Zoja e Lleshit.
Pastaj
nisnin të numëronin vrasjet e tjera. E harruan Zeqën që ishte zhdukur në
shkretëtirat e Sinajit.
Nxënësit
e shkollave fillore dhe të mesme dolën në demonstrata, në mbështetje të
arabëve. Grupi i të rinjve serbë e malazezë, endeshin rrugëve me pankarta
“Tito-Naser”.
“Tito
e do Naserin, e kishte aleat”, tregonin ata që e kuptonin politikën. Në mbrëmje
nisnin komentet ndryshe:
-Një
grusht izraelitësh munden miliona arabë? Janë atdhetarë këta bijtë e Moisiut,
vijnë nga anë e anës për të luftuar, -fliste Bardhi.
Dikush
e kujtonte sa shumë kishin hequr gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pastaj
qe përhapur një rrëfim që të linte pa mend. Një ushtare izraelite, u fut në
xhami, i zu duke u falur ushtarët arabë, që i kishin lënë armët të dera dhe i
vrau, pa u dhënë mundësi të mbaronin namazin dhe as të kapnin armët. Dhe
Bardhi, në vend të bashkëjetonin me fundin tragjik të ushtarëve arabë, sepse
shteti i kishte aleatë, i ironizonin: "falnu, ju, falnu, se Zoti ju
ndihmon!".
Kushëriri
Zeqo, ushtar i Titos, prapë u harrua. Në lagje nuk fliste më njeri për te.
S'dihej, është gjallë apo ka vdekur? Paqartësia vazhdoi për disa javë a muaj me
radhë. Nëna e tij interesohej, pyeste e nuk merrte përgjigje. Qyteti e ktheu
interesimin nga fati i luftës. Kush do të fitonte: Izraeli a Egjipti? Animet
ishin si në fushën e futbollit. Kaluan javë, derisa u qartësuan gjërat për
fatin e luftës dhe për fatin e Zeqos.
"Ushtarët
tonë janë shëndosh e mirë", -erdhi lajmi nga shkretëtira e Sinajit.
Ushtria suedeze që ishte e pajisur me teknologji të lartë, lajmëroi për fatin e
ushtarëve. Kishin kaluar vijën e luftës, i kishin grumbulluar në limanin Jafa
të Izraelit dhe do t'i nisnin së shpejti në vend", -vinte lajmi i vonuar.
Dikush
tjetër lajmëroi se edhe kur të ktheheshin, do t'i mbanin në karantinë. Druanin
se mos kanë sjell ndonjë sëmundje të tmerrshme. Atje nga vinin kishte sëmundje
që s' t'i kapte mendja. Gjyshja thoshte se nizamët gjithnjë sillnin sëmundje,
që mezi i hiqnin qafe.
-Shumë
nizamë, nuk u kthyen, -tregonte ajo. Gjyshja mbante në mend kur Perandoria
turke rekrutonte me dhunë shqiptarë dhe i dërgonin nizamë në Arabi, ku
treteshin në rërë.
-Ua
hangri kryet shkretina, që mos koftë! -mallkonte Zoja e Lleshit.