E shtune, 20.04.2024, 03:47 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Lëngaraqët e zvjerdhur (Viti 1789 pas Krishtit)

E hene, 24.04.2023, 07:56 PM


Lëngaraqët e zvjerdhur (Viti 1789 pas Krishtit)

Nga Gani Mehmetaj

“Një  lukuni qensh i  dërguan në Anadoll. Prapë i kthyen në Arbëri. Askush nuk e mori vesh pse i morën dhe pse i kthyen. Por, ajo që ra në sy, ishte sjellja e çuditshme e qenve. Nga  qentë e sertë të bjeshkëve u bënë ca përdredhaçë –çakej, të cilët kur duhej të lehnin hungërinin e të ngjethnin. Sulmonin egërsisht vendësit e pafuqishëm, ulnin bishtin para atyre me shkop në dorë.  U bënë qen rrugësh. Lehjes së tyre i druanin të gjithë, vajtimi i qenve sjell kob, thoshin pleqtë.

Nuk e zbërtheja çfarë eksperimentonin, kur më erdhi thashethemnaja tjetër. Flitej për kurbatka, për gra të paburra që endeshin nëpër Arbëri, qisnin fall, parashikonin të ardhmen, por më shumë shkreptinin xixa nga sytë, epshi u shpërthente nga çdo pore e trupit.

Tundimi i mishit do t’i zvetënonte banorët e Arbërisë. Më të luhatshmit e lapërdharët nuk u bënin ballë. Nuk vonoi kur nëpër rrugë të qytetit nisën të ecnin këmbëzbathur fëmijë ezmerë që flisnin gjuhën tonë, ndërsa shërbenin nëpër shtëpi të kamurish. Disa prej tyre i lyenin buzët me të kuq grash, ecnin si femra, megjithëse djem ishin. Disa burra u martuan me kurbatkat për tmerrin e familjeve që ua bënë gjëmën në të gjallë. Nëpër mejhane këndoheshin këngë të trishta e të zvargura  nga burrat-gra. Deledash.

“Çfarë u duhen këto gra, azere, kirgize, armene, turkmene, kurde, të cilave osmanët ua kishin vrarë burrat, ua kishin djegur vatrat? ”, pyesnin burrat që shihnin zvetënim. Një ditë do t’u duhen, dyshonte tjetri. Ai kishte punuar një kohë të gjatë prapa hijeve, ku e ka vështirë të depërtojë njeriu i vdekshëm.

Dikush tha se në viset e grave fatkeqe qe përhapur murtaja, prandaj gratë me fëmijë ia mbathën kah sytë këmbët. Të  tjerët e kundërshtuan. Në atdheun e tyre shpërtheu një kryengritje e madhe kundër sulltanit. Luftën e humbën. Ata që mbetën gjallë ua mësynë tokave të Arbërisë. Dalëngadalë nisën ta mësojnë gjuhën tonë, madje nisën ta harrojnë  gjuhën e vet. Por një theks i rëndë me nyjat që i kapërdinin u bë e folmja e tyre karakteristike.

Kthimi i nizamëve i tmerroi fare. Nga ushtarë të sertë, dikur,  dukeshin lëngaraqë të zvjerdhur. Flisnin jerm, pëshpëritnin vazhdimisht. Flisnin gjuhë të ngatërruar, me lutje arabe që mbizotëronte në fjalorin e tyre. Por kur u flisje arbërisht,  ata ta kthenin arbërisht, madje me një dhimbje e mall të papërshkruar. Atëherë njerëzit donin t’i tfillonin, t’ua tregonin rrugën, prandaj më parë i  pyesnin: nga jeni? Ku shkoni? Ata u përgjigjeshin nga Erzerumi, Adanaja e më larg Alepi, Meka, Medina. Ata e ngatërronin vendlindjen me vendet ku luftuan. Hijet e vdekjes e të vdekurve i ndiqnin prapa.  Pamja e nizamëve i tradhtonte me flokët e zbërdhulura. Prandaj askush nuk u besonte se vinin nga dy shkretëtirat: Anadolli e Sahara. Pastaj sesi ecnin këmbëhapur. “I paskan tredhur”, tha dikush.

“Jo, i paskan tredhur në tru”, ia priti tjetri. Dikur nizamët e tredhur në tru e në mes këmbëve, nuk të flisnin fare arbërisht, nisnin e mbanin fjalime në gjuhë orientale, mallkonin, kërcënonin me gishtin që e mbanin pingul si të donin të ta ngulnin në sy.  Dikujt ia jepnin munxën. Bëheshin  të dhunshëm, asnjë fjalë nuk ua merrje vesh, pos “kaur”,” xhahil”,” qafir”. Luteshin duke u luhatur poshtë-lart si ta kishin sëmundjen  e tokës. Nga fundi nisnin e shkumëzonin si qentë e çartur. Gishtin tregues, të cilin s’dije se ku do ta fusnin, e mbanin kërcënueshëm.

Sa herë i kujtoja këto pamje të dhimbshme në tokat e pushtuara më mbërthente angështia. Gjumi i pushtimit ishte gjumë i frikshëm, gjumë i vdekjes, të mbërthente e nuk të lëshonte. Është si tymi i hashashit, të futë në ëndërr me sy hapur, ndërkohë të ka hëngër djalli, ke marrë rrokullimën. Shumë popuj të robëruar mësoheshin me robërinë sikur i sëmuri me sëmundjen, nuk ndërmerrnin asgjë dhe një ditë shuheshin, vdisnin pa e kuptuar.

Shumë popuj vdiqën nën sundim. Kombe të tjera u njëjtësuan me pushtuesin, jetonin e vdisnin për lavdinë e tij, bëmat e pushtuesit bëheshin bëmat e tyre. Dikur nisnin e mburreshin për pushtimet e mujsharit, mburreshin që janë pjellë e përdhunimit, e  martesave të dhunshme, e krushqive të kushtëzuara me jetë a vdekje. Silleshin e flisnin si ata, imitonin me servilizëm  zotërinë e tyre,  e mbronin me zjarr krimin e pushtuesve, flisnin në emër e për llogari të tyre.

Zot na ruaj nga kjo mynxyrë!, lutesha pa pushim. Mos na shuaj me kaq lemeri!”

Atë Sopi pastaj shkruante për një goditje në periferinë e Shqipërisë nga ushtria turke. Ende nuk dihej numri i të vrarëve. Lajmet vinin të turbullta, të pasigurta e të ngatërruara.

Kafkat e kufomave po i murosnin në një kullë të tmerrit, raportonte i lemerisur frati françeskan. Më duhej të hulumtoja për këtë masakër, sigurisht frati e kishte vazhdimin e raportit...

P.S.

Këtu përfundonin shënimet e fratit françeskan, atë Gjergjit, pa asnjë porosi, sikur të qe ndërprerë nga një forcë apo sikur ta ndiente një rrezik.

E lashë notesin e shënimeve mbi komodinë, i palosa dokumentet ashtu si kishin qenë dhe rashë në gjumë të thellë si të fundosesha në një greminë të pafund, por pa frikë e pa dhimbje. Më duket se nisi të zbardhej, derisa mua ma regjistroi syri refleksionin e dritës që depërtonte në frëngjinë e ngushtë të qelës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora