Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Pse i bëjmë të vuajnë fëmijët tanë më emra arab?
E marte, 11.10.2022, 08:00 PM
Pse i bëjmë të vuajnë fëmijët tanë më emra arab?
Nga
Gani Mehmetaj
Në
Sheshin Nëna Terezë, në Prishtinë nëna e re me shami arabe në kokë, i drejtohej
shqip çunit të vet: “Muhamet, hajde këtu”. E pashë me habi çunin me veshje
moderne, kisha menduar që ky emër u shua para 50 vjetësh. Nëna re e çuni më
dolën nga pikëvështrimi, por me mbeti shija e hidhur e një kthimi decenie
prapa. Në kohën e sotme kur pjesa dërmuese e fëmijëve tanë pagëzohen me emra
shqiptarë, apo perëndimor, emrat turk e arab, mbetje e mendësisë skllavëruese
të pushtuesit mizor, i ndeshim tepër rrallë. Disa thonë se po shpeshtohen në
periferinë e varfër. Përkundër këtij fakti prapë janë të rrallë.
Më
ka rastisur që ndonjë studente a student me nofkat Meri, Zizi, Hani a Marjano,
kur i ftoja më listën zyrtare të fakultetit më dilnin Mejreme, Azize,
Hanumshahe a Muharrem. Si ua shqiptoja emrin, ndërsa kërkoja fytyrat, nisnin
qeshjet e studentëve të tjerë, përderisa Mejremja ngrihej më turp. “Ç’ka këtu
për t’u qeshur?”, u drejtohesha me rreptësi atyre që qeshnin, kurse
Meri-Mejremja me thoshte” profesor qeshin më emrin tim!” Nën buzëqeshjen e
shokëve niste të më rrëfehej: “Më kanë pagëzuar më emrin e gjyshes për ta
përtërirë. Por unë po e urrej këtë emër e jo gjyshen”. Vajza që e ndjente vetën
fatkeqe më tregonte edhe peripecitë e ndryshimit të emri në ofiqari. Tjetra
sikur të hapej Kutia e Pandorës druante se do të acarohej më prindër si ta
ndryshonte emrin nga Hanumshahe në Rita (sipas idhullit të saj Rita Ores) ,
megjithëse ishte këmbëngulëse se me t’u pavarësuar do ta ndryshonte emrin
patjetër.
Sipas
raporteve të gazetave e portaleve, në Kosovë mijëra djem e vajza, po edhe burra
e gra të moshës mesatare, e ndryshojnë emrin ose mbiemrin turk a arab më emra
shqiptarë apo perëndimor. Shtypi shkruante edhe për vështirësitë
administrative, madje edhe për ndonjë arrogancë primitive të ndonjë zyrtari
islamik si në Vushtri, bie fjala, që ua refuzonte ndryshimin e emrit e të
mbiemrit. Mirëpo, derisa ta ndryshojnë emrin arab e turk më ndonjë emër
shqiptar a perëndimor, këto vajza e djem vuajnë shumë, sepse i përqeshin në shkollën
fillore, tallen në shkollë të mesme, i nënçmojnë në fakultet. Ato kompleksohen
e stresohen tërë kohën. As kur nisin karrierën profesionale nuk kalojnë më
mirë. Janë të kompleksuara e të stresuara tërë jetën.
Vuajtjet
e situatat e pakëndshme do t’u shpeshtohen kur të nisin udhëtimet jashtë
shtetit nëpër aeroporte, dogana, pika policore etj. Këto peripeci i kam kaluar
qindra herë me emrin e mbiemrin tim beduin.
Emri
turk a arab nuk e shpreh mendësinë e shqiptarit. “Të dukem unë si arab”, me tha
i mllefosur një student imi me mbiemrin arab. “Jo” i thashë, “por ka ilaç edhe
për këtë”, u përpoqa t’ia sugjeroja ilaçin që ta shëronte mllefin. Më vonë
mësova se ai e shqiptarizoi mbiemrin.
Disa
herë më ka rastisur edhe në shtetet arabe që të skandalizohen kur ma shqiptonin
emrin tim beduin e mbiemrin anadollak. “Por ti nuk je si ne. Pse e ke emrin
tonë”, me thoshin jo një herë. Asnjëherë nuk arrija t’ua sqaroja si duhet,
sepse prapë nuk më kuptonin. Nuk dija t’i sqaroja marrëzitë e prindërve tanë më
këto pagëzime të çoroditura, megjithëse shumë nga bashkëmoshatarët e mi, shokë
të shkollës fillore kishin emra shqiptar: Arbnor, Dukagjin, Dardan apo Ilir.