Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kur Rugova ishte në Strasburg
E premte, 16.06.2023, 08:56 PM
Kur
Rugova ishte në Strasburg
Nga
Gani Mehmetaj
Njerëzit
erdhen nga Osloja e Stokholmi, nga Parisi e Londra, që të ndiqnin ceremoninë e
marrjes së çmimit "Saharov".
Me
Shaip Latifin, veprimtar i LDK-së në Zvicër e Valdet Avdiun, vendosëm të
shkonim në Strasburg, ku do të vinte presidenti Ibrahim Rugova në ceremoninë e
dhënies së çmimit “Saharov”. Në gazetën “Rilindja”-botimi për Perëndim,
ngjarjen e dhamë me mjaft pompë. U nisëm herët me makinë, që të arrinim me kohë
në sallën ku do të bëhej ceremonia. Pas formaliteteve u futëm brenda, ku takuam
qindra shqiptarë, të cilët erdhën për të njëjtin qëllim, të shihnin idhullin e
tyre dhe të merrnin pjesë në një ngjarje me rëndësi. Hapësira evropiane nuk
ishte e vogël, megjithatë njerëzit vinin nga Osloja e Stokholmi, nga Parisi e
Londra, që të mos i përmendim qytetet gjermane apo ato zvicerane, të cilat nuk
e patën larg Strasburgun. Kishte edhe shumë veprimtarë të LDK-së.
Nuk
me kujtohet të ketë qenë ndonjë kamerë e Televizionit Shqiptar, apo e redaksisë
së Kosovës pranë RTSH-së, përderisa dhjetëra kamera të tjera ishin të
pranishme. Arsyeja duhej të qe, sepse RTSH-ja, redaksia e Kosovës, financohej
nga Qeveria në ekzil, e cila tash sa kohë mbante marrëdhënie të acaruara me
Presidencën. Thuhej se Qeveria ua ndërpreu financat Presidencës e LDK-së, pra
nuk financohej asnjë aktivitet në Prishtinë, përderisa paratë derdheshin në
Fondin e Qeverisë kryekëput nga simpatizuesit e LDK-së. Mbretëronte situatë
absurdi që di të ndodhë vetëm ndër ne, sidomos këtij absurdi i printe
fatkeqësia kur presidenti rrinte me seli në Prishtinë, kurse kryeministri në
ekzil, kështu që në mes i ndante një bjeshkë pengesash, një armatë
shushuritësish, të cilët i pëshpëritnin njërës palë dhe tjetrës, sipas
interesave personale.
Por
sido që të ishte, këto raporte do t’i hakmerren shumë Kosovës, sepse nuk kishte
koordinim as për paqe dhe më vonë as për luftë, nuk kishte bashkërendim të
veprimeve. Këtë raport e mendoja gjatë gjithë kohës, derisa bënim rrugë drejt
Strasburgut. Me këto acarime
përballeshim çdo ditë: ne e shpallnim në gazetë xhirollogarinë e Qeverisë, ku
mund të jepnin kontributet e tyre shqiptarët që jetonin në Perëndim, ato para
pastaj nuk shpërndaheshin si duhet në Kosovë. Këto acarime manifestoheshin edhe
në mes të simpatizuesve të LDK-së, e
vetmja parti që bënte punë në terren dhe organizoi shqiptarët në
Perëndim si kurrë më parë. Partitë e tjera të vogla e të zhurmshme, që kishin
anëtarësi sa një autobus ndërurban, nuk funksiononin, as nuk bënin asgjë, pos
që e kritikonin Rugovën dhe e vajtonin situatën. Shpesh hidhnin në opinion
opsione absurde qesharake e të dëmshme.
Derisa
ne prisnim në një sallë, i jepej dikujt nga Indokina një çmim. Edhe në Indokinë
pati trazira e diktaturë si në
Gadishullin Ilirik, edhe atje kishte liderë që përpiqeshin të nxirrnin popullin
e tyre nga bataku.
Rugova
me përcjellësit e vet erdhi në kohën e caktuar, u vendosëm në sallën ku duhej
të fillonte ceremonia. Të gjithë prisnin, sepse shtypi perëndimor e theksonte
se ky qe një çmim me rëndësi. Ajo që më bëri përshtypje qe ballafaqimi i Bujar
Bukoshit me Ibrahim Rugovën. Në këtë ballafaqim jo vetëm nuk pati kurtuazi, jo
vetëm që nuk u shpreh asnjë shenjë miqësie, megjithëse një partie i takonin,
por besoj më lehtë do të bisedonin me një të huaj. Secili prej tyre e nxori nga
një përshëndetje të ftohtë, akull, duke vazhduar secili në vendin e vet: Rugova
në skenë, ku e ndriçonin reflektorët e fortë, duke pritur të niste ceremonia e
shpalljes së çmimit “Saharov”, Bukoshi në karriget e shikuesve si qindra të
tjerë.
Disa
nga veprimtarët e LDK-së e rrethuan dhe e përgëzuan me eufori presidentin, por
prapë nuk më kujtohet ta ketë përgëzuar Bukoshi. Më që pas përfundimit të këtij
manifestimi secili shkoi në punën e vet. Rugova sigurisht pas takimeve të
ndryshme me politikanë europerëndimorë dhe me veprimtarët e degëve të LDK-së në
Gjermani, Belgjikë e Zvicër, do të kthehej në Prishtinë, ku dhuna ndaj
shqiptarëve ishte bukë e përditshme, kurse Bukoshi në selinë e Qeverisë në
shtetin gjerman.
U
ktheva në Cyrih, ku më prisnin punët e përditshme sa i entuziazmuar që Rugovës
iu dha një çmim me rëndësi, aq edhe i dëshpëruar me ato raporte të cilat se i
vërejtën edhe të tjerët, sepse gjatë
rrugës e në hollin e Pallatit të Strasburgut, i përfolëm gjatë.
Bota
e mbështeste politikën paqësore. Institucionet me peshë e burrështetasit me
emër e nderonin presidentin Rugova, kurse një grusht njerëzish përpiqeshin t’ia
impononin një koncept tjetër, por pa e pasur idenë se ku do t’i shihej fundi
asaj aventure me pasoja.
Në
çdo veprim ka plane të dyta e të treta, ata e shtronin vetëm një plan në mënyrë
kategorike, por gjithnjë duke thënë: pse nuk e bëni këtë e këtë, përderisa ata
nuk vepronin asgjë. Një grusht njerëzish
të gabuar në vendet e gabuara i jepnin të drejtë vetes të vepronin ashtu si
vepronin në mënyrë diletante e të dëmshme.
Rugova
m’u duk më i lodhur. Veprimtarët e LDK-së në mërgatë, megjithëse të
entuziazmuar me ardhjen e Rugovës, disi ishin të heshtur.