| E premte, 27.10.2023, 08:03 PM |
A
di Zoti shqip?
Vështrimi
historik
Nga
Gani Mehmetaj
Shën
Pali predikoi fjalën e Zotit deri në Iliri. “Prej Jerusalemit e përqark në
Ilirik e kam përhapur ungjillin e Krishtit”, shkruan në Bibël. (1. Besëlidhja e
Vjetër dhe Besëlidhja e re, Bibla, tek romaket 15, vargu 19, përktheu Dom Simon
Filipaj, Ferizaj 1994). Sigurisht duhet t’u jetë drejtuar besimtarëve të parë
ilirë në gjuhën e tyre, ose me ndihmën e përkthyesve. Ndryshe nuk do ta merrnin
vesh dhe nuk do ta dëgjonin.Shën Pali u strehua apo jetoi kohë më të shkurtër
në Durrës, njërin ndër qytetet më të mëdha të Ilirisë. Mësimet e Krishtit që u
përhapën në Iliri me frymën e re të barazisë në mes të njerëzve, ishin
edhe kundërvënie pushtimit romak. Feja
që e përhapnin apostujt dhe pasusit e tyre, ndiqej egërsisht nga romakët. Krahas ndjekjeve në Romë, ndjekja ndaj
lëvizjes së re fetare pati në tërë provincat e pushtuara.
Dardania
antike, krahinë e Ilirisë njeh martirizimin e dy shenjtorëve dardanë: Flori e
Lauri, (2. Gjon Berisha: Arbërorët
ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj
lindore(shek. XI-XIV), Prishtinë 2015, botoi Instituti i Historisë “Ali
Hadri” ). Ata ranë ndër të parët në themelet e fesë së krishterë. Këta ishin
martirët e parë të njohur të krishterimit në Dardani. Hamendësohet se varri i
tyre është në Ulpianën e sotme.
Në
vazhdimin e shekujve krishterimi u bë feja mbizotëruese në Iliri. Por historinë
e ilirëve e të Ilirisë e ndjekin fërkimet e çarjet që dolën në sipërfaqe në mes
të Kishës së Romës dhe Kishës së Konstantinopojës. Herë-herë këto fërkime, u
ndjenë mbi kurrizin e arbërorëve më shumë se askund tjetër në Evropë, sepse
nëpër territoret e tyre kalonte vija ndarëse, vija e Teodosit.
Krahas Bizantit që bënte trysni të vazhdueshme
mbi arbërorët katolik, ishin sundimtarët serb, të cilët ushtruan dhunë ndaj
popullatës arbërore që të ktheheshin në ortodoks pravosllav. Disa shekuj
karakterizohen më luftëra të ashpra në mes të arbërorëve e serbëve.
Priftërinjtë
serb “kryen veprime të ashpra, veçanërisht në krahinat e banuara me arbërorë
katolik, duke detyruar me dhunë banorët vendës të linin katolicizmin e të
përqafonin ritin ortodoks pravosllav“ (3. Gjon Berisha: Arbërorët ndërmjet
Kishës perëndimore dhe asaj lindore, faqe 421.)
Kishat
katolike në Arbëri, shpeshherë i shndërruan në kisha bizantine, ose në
xhami. Këtë praktikë e ndoqën serbët,
këtë praktikë e ndoqën më vonë edhe
pushtuesit osman, të cilët pjesën më të madhe të kishave katolike i bënë xhami,
ndërsa kishat bizantine në pjesën më të madhe nuk i preken.
Megjithëse
arbërorët për shkak të rrethanave të caktuara historike, kaluan nga feja
katolike në atë ortodokse, duke u kthyer sërish në katolicizëm, kur princërit e
Arbërisë mundën pushtuesit, feja katolike kohë të gjatë ishte mbizotëruese të
arbërorët.
Zoti
u foli arbërorëve në gjuhën e tyre edhe në mesjetë. Nga dëshmitë e mbetura të
gjuhës arbërore janë predikimet fetare dhe Formula e Pagëzimit. Shkollat në
gjuhën arbërorë janë të njohura gjatë historisë, ndërsa kryesisht ishin pranë
kishave katolike, përkatësisht pranë qendrave më të mëdha.
Me ardhjen dhe konsolidimin e hordhive turke
në principatat arbërore, fjala e Zotit në gjuhën e vendësve u predikua gjithnjë
e më me vështirësi. Pas fillimit të konvertimit të dhunshëm të arbërorëve në
fenë myslimane, Patrikanës së Stambollit, që ishte në shërbim të Sulltanit, osmanët
i dhanë detyrë të hiqte nga liturgjia gjuhën shqipe. Kështu, Kisha ortodokse
greke i ndalonte lutjet shqip, e mallkonte predikimin dhe i shkishëronte
priftërinjtë, që i drejtoheshin Perëndisë shqip nën juridiksionin e
ish-Perandorisë Bizantine, përkatësisht në zonën ortodokse. Pushtuesi otoman
përderisa i lejoi të gjitha gjuhët e popujve në perandori, gjuhën shqipe e
ndaloi, riti katolik praktikohej kryesisht në territoret që nuk i shkeli
pushtuesi. Gjuhën shqipe e besimin katolik e shpalli të jashtëligjshëm, ndërsa
priftërinjtë ndiqeshin e vriteshin. Megjithatë, predikimi fetar është mbajtur
në gjuhën e vendit, madje atëbotë priftërinjtë katolikë organizuan shkolla në
gjuhën shqipe.
Ndërkaq,
në kundërshtim me këtë, priftërinjtë grekë, por edhe ndonjë prift i shitur
shqiptar, që fliste e mendonte greqisht, predikonin sikur Zoti nuk di shqip,
ndërsa shqipja është gjuhë e qoftëlargut, e armikut të fesë. Në marrëveshje me
qeveritarët turq nga Stambolli niseshin priftërinjtë, duke i rënë trup e
tërthor Shqipërisë që të pengonin lutjet e predikimin në gjuhën shqipe.
Pjetër
Budi: Shkjenimi e muhametizmi i arbërorëve
Pjetur
Budi, njëri ndër personalitetet më të shquara të historisë e të kulturës
sonë, në letrën dërguar Vatikanit
shkruante: “... shumë ndër ta lëshojnë fenë katolike, disa i peshteten
shkjenimit, disa muhametizmit, sidomos nj’ata që gjithmonë e ma tepër se të
tjerët janë nën mizoritë osmane”. (4.
Pjeter Budi, Ipeshkvi i Sapes e i Sardës, Letër
në Romë me 15 t’shtatorit 1621).
Shumë
fise arbërore, ndër ta edhe fiset e Kuçit e të Piperit, përmenden si arbër
katolik, pra në kohën e Budit nuk i janë kthye shkjenimit. Shumë vjet më vonë
pjesa dërmuese e fiseve të përmendura nga presioni, i kthehen shkjenimit,
sikurse do të thoshte Budi.
Për
fenomenin e shkizmatizmit (shkjenimit) shkruan edhe Pjetur Bogdani në
relacionet që ia drejton Vatikanit, derisa ishte ipeshkëv në Shkup, por edhe më
vonë.
Në
Dardani, pjesë e Shqipërisë etnike, veziri i madh i Perandorisë Otomane, serbi
Mehmet Pashë Sokoloviq, caktoi të vëllanë, peshkop të Patrikanës së Pejës, duke
i dëbuar priftërinjtë ortodoksë arbëror, por edhe ata bizantinë, sipas
marrëveshjes me Sulltanin.
Të
njëjtën gjë e bëri edhe në Kishën e Deçanit, e në të gjitha kishat bizantine
deri në Nish. Pakkush e di se në Kishën e Deçanit, pjesë e kishave shqiptare,
Onufri e ka bërë një pikturë murale me vlerë të madhe artistike. Historianët e
sotëm serbë e fshehin këtë fakt, ose e lënë në heshtje, ashtu sikurse e lënë në
heshtje faktin se në Kishën e Deçanit meshat i mbanin shqiptarët ortodoksë,
sepse serbë në atë krahinë të Dukagjinit nuk pati asnjë për be.
Por
dale ngadalë me shkjenimin bjerrej gjuha, braktisej feja e të parëve,
humbnin traditat, sepse Perandoria turke
e ndaloi arbërishten. Martirizimi i qindra priftërinjve arbëror të kësaj kohe,
fatkeqësisht nuk përmendet në Vatikan,
sepse u vështirësuan shumë lidhjet në mes të Arbërisë së pushtuar dhe
Perëndimit, përkatësisht Vatikanit. Kishte edhe shenja të tjera: sikur zbatohej
një marrëveshje e fshehtë në mes të Perandorisë Otomane dhe Republikës së
Venedikut për pushtimin e Arbërisë, ndërsa koncesionet zbatoheshin për
lundrimin e lirë të anijeve venedikase e tregtinë e lirë në tërë pellgun e
mesdheut e në Perandorinë otomane.
Ndërkaq,
brenda territorit të arbërorëve me
konsolidimin e priftërinjve serbë të caktuar nga Stambolli, raportonte një
relacion i priftit katolik arbëror nga Peja, drejtuar Vatikanit, nisi terrori i
priftërinjve serbë ndaj popullatës shqiptare me ndihmën e zabitëve turq (5. PO
ATY).