E shtune, 27.04.2024, 07:16 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kisha e Nolit fliste e mendonte shqip

E hene, 30.10.2023, 09:33 PM


Kisha e Nolit fliste e mendonte shqip

Nga Gani Mehmetaj

-Zoti nuk di shqip, - predikonin priftërinjtë grekë në territoret shqiptare. Çdo shqiptar ortodoks Fanari e trajtonte grek. Kjo qendër e madhe propagandistike e mori pronësinë mbi ortodoksinë shqiptarë, duke e ngulfatur e persekutuar çdo veprimtari të pavarur, me ndihmën e Perandorisë turke. Kjo gjë zgjati bukur shumë, megjithëse brenda territorit shqiptar në disa kisha ortodokse, Zoti fliste shqip.

Për këtë traditë të fjalës së Zotit në gjuhën shqipe na rrëfen Petro Marko, shkrimtari i madh shqiptar. Ai në kujtimet e veta shkruante: “Papa botonte në revistat e tij “Stum orientali”, aty nga vitet ’30, një pjese të raporteve të  bazilianeve, që  ia dërgonin Vatikanit gjate tre shekujve nga Himara. Një pjese të  këtyre raporteve që u botuan në revistën “Studi orientali”, u përmblodh në një vëllim nga Nilo Borgia, me titullin “I missionari, braziliani  in Albania!’.

Në këto raporte gjejmë shumë gjëra interesante: jetën reale të himarjotëve, interesimin e madh të tyre për armë, për kulturë, për ndihma nga Evropa e krishterë. Në  Dhërmi u hap një seminar për priftërinj, në gjuhën shqipe. Edhe në fshatra të tjera u hapën kurse të gjuhës shqipe. “Katekizmi” në meshë këndohej shqip. Papa Dhimitri nga Dhërmiu, Gjileku e përktheu “Katekizmin” në  gjuhën shqipe, po, sipas raporteve të  bazilianëve, nuk u botua, se ishte botuar ai i Budit. Nilo Katalani botoi dhe një gramatike shqip-italisht”.

Bregdeti Jon ishte i izoluar nga pjesa tjetër e Arbërisë së pushtuar, ishte e kursyer kohë të gjatë nga ndikimi shkombëtarizues i Fanarit. Pjesët tjera të territoreve shqiptare përpëliteshin në mes të islamizmit të dhunshëm e shkombëtarizimit.

Pas shumë peripecive, pas shumë sakrificave të priftërinjve e besimtarëve shqiptarë ortodoksë, Kisha Ortodokse foli shqip. Për pavarësinë e saj nga tutela greke u bë luftë e guximshme e klerit shqiptar. Por, para kësaj fitoreje të pjesshme, priftërinjtë grekë e shkishëruan gjuhën shqipe, i shkishëruan, apo vranë priftërinj shqiptarë, të cilët nuk e pranonin gënjeshtrën greke se Zoti nuk di shqip. Papa Kristo Negovani është njëri nga këta priftërinj martirë (pse nuk shpallet shenjtor ky prift patriot?!)

Fitorja e fjalës shqipe në kishat ortodokse që e pjesshme, sepse predikimi e lutjet u thanë shqip vetëm brenda territorit administrativ të Shqipërisë së cunguar, apo në SHBA, kurse në territoret etnike, ku jetonin shqiptarët ortodoksë, Zoti u fliste serbisht ose greqisht. Po ashtu nuk u bë shkëputja e tërësishme, sepse ndikimi i Patrikanës e tutelës greke mbeti, por u bë një kompromis i dhimbshëm.

Më tragjike ishte gjendja në Veri të Shqipërisë: në Dardaninë e Konstandinit të madh fjala shqipe u dëbua nga kishat ortodokse. Predikimi shqip u hoq edhe nga kisha ortodokse në tërë hapësirë gjeografike të Maqedonisë, të cilën e popullonin shqiptarët që nga Antika. Kjo fushatë shkombëtarizuese nisi pas Luftës së Parë Botërore, vazhdoi me intensitet pas vitit 1945. Zgjimi i vetëdijes shqiptare të besimtarëve ortodoksë në Maqedoni, ishte sinjal i mjaftueshëm për të mobilizuar organizimin e Kishës Autoqefale Shqiptare që t’u ndihmonte bashkëkombësve të organizonin predikimin në gjuhën e tyre. Mirëpo, pavarësisht ftesave të shumta që bënë besimtarët nga Reka e Keqe e Mavrova, Peshkopata e Tiranës nuk pati gatishmëri të dërgonte priftërinj shqiptarë.

A mund t’i zgjojmë edhe ortodoksët shqiptarë në Dardani e në Krahinën e Nishit që e kanë braktisur gjuhën e tyre para njëqind vjetëve? Po malazezët, pjesa dërmuese e të cilëve para njëqind vjetëve flisnin shqip, madje nipërit e tyre edhe sot dinë të komunikojnë në gjuhën tonë.  E vlen të provohet. Pse të mos e ftojmë një prift nga Elbasani, nga Kisha e Atë Nikollë Markut, ose prift arbëresh, që do të merrej me zgjimin e vetëdijes kombëtare, duke u predikuar shqip.

Pse të mos ndërtohet Kishë Ortodokse Shqiptare në Prishtinë e në Prizren, ku ka shqiptarë ortodoks, të shkjenizuar, apo të pashkjenizuar, por që më kohë do t’i qaseshin kishës së tyre. Është shkelje e të drejtave elementare, kur nuk u mundësohet ortodoksëve shqiptarë që fjalën e Zotit ta dëgjojnë në gjuhën e tyre.

“Qeveria e Mustafa Krujës pagoi priftërinjtë ortodoksë në Prizren, Dibër dhe Strugë”, shkruan Kastriot Dervishi. “Kishat ortodokse të territoreve shqiptare që iu bashkuan shtetit shqiptar në vitin 1941, paguheshin nga shteti shqiptar. Një praktikë dokumentare që ndodhet në fondin përkatës në Arkivin Qendror të Shtetit tregon pikërisht letërkëmbimin midis institucioneve shqiptare dhe komuniteteve për çështjen e pagesave”, vazhdon Dervishi në shkrimin: “Tre peshkopatat në tokat e liruara” .

Kështu, kryepeshkopi Kristofori i shkruan Eqrem Vlorës:  Administrimi kishtar në tokat e liruara bëhej nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë”.

Në Dibër, Strugë, Ohër, Mavrovë dhe Reken e Keqe ka shumë shqiptarë ortodoks, të cilët nga presioni i zyrtarëve sllavë nuk guxuan të kërkojnë predikimin në gjuhën shqipe.

Para disa vjetësh filloi fushatë e madhe e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni për predikimin e fjalës së Zotit në gjuhën shqipe.  S’ka medie në Maqedoni, Kosovë e në Shqipëri që nuk e barti mesazhin e tyre. Fatkeqësisht Kisha Autoqefale Shqiptare e Tiranës, e udhëhequr nga kryepeshkopi grek nuk iu përgjigj kërkesave të besimtarëve shqiptarë, të cilët nuk duan të shkrihen në sllavë.

Vetëdija kombëtare e politike e kryeministrit shqiptar Mustafa Kruja para shtatëdhjetë vjetësh ishte më e lartë se sa e qeveritarëve të mëvonshëm.  Ai u përpoq t’i integronte peshkopatat e Prizrenit, Dibrës e Strugës në shtetin e mendësinë shqiptare, kurse sot kisha ortodokse sikur u doli dore shtetit e kombit shqiptar.

Nga libri "A di Zoti shqip", që mund ta gjeni në librarinë "Dukagjini".



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora