Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Si të shkruash skenar origjinal ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës
E marte, 19.12.2023, 08:56 PM
Si të shkruash skenar origjinal ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës
Te
filmi i Kujtim Çashkut “Të paftuarit” (1985), skenarin e të cilit e shkroi
Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”, koha, hapësira e personazhet
nuk ndryshojnë. Filmi i përmbahet kryekëput romanit me disa zhvendosje
strukturale apo ndonjë personazh që nuk e ka romani, ndërsa është shtuar në
film. Te filmi brazilian “Prapa diellit
(“Behind the sun”), apo ( Abril Despedaçado) (2001) të regjisorit Ualter Sales
(Walter Salles), po ashtu sipas romanit të
Kadaresë “Prilli i thyer” koha,
hapësira dhe karakteret ndryshojnë.
Nga Gani
MEHMETAJ
Janë
një varg pyetjesh e mëdyshjesh, të cilat i dalin para skenaristit në çastin kur
e fillon procesin e shkrimit të skenarit, duke e pasur për bazë romanin e
caktuar, ose, kur producenti i ka dhënë detyrë skenaristit të përshtatë një
vepër letrare, sipas së cilës duan të bëjnë film. Në këto çaste halli më i madh
i skenaristit është si të sillet me veprën letrare: t’i qëndrojë besnik apo ta
shpërfillë romanin, duke i dhënë krah imagjinatës së tij? Skajshmëritë janë të
rrezikshme. Maturia e kujdesi janë fanar udhëzues që ndihmojnë shumë. Prandaj
përpiquni të gjeni mesin. Që nga çasti kur e lexoni romanin për ta adaptuar e
deri në finalen kur e keni përfunduar procesin e adaptimit, ju do të ecni nëpër
një rrugë të gjatë, plot të papritura e vështirësi. Të papriturat duhet t’i
kaloni, nëse i keni vënë detyrë vetes të keni sukses. Mëdyshja e pasiguria do
t’ju ndjekin gjatë gjithë kohës, por ju duhet t’i përballoni, t’i mundni, sepse
gjatë çdo procesi të krijimit a rikrijimit, sikurse është skenari i adaptuar,
ka mëdyshje e pasiguri.
Teoritë
e adaptimit janë të ndryshme. Pa u përqendruar hëpërhë te skeptikët, që
mendojnë se letërsia nuk mund të përkthehet në film dhe se filmi duhet të jetë
i pastër, e i pandikuar nga letërsia e teatri, ne po përmendim ato teori sipas
të cilave letërsia është e pashmangshme në kinematografi.
Sipas
grupit të parë duhet t’i qëndrojmë besnik romanit të adaptuar, meqë sipas tyre
besnikëria garanton sukses, qoftë atëherë kur romani tashmë ka bërë jetën e vet
publike (është i popullarizuar), qoftë atëherë
kur romani ende nuk ka bërë jetë publike, por ka situata të gjetura me
mjeshtëri, karaktere të skalitura për mrekulli dhe ka rrëfim të mirë. Por vetëm
këto dy segmente nuk mjaftojnë për t’i qëndruar besnik romanit, ashtu sikurse
duhet të jemi të kujdesshëm atëherë kur i shmangemi romanit, duke e ritreguar
me mjetet tona shprehëse dhe me mënyrën tonë, sepse edhe për këto shmangie
duhet të dimë arsyet. Nuk mjafton arsyetimi i shpeshtë se adaptuesi ka liri të
pakufishme shprehëse, se është i pavarur të bëjë ç’të dojë me romanin, sepse ai
mund të ketë liri edhe më të madhe shprehëse nëse e bën skenarin origjinal, pa
e kërkuar frymëzimin në roman, tregim, novelë apo tekst drame dhe pa i dhënë llogari
askujt pse e bëri në këtë mënyrë e jo në një mënyrë tjetër. Atëherë do të varet
vetëm nga imagjinata dhe kreacioni i tij.
Në
këtë punë të vështirë e me plot të papritura, disa nga autorët e romaneve janë
të kënaqur me veprat e tyre të adaptuara, të tjerët janë po aq të dëshpëruar,
ndërsa të tretët që të mos e shprehin haptas pakënaqësinë e tyre shpesh
deklarojnë: filmi është ndryshe. Ata nuk pranojnë se kjo është vepra e tyre,
por nuk duan të acarojnë më shumë raportet me producentin a skenaristin. Megjithatë
mbeten të thartuar me atë që shohin nga vepra e tyre në ekranin e kinemasë.
Prandaj, adaptimi është punë me përgjegjësi.
Por
para se të flasim për adaptimin, duhet të dimë ç’është adaptimi.
Adaptimi
është bartje, transformim, distilim, përkthim, transponim nga një medium në
mediumin tjetër, përkatësisht përshtatje nga romani e drama në film. Teoritë
për adaptimin e skenarit merren me shqyrtimin e qasjeve të ndryshme, analizojnë
mundësitë e teknikat e përshtatjes së një teksti letrar (tregim, novelë,
roman), apo të shkrimeve të gazetave (reportazhe, analiza sociale, lajm i
zgjeruar, fejtone) në film.
Adaptimi
i skenarit është faza e parë më e rëndësishme e bartjes së një teksti nga një
medium në një medium tjetër, përkatësisht nga një art në artin tjetër. Nga
mjeshtëria e bartjes, aftësia e transformimit dhe nga kreativiteti i
skenaristit varet se si do të funksionojë ky skenar, sa do t’i ofrojë mundësi
regjisorit dhe se si do të duket në film.
Për
shkallën e përshtatjes së skenarit ka qasje e teori të ndryshme. Disa janë të
mendimit se s’ka roman apo dramë që s’mund të bartet në film, të tjerët
mendojnë se kjo nuk është bartje, adaptim, por është një lloj tradhtie që i
bëhet letërsisë! Sepse bartje (siç e vënë në pah kundërshtarët e adaptimit) nuk
është e mundur të bëhet në atë masë sa të ruhet integriteti i tekstit të
bartur.
Sergej
Ajzenshtajni (Sergei Eisenstein), gjeniu i kinematografisë, njëri ndër
regjisorët që i dha shumë filmit, ishte i mendimit se edhe “Kapitali” i Marksit
mund të bëhet film, madje këtë mendonte ta bënte personalisht. Thuhet se pati
bisedime edhe me autorin e romanit “Uliksi”, Xhejms Xhojs, që ta ekranizonte
romanin e tij[1]. Të tjerët mendojnë se shndërrimi i këtillë është i pamundur.
Sipas tyre nuk është e mundur shndërrimi nga një medium në tjetrin, por është
fjala për një proces të ri, madje për një vepër të re. Prandaj ata e mbrojnë
teorinë se për filmin duhet të bëhet skenari origjinal që nuk frymëzohet nga
letërsia a mediumet e tjera, por
kryekëput frymëzimin e ka në imagjinatën e autorit të skenarit a regjisorit.
Madje shumë prej tyre mendojnë se letërsia e mediat e tjera nuk duhet të barten
në ekran të madh, sepse vetëm mund të deformohen.
Pavarësisht
mëdyshjeve të vazhdueshme të kritikëve të adaptimit për film, pavarësisht
kundërshtimit që letërsia të ushtrojë ndikimin e vet në film përmes adaptimit,
në historinë e filmit shumë nga romanet e njohur janë bartur, pra janë adaptuar
në film, disa janë adaptuar më shumë se dy-tri herë, ndërsa më vonë ky proces u
bë diçka e zakonshme. Ndonjëherë gati gjysma e filmave të prodhimtarisë
kombëtare ishte adaptim, përshtatje e romanit, tregimit, novelës e tekstit të
dramës. “Historia e letërsisë ka regjistruar shembuj të panumërt të
përshtatjeve të veprave klasike dhe të krijimit të kryeveprave nëpërmjet
përshtatjeve”[2].
Ndërkaq,
kur është çështja te bartja nga letërsia në film shumë nga teorikët e filmit e
skenaristët mendojnë: “Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti s’kanë
ç’humbin nga aventura ë përshtatjes [3]. Përkundrazi. Bazen mendon se letërsia
mund të fitojë.
Nëse
përshtatja është e suksesshme, statistikat kanë dëshmuar se edhe tirazhi i
librave të shitur është më i madh. Ndërkaq, po dështoi filmi i bërë sipas
romanit, këtë gjë do ta marrin vesh vetëm një numër i vogël i lexuesve, të
cilët e kanë lexuar romanin. “Dihet fare mirë se letërsia dhe romani janë
elitare, ndërsa filmi u dedikohet numrit shumë më të madh të shikuesve
[4]. Pra, në këtë rast përfiton edhe
letërsia, e cila popullarizohet, sepse shikuesi cytet ta lexojë romanin,
tregimin a dramën, por përfiton edhe kinematografia, sepse merr subjekte të
gatshme, ka në dispozicion karaktere të formuara, nuk e çan kokën të krijojë
situata as të shpikë veprime[5]. Mbi tekstin që e merr për ta adaptuar ai mund
të veprojë pastaj duke shtuar apo hequr, duke e plotësuar apo ndryshuar. Por
edhe për këto veprime janë disa rregulla, ka procedura, ndiqet përvoja nga e
kaluara dhe adaptimet në mediat e tjera, ashtu sikurse duhet të përfillet
mënyra se si do të bëhet adaptimi.
Mënyra e adaptimit
Mënyra
e adaptimit kërkon njohje të caktuara teorike, mësim të rregullave të
adaptimit, sikurse kërkon të shikojmë filma e të lexojmë sa më shumë romane.
Janë një lloj i romanit dhe i tregimit të përshtatshëm për adaptim, apo sikurse
thonë disa njohës të letërsisë e kinematografisë të gatshëm për film. Ndër
shkrimtarët e preferuar thuhet se Çarls Dikens është shkrimtari më i
përshtatshëm për adaptim në film, prandaj është njëri ndër autorët veprat e të
cilit më së shumti janë bartur në ekranin e kinemasë. Ndërkaq Shekspiri,
megjithëse nuk mund të thuhet se është shumë vizual, dramat e tij prapëseprapë
janë më të adaptuarat në film. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të
kërkojmë tekstet letrare të përshtatshme
për adaptim. Ne duhet të kërkojmë subjektet interesante, personazhe të
skalitura me mjeshtëri, ngjarjet dinamike dhe porosinë e duhur, krahas vlerave
artistike të dëshmuara. Asgjë që na hyn në punë nuk duhet të shpërfillet. Duhet
të kërkojmë edhe romane të tjera, të cilat mund t’i adaptojmë, ndërsa nuk e
kanë atë lehtësi rrëfimi, apo atmosferën e gatshme për përshtatje, mirëpo
brenda teksteve të tyre mund të gjejmë atë që është e përshtatshme për shikues,
pavarësisht se i mungon aftësia e komunikimit. Sidomos duhet të bëhen krahasimet
e romaneve të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët janë adaptuar, duke i shikuar
filmat dhe duke i krahasuar me “rimejk” (filmat e njëjtë që janë ekranizuar më
herët), ne do ta kapim fillin e fshehtësisë.
Kjo mënyrë ndihmon, sepse mundëson që përmes përvojës së adaptimeve të
bëra nga skenaristë të njohur, apo shkrimtarëve të cilët ishin njëkohësisht
edhe skenaristë të filmave të tyre, të bëjmë përçapjet tona.
Edhe
në këtë aspekt ka përvoja të ndryshme. Do ta bëni adaptimin e romanit duke i
qëndruar besnik kohës, hapësirës, ngjyrave mjedisore, personazheve e frymës së
romanit, apo romani mund të të shërbejë vetëm si shtytës, si kornizë, ndërsa të
tjerat janë pjellë e imagjinatës suaj. Motivet e veprës së frymëzuar mund të të
shërbejnë si pikënisje, të tjerat pastaj i shtroni sipas kërkesave të tjera.
Koha,
hapësira dhe karakteret janë të njëjta te filmi “Dashuria në kohën e kolerës”
(2007), sipas romanit të Gabriel Garsia Markezit, nën regji të Mike Newel.
Është vetëm çështja e shkurtimeve, e dendësisë së ngjarjeve ajo që e dinamizon.
Madje edhe fillimi është i njëjtë si në roman ashtu edhe në film. Këto tri
elemente nuk ndryshojnë as te filmi tjetër “Festa e cjapit” (Fiesta del chivo”)
(2005) të shkrimtarit tjetër latin-amerikan, Mario Vargas Llosa, sipas skenarit
e regjisë së Luis Llosas, me Isabell Roselinin në rolin kryesor, ku përmes
kryeprotagonistes rrëfehet në mënyrë kronologjike shumë vjet pas për diktaturën
dhe diktatorin në një shtet të Amerikës Latine.
Ndërkaq
te filmi i Kujtim Çashkut “Të paftuarit” (1985), skenarin e të cilit e shkroi
Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”, koha, hapësira e personazhet
nuk ndryshojnë. Filmi i përmbahet kryekëput romanit me disa zhvendosje
strukturale apo ndonjë personazh që nuk e ka romani, ndërsa është shtuar në
film. Te filmi brazilian “Prapa diellit
(“Behind the sun”), apo ( Abril Despedaçado) (2001) të regjisorit Ualter Sales
(Walter Salles), po ashtu sipas romanit të
Kadaresë “Prilli i thyer” koha,
hapësira dhe karakteret ndryshojnë. Skenaristi dhe regjisori morën vetëm disa
motive nga “Prilli i thyer”, ndërsa të tjerat i përpunuan, i hoqën apo i
shtuan, duke iu përmbajtur parimit të Riçard Krevolinit, i cili thotë se gjatë
adaptimit të skenarit mund të ndryshosh kohën, hapësirën gjeografike, personazhet
e ngjyrat e tjera mjedisore[6]. Filmi
“Prapa diellit” është më afër filmit italian “Padre Padrone” të vëllezërve
Taviani sesa tekstit të frymëzuar.
Pra,
nuk është e thënë që filmi t’i përmbahet romanit, as të bëjë bartjen besnike të
tij në ekran, sepse atëherë do të bëhej adaptimi-leximi i romanit në film.
Ndërsa leximi besnik i romanit nuk është qëllim i asnjë regjisori.
Adaptimi
për film nënkupton përshtatjen, adaptimin,
kthimin nga një formë në një formë tjetër, përkatësisht nga rrëfimi a
lajmi i gazetës, i tregimit, i novelës e romanit, në skenar filmi. Adaptim për
film është bartja e romanit, e tregimit e të formave të tjera letrare në ekran
të madh, duke iu përmbajtur rregullave dhe, njëkohësisht, duke krijuar rregulla
të reja. Gjatë adaptimit duhet të përfillen rregullat e skenarit, teknikat e
bartjes, mënyra se si do të përshtatet tregimi a romani në film.
Janë
dy mënyra themelore të përshtatjes: adaptimi i tregimit, i novelës dhe i
romanit, duke iu përmbajtur në masë të madhe romanit të cilin e adapton, ose
adaptim duke krijuar vepër të re, sipas motiveve të romanit bazë. E para është
kur vepra letrare ka ushtruar ndikim të madh në autorin e skenarit,
përkatësisht të atij që është duke e përshtatur romanin për film, me të gjitha
karakteret, situatat e veprimet që i merr në pikëvrojtim. Kjo nuk do të thotë
se pavarësisht ndikimit të madh që ushtron romani mbi autorin e skenarit, ai
duhet të bëjë shfletim të romanit faqe për faqe, apo kaptinë për kaptinë. Me
shfletimin do të bëhej filmi i mërzitshëm, i gjatë e i ngadalshëm. Në këtë
mënyrë nuk do t’i bënte shërbim të mirë as romanit. Dihet se filmi e ka
kohëzgjatjen, e ka ritmin e rrëfimit, e ka dramën e brendshme dhe disa rregulla
të tjera të veçanta, të cilat ndryshojnë nga romani apo nga tregimi e novela.
Mënyra
tjetër, mënyra e adaptimit të tregimit, të novelës apo të romanit është
përshtatje, frymëzim, sipas motiveve. Edhe në këtë plan mund të ketë shmangie
të mëdha apo të vogla nga romani. Jo rrallë ndodh që skenaristët të cilët e
bëjnë adaptimin e romanit bëjnë shmangie nga koha kur e rrëfejnë, që ndryshon
dukshëm nga ajo që e ka romani.
Adaptimi
është i njohur nga lashtësia. Dramaturgë antikë kanë adaptuar mitet e legjendat
e ndryshme. Homeri është mbështetur në legjendat për Luftën e Trojës kur e ka
shkruar kryeveprën “Iliada”. Dramaturgët romakë po ashtu në mbështetje të
legjendave janë frymëzuar për dramat e tyre, ashtu sikurse edhe Shekspiri, duke
bërë adaptimet e rrëfimeve, legjendave dhe ndodhive të ndryshme të mesjetës së
hershme, ka shkruar dramat më të realizuara për teatër dhe për film. Edhe filmi
ka vazhduar gjurmëve të traditës së arteve pararendëse, por në teknikën tjetër,
në teknikën e shiritit të celuloidit. Nga legjendat e lashta, nga literatura
antike greke, romake e hebraike janë bërë dhjetëra, të mos themi qindra filma.
Mbi bazë të dramave antike e mbi veprën e Homerit, pastaj dramat që i ka
shkruar Shekspiri, dramat kalorësiake të mesjetës e deri në ditët tona.
Mirëpo
për të bërë adaptimin e suksesshëm duhet të njihet natyra specifike e
adaptimit, nga romani deri te format më të lehta dhe më të përshtatshme të
adaptimit- shkrimet e gazetave, të cilat pavarësisht faktit që në pamje të parë
duken të lehta, kërkojnë përkushtim serioz sikurse gjinitë më të vështira.
Tekstet e shkrimeve në gazeta, kronikat sociale a reportazhet janë më jetësore,
më dinamike dhe më të kapshme, por ato njëkohësisht kërkojnë përpunim shumë më
të përkushtuar.
Fragment
nga libri “Adaptim filmi – si të shkruash skenar origjinal ose të frymëzuar nga
romani, drama e kronika sociale e gazetës”
që këto ditë del nga shtypi.
[1] D. A. Cook: A
history of narrative film 1999 , 1996, W. W. Norton &Company, Inc, faqe
254-256.
[2] Balazh, Bela,
Filmkultura, faqe 269, përkthyer nga Kristaq Dhamo, Albin, Tiranë, 2008.
[3] Andre Bazen, Ç’është
kinemaja, përkthyer nga Elvis Hoxha, Zenit Etitions, Tiranë, 2012, faqe 98.
[4] Po aty.
[5] Pas suksesit që pati
filmi “Apokalipsi tash”, nën regji të Frensis Ford Kopoles e “Daullja e
llamarintë” i Folker Shlendorfit, redaksia e botimeve të “Rilindjes” në
Prishtinë, përktheu romanin e Xhozef Konradit “Zemra e errësirës” dhe të Gynter
Grasit “Daullja e llamarintë”.
[6] Richard Krevolin:
How to adapt anything into a Screenplay, USA, John Wiley & sons, inc.
Filmi brazilian sipas
romanit "Prilli i thyer"