Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Si u festua para pesë vjetësh 29 nëntori në Shkodër!
E marte, 28.11.2023, 08:58 PM
Si u festua para pesë vjetësh 29 nëntori në Shkodër!
Në
Shkodër, po edhe në tërë Shqipërinë komunistët duhet të ndiqen e të ndalohen mu
si nazistët në Gjermani. - Me 29 nëntor duhet të dalin të gjithë besimtarët dhe
priftërinjtë në një procesion të gjatë kilometrikë që të kujtojnë vrasjen e
martirëve të Shkodrës. Duhet ta shpallin ditë zie e pikëllimi.
Shkruan:
Gani Mehmetaj
Festa
e flamurit me 2018 në Shkodër i ngjante ditëve të zakonshme të vjeshtës së
vonë. Nuk me ranë në sy flamuj, nuk pashë ndonjë organizim feste, nuk dukej
festa më e madhe e kombit dhe e shtetit në 550 vjetet e fundit. Kishte a
s'kishte festë flamuri në Shqipëri? Me habiti ky fakt, nuk isha vetëm unë që u
skandalizova: shqiptarët e Dardanisë që i takova atë pasdite nuk u besonin
syve. Prisnim zbukurime, banda muzikore, koncerte, prisnin që dikush të dilte
në ndonjë skenë të improvizuar, prisnim atmosferë festive, çfarë e kishim në
Prishtinë qe nga viti 1999. Prisnin por kot prisnin. Në Dardani me dhjetëra
vjet e kishim organizuar 28 Nëntorin me flamuj e koncerte, madje diskotekat e
Prishtinës organizonin party të veçanta deri në mëngjes me muzikë “të çmendur”.
Ndërkaq
ne kishim ardhur në Shkodër për të festuar ditën më të madhe të shqiptarëve me
një grup prishtinasish, rotarianë. Në restorantin dhe hotelin "Tradita,
gegë e toskë", dikur shtëpi e Filip Shirokës na pritën mirë. Në qytet e në
hotel takuam ferizajas, pejanë, gjakovarë, shkupjanë, kërçovarë, madje edhe
korçarë. Në mungesë të festës në qytet ne ia bëmë fora sikurse do të thoshin
toskët: e nisëm nga himni i Gjergj Fishtes, e kujtuam më këngë tërë historinë
kombëtare e perlat e muzikës shqiptare. I rikujtuam me mall këngët shkodrane.
Mëngjesi na zuri duke festuar. Nuk mu kujtua të pyes, po shkodranët tjerë
festuan?
Të
nesërmen me 29 nëntor, dolëm nëpër qytet, të shihnim e të gjezdisnim. Pashë
Kishën e Madhe, madje u futa në mesh, kalova nga Kafja e Madhe, që të
pikëllonte e braktisur dhe e rrënuar. Fusha e Rrmajit ishte e trisht, por
rrezatonte traditë qytetërimi.
Ajo
që më bëri përshtypje afër një xhamie të rinovuar nga turku me vulën e
Sulltanit, ishte një bandë muzikore ushtarake që ishte mbledhur brenda
rrethojës së varrezave. Një herë mendova se po e promovonin ndonjë xhami me
muzikë, tupana e çallgia, pastaj e sqarova se u bënin homazhe ca partizanëve.
Jashtë rrethojës, disa kureshtarë talleshin me bandën muzikore të ushtrisë
shqiptare, disa të tjerë i shanin ushtarakët, të tjerët shihnin me habi, ndërsa
pjesa dërmuese e shkodranëve kalonin indiferentë.
Me
erdhi të qaja me këto homazhe partizanësh gërdalla, me dukeshin si balloja e fantazmave,
sepse pati burra të mëdhenj Shkodra, që ranë për pavarësinë e Shqipërisë, apo u
shkrinë për kombin, kurse shteti shqiptar i kapur nga bandat komuniste vajtonte
disa partizanë koti, kauza e të cilëve ishte kriminale. Ata bënë luftë civile.
Partizanët
shqiptarë bënë masakër në Shkodër, vranë kreun intelektualë e elitën e
priftërinjve që ishin pishtarë të kombit. Si kanë guxim të provokojnë
ushtarakët shqiptarë me pafytyrësi familjet e të vrarëve, pa u kërkuara as
falje. Në Shkodër, po edhe në tërë Shqipërinë komunistët duhet të ndiqen e të
ndalohen mu si nazistët në Gjermani.
Mu
kujtua libri i At Zef Pllumit “Rrno për me tregu” ku e kujtonte se si u futën
partizanët malazezë në Shkodër me t'u larguar gjermanët. E hoqën flamurin
shqiptar dhe e vunë flamurin jugosllavë, e kurdisën edhe një çerdhe mitralozi
në kambanarë me tytën nga qyteti, tregonte prifti i famshëm.
Dhe
shtetarët shqiptar festojnë ditën kur u futën partizanët malazezë në qytet?
Gjatë
fëmijërisë e rinisë në shkollë na kanë thënë se 29 nëntori kur në Jajce
(Bosnjë-Hercegovinë) u shpall nga KAÇKJ-së Jugosllavia e re. E festonim 17
nëntorin ditën e “çlirimit” të Pejës, 19 nëntori ditën e “çlirimit” të
Prishtinës etj. Çdo qytet në ish- Jugosllavi e kishte një ditë nëntori, për të
kulmuar me 29 kur ishte çlirimi i Jugosllavisë, pra ajo ishte kryedita.
Më
vonë e mora vesh se edhe në Shqipëri, qytetet shqiptare i kishin të njëjtët
ditë “çlirimi” me Jugosllavinë, madje edhe kryeditën. Mbeta pa mend, nuk dija
si t’ua sqaroja as miqve të mi që më kërkonin sqarim në rrugicat e Shkodrës.
Ndërkaq,
për shqiptarët e Dardanisë Shkodra ishte kryeqyteti shpirtëror e kulturor,
qendra e botës, ëndrra e madhe.
“29
Nëntori, është dita e çlirimit të Serbisë dhe Jugosllavisë, e vëllezërve të
tyre terrorristo-bolshevik "shqiptarë", kurse datë zie për ne
shqiptarët !” , me shkruan Xhafer Thaqi, që 29 nëntorin e quan ditë të
mallkuar. S'kisha se si të mos pajtohesha me te.
Shqipëria
ka mbet bastioni i fundit i festës jugosllave 29 nëntorit. Asnjë shtet sllavë
nuk e feston më. I shpallën festa shtetërore e kombëtare edhe festat e fesë së
turkut. Prandaj na ndjek mallkimi, sepse sillemi e mendojmë skllavërisht ndaj
ish-pushtuesit.
Me
29 nëntor duhet të shpërndahen këto foto, që të kujtojmë krimet e partizanëve.