Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Ç’është adaptimi? (ekranizimi)
E merkure, 03.01.2024, 02:31 PM
Ç’është adaptimi? (ekranizimi)
Fragment
nga libri "Adaptim filmi" botuar me 2014
Nga
Gani Mehmetaj
A
ju ka rastisur që duke e lexuar një roman, tregim, dramë, tekst gazete a
kronikë sociale, ta shndërroni në imazhe? Gjatë gjithë kohës sa jeni duke
lexuar, në mënyrë të pavetëdijshme jo vetëm që mendonit me fotografi, por ju në
mënyrë të pavetëdijshme e keni bërë regjinë e filmit, duke u mbështetur në
tekstin e lexuar, megjithëse nuk e kishit idenë si shkruhet skenari i filmit a
si bëhet regjia. E keni imagjinuar tekstin me fotografi lëvizëse, me fytyra
konkrete të personazheve, jo rrallë me aktorë të caktuar, madje edhe me vendet
e caktuara të imagjinuara a reale ku e mendonit ngjarjen.
Në
këtë mënyrë keni bërë adaptimin e një teksti sipas pikëpamjes suaj, duke hequr
a duke shtuar skena, ndërsa në rastet më të shpeshta, meqë ju pëlqeu teksti i
lexuar, i përmbaheshit asaj që keni lexuar.
Rasti
tjetër. U ka ndodhur që pasi ta keni shikuar filmin të thoni: romani ishte më i
mirë? Sa herë keni dalë nga salla e kinemasë të zhgënjyer pasi e shikuat filmin
sipas romanit tuaj të preferuar. Situatat, veprimet, dialogu ndryshojnë nga ajo
që keni lexuar. Heronjtë tuaj të adhuruar kanë pësuar transformime, madje,
sipas bindjeve tuaja, janë deformuar. Ndryshe i keni menduar duke fantazuar dhe
ndryshe u dalin në ekranin e madh. Pjesa më e dashur e romanit është hequr fare,
ose është adaptuar në atë mënyrë që nuk e njihni. Mllefoseni me skenaristin a
regjisorin. Dëshpëroheni pse erdhët në kinema.
Kur
u dha premiera e filmit “Getsbi i madh” (2013) jo pak shikues të cilët e kishin
lexuar romanin, por njëkohësisht e pëlqenin edhe xhazin, dolën të zhgënjyer pas
shfaqjes, sepse nga filmi, adaptim i romanit të shkrimtarit amerikan Skot
Fixherald (skenaristë Baz Luhrmanit e Kreg Pirsit (Craig Pearce), diç tjetër
prisnin e ndryshe u doli. Por brezit të ri filmi u pëlqeu me gjithë ndryshimet.
Muzika ishte e kohës së tyre, personazhet atraktive e të këndshme, interpretimi
i mirë. Jo pak prej tyre u deklaruan se nuk i pengonte shmangia nga romani, pos
heqjes së babait të Getsbit.
Kur
e shikojmë një film, na provokon ta lexojmë edhe romanin, duke i plotësuar në
këtë mënyrë zbrazësitë të cilat i ndiejmë në film.
E
kujtojmë filmin tjetër. Si e keni ndier veten kur e shikuat “Kodi i Da Vinçit”,
ndërsa më parë e keni lexuar romanin e Dan Braunit? Në film nuk është as një e
treta e romanit. Shumë ngjarje e personazhe nuk figurojnë fare, madje as që
përmenden. Sikur t’i përmbaheshin autorët e skenarit romanit do të dilte një
film prej dhjetë orësh, që s’do ta pranonte asnjë kinema. Filmi i ka kufizimet
e veta në kohëzgjatje, romani nuk ka kufizime të tekstit. Këtu është dallimi i
parë nga shumë dallime të tjera në mes të filmit e tekstit të adaptuar.
Ç’do
të bënit sikur ju të ishit autor i skenarit? Si do të silleshit me shikues kur
ta kenë parë filmin? Do të arsyetoheshit për shmangie nga vepra? Ose do të
ndiqni punën tuaj pa e përfillur reagimin e tyre?
Lista
e filmave të këtillë, të cilët kanë shmangie nga burimi i frymëzimit-romani,
tregimi e drama, nuk është i paktë. Filmat e realizuar sipas adaptimeve të
romanit janë të shumtë. Por fare lehtë mund të ngjajë e kundërta: pasi ta keni
shikuar filmin, sipas romanit të preferuar, do të dilni nga salla e kinemasë i
kënaqur. Filmi është bërë sipas shijes suaj, prandaj i entuziazmuar do t’i
thoni mikut që nuk e ka parë filmin: ishte bukur si në roman. Ndryshe do të
reagonit kur nuk e keni lexuar romanin, filmin do ta përjetoni si vepër të
pavarur kinematografike, varësisht a është realizuar sipas shijes suaj apo jo.
Romanin nuk e keni fare ngarkesë.
Procesi
i bartjes së veprës letrare në film është proces i gjatë dhe jo më pak i
mundimshëm, është një punë kreative që kërkon imagjinatë e përkushtim. Prandaj
që në fillim shtrohet pyetja: Ç’është adaptimi (përshtatja)? Çka nënkupton të
adaptosh një roman, tregim, dramë e novelë në film? Cilat janë kriteret e
adaptimit? Cilat janë rregullat që duhet t’u përmbaheni? A ka rregulla të
precizuara, të cilat e përcaktojnë çka duhet të adaptosh nga romani, e çka
duhet të heqësh? Pse një version adaptimi është ndryshe nga tjetri? Pse filmat
“rimejk” asnjëherë nuk janë të njëjtë me njëri-tjetrin ose nuk i ngjasojnë
romanit? Pse autorët e ndryshëm kanë mendime të ndryshme për adaptim filmi?
Cilat janë përparësitë dhe cilat mangësitë e adaptimit?
“Getsbi
i madh”, të cilin e përmendëm në fillim, ka disa versione të adaptuara, por ne
po përqendrohemi në versionin e realizuar më 1974 me Robert Redfordin e Mia
Faroun në rolet kryesore, nën regji të Xhek Klejtonit (Jack Clayton), sipas
skenarit të Frensis Ford Kopoles, ndërsa versioni i tashëm (2013) nën regji të
Baz Luhrmann me Leonardo di Kaprion në rolin kryesor. Këto dy adaptime prapë
ndryshojnë në mes vete, megjithëse e kanë të njëjtin burim frymëzimi. Kështu
kur bëhen krahasimet në mes të dy adaptimeve të fundit, gjithnjë gjenden
kritikë të cilët e pëlqejnë më shumë versionin e vitit 1974 nga ai i vitit
2013, por mund të gjenden edhe ata që këmbëngulin se filmi i Baz Luhrmanit
ishte më i arrirë.
Ky
është sharmi i adaptimit, këtu qëndron fshehtësia e përshtatjes: nga i njëjti
roman, filmat dallojnë në mes vete, janë ndryshe, i shmangen më shumë a më pak
romanit, duke nxjerrë në dritë diçka tjetër. Ndërkaq romani mbetet ai që ishte.
Në
librin “Reading the Movies” Uiliam Konstanzo ( William Constanzo) nxjerr të
dhënat interesante: në botë vlerësohet se një e treta e filmave janë vepra të
adaptuara. Nëse merren parasysh edhe format e tjera letrare sikurse janë drama
e tregimet e shkurtra, të cilat adaptohen për film, atëherë mund të flasim për
dy të tretat e të gjithë filmave që janë realizuar ndonjëherë, e që janë vepra
të adaptuara. Prandaj adaptimi i filmit është njëri ndër segmentet kryesore të
kinematografisë, që do ta ndeshim në punën tonë në film, kështu që është e
domosdoshme ta kemi një informacion për rregullat elementare, për mënyrën e
adaptimit, përparësitë e mangësitë dhe një varg elementesh të tjera. Po ashtu
duhet të dimë edhe rregullat e të shkruarit të skenarit, sepse varësisht a do
ta bëjmë skenarin origjinal, apo do ta përshtatim sipas tekstit letrar, duhet
të mësojmë si ta shkruajmë, meqë skenari sikurse të gjitha format e shkrimit ka
rregulla, ka teknikë shkrimi dhe mënyrë të qasjes.
Mëdyshjet gjatë
adaptimit
Janë
një varg pyetjesh e mëdyshjesh, të cilat i dalin para skenaristit në çastin kur
e fillon procesin e shkrimit të skenarit, duke e pasur për bazë romanin e
caktuar, ose, kur producenti i ka dhënë detyrë skenaristit të përshtatë një
vepër letrare, sipas së cilës duan të bëjnë film. Në këto çaste halli më i madh
i skenaristit është si të sillet me veprën letrare: t’i qëndrojë besnik apo ta
shpërfillë romanin, duke i dhënë krah imagjinatës së tij? Skajshmëritë janë të
rrezikshme. Maturia e kujdesi janë fanar udhëzues që ndihmojnë shumë. Prandaj
përpiquni të gjeni mesin. Që nga çasti kur e lexoni romanin për ta adaptuar e
deri në finalen kur e keni përfunduar procesin e adaptimit, ju do të ecni nëpër
një rrugë të gjatë, plot të papritura e vështirësi. Të papriturat duhet t’i
kaloni, nëse i keni vënë detyrë vetes të keni sukses. Mëdyshja e pasiguria do
t’ju ndjekin gjatë gjithë kohës, por ju duhet t’i përballoni, t’i mundni, sepse
gjatë çdo procesi të krijimit a rikrijimit, sikurse është skenari i adaptuar,
ka mëdyshje e pasiguri.
Teoritë
e adaptimit janë të ndryshme. Pa u përqendruar hëpërhë te skeptikët, që
mendojnë se letërsia nuk mund të përkthehet në film dhe se filmi duhet të jetë
i pastër, e i pandikuar nga letërsia e teatri, ne po përmendim ato teori sipas
të cilave letërsia është e pashmangshme në kinematografi.
Sipas
grupit të parë duhet t’i qëndrojmë besnik romanit të adaptuar, meqë sipas tyre
besnikëria garanton sukses, qoftë atëherë kur romani tashmë ka bërë jetën e vet
publike (është i popullarizuar), qoftë atëherë kur romani ende nuk ka bërë jetë
publike, por ka situata të gjetura me mjeshtëri, karaktere të skalitura për
mrekulli dhe ka rrëfim të mirë. Por vetëm këto dy segmente nuk mjaftojnë për
t’i qëndruar besnik romanit, ashtu sikurse duhet të jemi të kujdesshëm atëherë
kur i shmangemi romanit, duke e ritreguar me mjetet tona shprehëse dhe me
mënyrën tonë, sepse edhe për këto shmangie duhet të dimë arsyet. Nuk mjafton
arsyetimi i shpeshtë se adaptuesi ka liri të pakufishme shprehëse, se është i
pavarur të bëjë ç’të dojë me romanin, sepse ai mund të ketë liri edhe më të
madhe shprehëse nëse e bën skenarin origjinal, pa e kërkuar frymëzimin në roman,
tregim, novelë apo tekst drame dhe pa i dhënë llogari askujt pse e bëri në këtë
mënyrë e jo në një mënyrë tjetër. Atëherë do të varet vetëm nga imagjinata dhe
kreacioni i tij.
Në
këtë punë të vështirë e me plot të papritura, disa nga autorët e romaneve janë
të kënaqur me veprat e tyre të adaptuara, të tjerët janë po aq të dëshpëruar,
ndërsa të tretët që të mos e shprehin haptas pakënaqësinë e tyre shpesh
deklarojnë: filmi është ndryshe. Ata nuk pranojnë se kjo është vepra e tyre,
por nuk duan të acarojnë më shumë raportet me producentin a skenaristin.
Megjithatë mbeten të thartuar me atë që shohin nga vepra e tyre në ekranin e
kinemasë. Prandaj, adaptimi është punë me përgjegjësi.
Por
para se të flasim për adaptimin, duhet të dimë ç’është adaptimi.
Adaptimi
është bartje, transformim, distilim, përkthim, transponim nga një medium në
mediumin tjetër, përkatësisht përshtatje nga romani e drama në film. Teoritë
për adaptimin e skenarit merren me shqyrtimin e qasjeve të ndryshme, analizojnë
mundësitë e teknikat e përshtatjes së një teksti letrar (tregim, novelë,
roman), apo të shkrimeve të gazetave (reportazhe, analiza sociale, lajm i
zgjeruar, fejtone) në film.
Adaptimi
i skenarit është faza e parë më e rëndësishme e bartjes së një teksti nga një
medium në një medium tjetër, përkatësisht nga një art në artin tjetër. Nga
mjeshtëria e bartjes, aftësia e transformimit dhe nga kreativiteti i
skenaristit varet se si do të funksionojë ky skenar, sa do t’i ofrojë mundësi
regjisorit dhe se si do të duket në film.
Për
shkallën e përshtatjes së skenarit ka qasje e teori të ndryshme. Disa janë të
mendimit se s’ka roman apo dramë që s’mund të bartet në film, të tjerët
mendojnë se kjo nuk është bartje, adaptim, por është një lloj tradhtie që i
bëhet letërsisë! Sepse bartje (siç e vënë në pah kundërshtarët e adaptimit) nuk
është e mundur të bëhet në atë masë sa të ruhet integriteti i tekstit të
bartur.
Sergej
Ajzenshtajni (Sergei Eisenstein), gjeniu i kinematografisë, njëri ndër
regjisorët që i dha shumë filmit, ishte i mendimit se edhe “Kapitali” i Marksit
mund të bëhet film, madje këtë mendonte ta bënte personalisht. Thuhet se pati
bisedime edhe me autorin e romanit “Uliksi”, Xhejms Xhojs, që ta ekranizonte
romanin e tij . Të tjerët mendojnë se shndërrimi i këtillë është i pamundur.
Sipas tyre nuk është e mundur shndërrimi nga një medium në tjetrin, por është
fjala për një proces të ri, madje për një vepër të re. Prandaj ata e mbrojnë
teorinë se për filmin duhet të bëhet skenari origjinal që nuk frymëzohet nga
letërsia a mediumet e tjera, por kryekëput frymëzimin e ka në imagjinatën e
autorit të skenarit a regjisorit. Madje shumë prej tyre mendojnë se letërsia e
mediat e tjera nuk duhet të barten në ekran të madh, sepse vetëm mund të
deformohen.
Pavarësisht
mëdyshjeve të vazhdueshme të kritikëve të adaptimit për film, pavarësisht
kundërshtimit që letërsia të ushtrojë ndikimin e vet në film përmes adaptimit,
në historinë e filmit shumë nga romanet e njohur janë bartur, pra janë adaptuar
në film, disa janë adaptuar më shumë se dy-tri herë, ndërsa më vonë ky proces u
bë diçka e zakonshme. Ndonjëherë gati gjysma e filmave të prodhimtarisë
kombëtare ishte adaptim, përshtatje e romanit, tregimit, novelës e tekstit të
dramës. “Historia e letërsisë ka regjistruar shembuj të panumërt të përshtatjeve
të veprave klasike dhe të krijimit të kryeveprave nëpërmjet përshtatjeve” .
Ndërkaq,
kur është çështja te bartja nga letërsia në film shumë nga teorikët e filmit e
skenaristët mendojnë: “Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti s’kanë
ç’humbin nga aventura ë përshtatjes . Përkundrazi. Bazen mendon se letërsia
mund të fitojë.
Nëse
përshtatja është e suksesshme, statistikat kanë dëshmuar se edhe tirazhi i
librave të shitur është më i madh. Ndërkaq, po dështoi filmi i bërë sipas
romanit, këtë gjë do ta marrin vesh vetëm një numër i vogël i lexuesve, të
cilët e kanë lexuar romanin. “Dihet fare mirë se letërsia dhe romani janë
elitare, ndërsa filmi u dedikohet numrit shumë më të madh të shikuesve . Pra,
në këtë rast përfiton edhe letërsia, e cila popullarizohet, sepse shikuesi
cytet ta lexojë romanin, tregimin a dramën, por përfiton edhe kinematografia,
sepse merr subjekte të gatshme, ka në dispozicion karaktere të formuara, nuk e
çan kokën të krijojë situata as të shpikë veprime . Mbi tekstin që e merr për
ta adaptuar ai mund të veprojë pastaj duke shtuar apo hequr, duke e plotësuar
apo ndryshuar. Por edhe për këto veprime janë disa rregulla, ka procedura,
ndiqet përvoja nga e kaluara dhe adaptimet në mediat e tjera, ashtu sikurse
duhet të përfillet mënyra se si do të bëhet adaptimi.
P.S. Në literaturen
sovjetike, pjesërisht edhe në atë shqiptare në vend të adaptim, është përdor
ekranizim.
Literatura:
1.Rimejk
është filmi i bërë sipas skenarit të njëjtë apo filmit të mëparshëm, por
natyrisht i plotësuar e me ndryshime.
2.D.
A. Cook: A history of narrative film 1999 , 1996, W. W. Norton &Company,
Inc, faqe 254-256.
3.
Balazh, Bela, Filmkultura, faqe 269, përkthyer nga Kristaq Dhamo, Albin,
Tiranë, 2008.
4.
Andre Bazen, Ç’është kinemaja, përkthyer nga Elvis Hoxha, Zenit Etitions,
Tiranë, 2012, faqe 98.
5.Po
aty.
6.
Pas suksesit që pati filmi “Apokalipsi tash”, nën regji të Frensis Ford Kopoles
e “Daullja e llamarintë” i Folker Shlendorfit, redaksia e botimeve të
“Rilindjes” në Prishtinë, përktheu romanin e Xhozef Konradit “Zemra e
errësirës” dhe të Gynter Grasit “Daullja e llamarintë”.