E diele, 16.06.2024, 10:04 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Masakra në burgun D

E enjte, 23.05.2024, 07:57 PM


Masakra në burgun D

(Fragment nga romani "Lufta e pengjeve" që u promovua këto ditë në Prishtinë)

Nga Gani Mehmetaj

- Nuk është shenjë e mirë, që nuk e kemi asnjë të burgosur serb, - nuk e mbajta dot për vete.

- Ç’të duhen? - ma priti një bashkëvuajtës.

- Do t’ia shohim sherrin kësaj pune, - ia tregova frikën time.

Avionët e NATO-s endeshin mbi kokat tona me predhat e gatshme të na shënjonin, por pastaj predha shpërthente gjetiu. Qendra e raketave tokë-ajër e fshehur prapa burgut, po e ndillte kobin. Ashtu ngjau. Kur nisën shpërthimet e raketave, dyert e dritaret, me mure e grila të hekurit plasnin nga shpërthimet. Artileria e fshehur prapa burgut, po bombardohej nga avioni i NATO-s. Forca e shpërthimi a ajri i  nxehtë na përplasi për muri. Disa u plagosën. Na mbërtheu paniku, nisëm të kërkonim vrima ku të fusnim kokën. Një grup doli në oborrin e burgut, të rrethuar me mure të larta dhe tela me gjemba. Disa u fshehën, që t’i shmangeshin çerdhes së mitralozit që qëndronte kërcënueshëm mbi murin rrethues. Bombardimet reshtën. Shumica u shpërndamë jashtë qelisë. Nata kaloi në qetësi të frikshme.

Të nesërmen policët kërkuan të rreshtoheshim në oborrin e burgut, por shumica nuk ishin në rresht. Ishin fshehur nëpër shtrojera të ndryshme. Gardianët qëndronin në distancë, me tyta pushkësh drejtuar nga ne. Nga kulla e vrojtimit, komandanti i burgut urdhëroi gjuajtjen pa paralajmërim. Ishim disa qindra të rreshtuar, ndërsa qindra të burgosur të tjerë nuk dilnin nga vendet ku ishin fshehur. Gardianët nisën të gjuanin edhe mbi ata që fshiheshin. Çerdhja e mitralozit në murin me gjemba i korrte fatkeqët që u sulën drejt murit me shpresën të shpëtonin. Ishte një vrap instiktiv, sepse dihej që s’kishim asnjë mundësi të kalonim murin e lartë as në rrethana normale. Të njejtën gjë bëri edhe grupi tjetër, që e kërkonin shpëtimin prapa pengesave të oborrit të burgut. Sekush futej nëpër gropa kanalizimesh, duke hequr kapakët e hekurit. Por kur policët e morën veten, se u erdhën në ndihmë njësitë speciale nga qyteza dhe civilë të armatosur, nisën të shpërndaheshin nëpër oborr dhe nëpër kënde ku ishin fshehur të burgosurit. Gjuanin mbi ta pa u përpjekur t’i kapnin. Krismat e kallashëve dhe të revoleve i mbizotëruan klithmat e të burgosurve.  Dikush përpiqej t’ia mbathte, ndonjëri e tërhiqte këmbën zvarrë i plagosur, tjetri tërhiqej rrëshqanë që të shpëtonte nga breshëria e plumbave. Nuk dija ç’të bëja. Ata që përpiqeshin të dilnin nga ky ferr, përfundonin të bërë shoshë nga plumbat. Shihja pastaj nga një kënd i vdekur se si policët hapnin kapakët e pusetave, ku ishin fshehur disa nga të burgosurit, dhe hidhnin bomba brenda. Nuk përpiqeshin t’i nxirrnin, as t’i tërhiqnin zvarrë. Më kapi tmerri. Nga pozicioni im shihja vrasje makabër.

U pataksa kur pashë Bozhon me kallash në dorë, si i hapte pusetat, e shkrepte nga një rafal dhe e mbyllte pasi e hidhte një granatë dore në të. Imagjinoja se si granata i bënte copë-copë ata që ishin strukur në kanalizim. Kaloi pranë vendit ku isha fshehur, sytë i kishte të përgjakur, fytyrën të ënjtur e të skuqur nga rakia dhe pagjumësia. Më vinte t’i dilja përballë, por pastaj strukesha nga frika se do të më shqyente po t’i jepja të njohur.

Disa dolën nga shtrojera ku ishin fshehur, nisën të dorëzoheshin me duar të ngritura lart, por kjo nuk i ndihmoi. I vrisnin në këmbë. Ndonjëri nga policët, kur i shihte që shpurdhnin, për kënaqësi i qëllonte në këmbë a në gjymtyrë. Ulërimat e të plagosurve të tmerronin.

T’ia mbathje jashtë nuk kishe si, muret ishin tepër të larta, telat me gjemba të pakalueshëm. Masakra s’kishte të mbaruar. Natën e kaluam në pritje e tension. Të nesërmen vazhdoi ndjekja e të burgosurve të shpërndarë. U erdhën në ndihmë forca të reja, ushtarë e paramilitarë. Të gjallët po pakësoheshim, rezistencë nuk pati, askush s’kishte armë. Dikur na kapën edhe neve që ishim strukur cepave të burgut, por çuditërisht nuk na vranë. Na grumbulluan në një vend, na urdhëruan të tërhiqnim të vrarët, na thanë t’i bënim stivë. Na rrinin mbi kokë me revole, ose me kallash. Punuam kohë të gjatë, bëheshim ujë nga djersët dhe nga tmerri. Disa i njihja, disa i kishte shpërfytyruar breshëria e plumbave.

- Tmerr, - thashë me zë, i çrregulluar nga pamjet. Gardiani që më rrinte mbi kokë më pa me kërcënim.

- Çfarë murmurite?

Nuk i ktheva përgjigje, më kishte mpirë pamja e kufomave të shpërfytyruara. Të vrarët më dilnin në gjumë, zgjohesha i larë në djersë, më dukej se më akuzonin pse nuk fola askund, pse nuk tregova. Kujt t’i tregoja? Pas ndonjë dite na nxorën nga burgu, na hipën në autobus dhe na nisën në drejtim të panjohur. Pak shihja nga dritarja me qelqe të pluhurosur, më kishte humbur interesimi për çdo gjë. Udhëtimi përfundoi në mbrëmje. Pastaj na mbyllën brenda. Shumicën e shokëve të qelisë së burgut, nuk i pashë më. Nuk dija ishin gjallë a kishin vdekur. Pakkush dinte për tjetrin.

Mllefin ndaj armikut të tyre e zbraznin mbi ne. Na godisnin me tërbim sa nuk mblidhnim dot forcë të nxirrnim duart para, të mbronim kokën. Kishim lëshuar krahët, ishim dorëzuar pa e ngritur flamurin e bardhë. Ata na trajtonin si armiq, ndaj të cilëve nuk duhej të kishin mëshirë. Ku e gjenin gjithë atë energji negative, gardianë e civilë, asnjëherë nuk e kam kuptuar.

Mungonte vetëm Bozho i përgjumur me sy të përgjakur, që nuk e takova më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora