Editorial » Mehmetaj
Frank Shkreli: Dy vjet pa Dalip Grecën
E shtune, 18.05.2024, 07:59 PM
DY
VJET PA DALIP GRECËN
Nga Frank Shkreli
Ja u
mbushën dy vjet që u nda prej nesh gazetari dhe Kryeredaktori i gazetës Dielli
në Shtetet e Bashkuara, organ i të famshmes Fedratës Pan-Shqiptare Vatra. Një
mik e koleg i dashur dhe i nderuar për mua dhe të gjithë ata që e kanë njohur,
u nda papritmas nga kjo jetë. Sot, dy vjet më vonë, largimi i tij për në amshim
na duket edhe më i dhimbshëm se iku kur ishte në një moshë që ende mundte dhe
donte të kontribonte e të zhvillonte veprimtarinë e vet edhe për një kohë të
gjatë në të ardhmen, në fushën e publicistikës dhe gazetarisë së lirë në
interes të së Vërtetës.
Unë për veten, Dalipin e
kam pasë një koleg dhe përkrahës të çmueshëm dhe mik të përzemërt! Komuniteti
shqiptaro-amerikan ka humbur një mbështetës të papërtueshëm të aktiviteteve
kulturore këtu në Amerikë, por mbi të gjitha kemi mbetur pa një shtyllë të
fortë të gazetarisë shqiptare në mërgim dhe në mbarë botën shqiptare.
Dalip Greca për 12 vjet
udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën ‘Dielli’, ndërsa
ndikimi i tij në Vatër dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në orgnizatën më
të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan do të mbetet trashëgimi e tij,
sidomos ndihma e tij në ringjalljen e gazetës historike ‘Dielli’, kur e mori në
dorë. Puna e gazetarëve atdhetarë si Dalipi, nuk njohin bjerrje. Puna e tij për
ringjalljen e gazetës ‘Dielli’ në veçanti dhe të ‘Vatrës’ në përgjithësi,
shihet dhe pranohet, gjërësisht, tanimë si diçka me rëndësi në dobi të
komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të interesave historike të shqiptarëve dhe
të Kombit, të cilit Dalipi ia kushtoi jetën, mundin dhe djersën e tij për
12-vjet, si Kryeredaktor i Gazetës Dielli të Amerikës.
Në këtë
2-vjetor të kalimit në amshim të Dalip Grecës, në vend të fjalëve të mia, që i
kam shprehur edhe në të kaluarën me raste të tjera, për Vatrën e Diellin dhe
rolin e tij, dëshiroj që me këtë rast, në kujtim të Dalipit, të sjell disa
komente vlerësuese të Profesor Ernest Koliqit -- për të cilin Dalipi fliste me
respekt -- botuar në revistën Shëjzat, (Nentor-Dhjetor, 1959) -- me rastin e 50-vjetorit të themelimit të
gazetës Dielli, të cilën Dalipi e drejtori me profesionalizmin më të madh
gazetaresk.
Profesor
Ernest Koliqi, shkruante se gazeta Dielli nuk ishte thjesht një gazetë vetëm
për shqiptaro-amerikanët. Koliqi ka vlersuar rolin historik të gazetës
Dielli, duke theksuar se, “Kush kujdeset, pak a shumë për historinë e
vendlindjes, e di rolin kryesuer që ka luajtun kjo fletore në lëvizjet
kombëtare. Ajo e nisi punën e vet me kryefjalën fatlume të Nolit, ‘Një
Shqipëri për Shqiptarët’, një moto kjo me të cilën shprehet ai, “Noli ia ndjelli
të mirën Atdheut dhe Ora e Kombit mbas pak vjetëve ia fali gjindes shqiptare –
tekembramja — një truell të lirë ku ajo të rronte e të zhillohej si mbas
prirjeve të veta landore dhe shpirtënore.”
Duke pasur parasysh rolin historik të Vatrës dhe Diellit, për të cilin
fliste Ernest Koliqi, Dalip Greca e ushtroi këtë rol me dinjitet dhe
atdhedashuri.
Në vazhdim të editorialit
kushtuar 50-vjetorit të Diellit të Vatrës, Ernest Koliqi e ka cilësuar
veprimtarinë historike të Vatrës e të Diellit, si një “varg tubzash
epiko-lirike”, duke nenvijuar se gazeta Dielli, “përcolli besnikërisht ngjarjet
shqiptare dhe botërore të asaj periudhe, gjithmonë e gatshme për të mbrojtur
qendrimet e shqiptarizmit”.
Në komentin me titull,
“Pesëdhjetëvjetori i Fletores “Dielli”, botuar në revistën Shëjzat të vitit
1959, Profesor Ernest Koliqi u jep meritën më të madhe për veprimtaritë
historike të Diellit dhe të Vatrës, “Dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit,
At Fan Noli dhe Faik Konica…si gërshetuesit kryesorë të veprimtarisë së
shkëlqyeshme të Vatrës dhe vatranëve”, por pa harruar, shton ai, as veprimtarët
e tjerë të shumtë të Diellit e të Vatrës, si, “Kost Çekrezi, Kristo Floqi, Kol
Tomara, Kristo Kirka, Bahri Omari e Sotir Peci”, e të tjerë gjatë dekadave e
deri më sot.
Kësaj liste të këtyre
patriotëve, të cilët përemendte Koliqi
-- në këtë 2-vjetor të kalimit në amshim, dëshiroj, t’i shtoj edhe emrin e
ish-Kryeredaktorit të gazetës Dielli, Dalip Grecës, duke u bashkuar me fjalët e
editorialit të Ernest Koliqit mbi rolin e Vatrës dhe të gazetës Dielli, shkruar
më 1959, me shpresën se, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të
ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në
naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën
të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e
prandej edhe i vendit tonë.”
Në këtë përvjetor të
kalimit në amshim, Familjes së Dalip Grecës, Vatrës, gazetës Dielli dhe të
gjithë vatranëve i drejtoj përdhimtimet e mia më të sinqerta për mikun dhe
kolegun tim dhe të shumë shqiptaro-amerikanëve, pa dallim, me të cilët Dalipi
veproi e bashkpunoi me të gjithë e si është më mirë.
Vatra historike e
shqiptarëve të Amerikës pat organaizuar një darkë në nder të Dalip Grecës, Editorit
të Diellit dhe punëtorit të palodhshëm të Vatrës, për të celebruar daljen e tij
në pension.
Takimi im i parë me
Dalip Grecën ishte një intervistë kur ai punonte si editor i gazetës
shqiptaro-amerikane Illyria, mars 2005. Ç’prej atëherë kemi mbetur miq e
kolegë. Të falënderoj për respektin, miqësinë dhe bashkpunimin, Dalip Greca!