E shtune, 27.07.2024, 02:52 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Partizania Vidna Rakoçeviq

E enjte, 16.05.2024, 07:53 PM


Partizania Vidna Rakoçeviq

Tregim nga Gani Mehmetaj

Sa herë më dilte përpara, shqyeja sytë. E gjatë, e thatë, me fytyrë të acaruar, me duar eshtake e gishta kanxha të frikshme, më gozhdonte figura e saj. Edhe kur nuk më hakërrohej, s'më bënin këmbët të ecja tutje. Kalamajtë thoshin për të se të rrëmben e të tretë prapa bjeshkëve. Gjyshja ishte e sigurt se është fantazmë që e nxori varri jashtë. Babai kërcëllonte dhëmbët dhe na e përsëriste: Nuk e dini kush është kjo shtrigë, dheu mos e trettë! Nëna na këshillonte të ruheshim prej saj si prej dreqit. Ajo jetonte e vetme në një shtëpi në periferi të qytetit. Askush nuk guxonte t'i afrohej oborrit të saj, askush nuk ia kishte parë dhomat. Pëshpëritej se është e armatosur deri në dhëmbë si në kohë lufte. Ndonjëherë shkrepte breshëri plumbash kot së koti në pikë të natës.

Gruan e frikshme, Vidnën, gjithnjë e lidhja me fundin e djaloshit, emrin e të cilit kurrë nuk e mësova, por rrëfimin për të e kujtoja çdo natë. Babai na e tregoi një natë dimri të acartë atëherë kur hynë partizanët. Historia për këtë grua që na e fuste frikën në palcë, shpesh më linte pa gjumë, jo rrallë zgjohesha i larë në djersë, me pamjet e gishtit tregues në këmbëzën e mitralozit që villte zjarr.

-Atë mëngjes dimri që ta ngrinte gjakun ndër deje, hynë me zhurmë e britma partizanët në Katundin e Ri, i mbështetën burrat ndanë gardhit, me ta e rreshtuan edhe çunin trembëdhjetëvjeçar, - tregonte baba, ndërsa më bëhej se fushëpamjen time e mbulonte figura e çunit të lemerisur në rreshtin e burrave të katundit, në këmishë e të linjta të bardha, përballë togës së pushkatimit. Rrëfimi vazhdonte:

-Hiqeni atë kalama! - tha dikush, para se të shkrepte mitralozi.

-Lëreni, mirë është, - tha partizania Vidna, prapa mitralozit të rëndë me syrin në shënjestër e gishtin tregues në këmbëzën e armës së ftohtë.

- Është fëmijë, - i tha dikush me zë lutës.

-Pa qenë fëmijë nuk bëhet i rritur, - ia ktheu partizania e sertë.

Ajo nuk i shihte fytyrat e frikësuara të katundarëve të sapozgjuar nga gjumi, ajo shihte të njëzetë e gjashtë shënjestrat që do t'i godiste pas disa çastesh.  Fatkëqijtë këmbëzbathur e të lidhur duarsh dy nga dy, me nga një copë teli a spango, prisnin e dridheshin.  Dy-tre fëmijë në gjirin e nënave dridheshin e nisën të qanin. Nëna e djaloshit të rreshtuar për pushkatim çakërdisur sysh, u përpoq ta nxirrte nga rreshti të birin e llahtarisur, por një partizan e goditi në kokë me kondak pushke. Ajo ra pa ndjenja, dy partizanët tjerë e tërhoqën zvarrë tutje.

Gratë qanin pa zë, të mpira nga tmerri.

Partizania Vidna, prapa mitralozit, iu drejtua grave fatkëqija, që ia turbullonin pamjen: "Hiquni prej rruge, kudra!"

Ato nuk dinin nga të shkonin. Në atë rrëmujë dy nga burrat e rreshtuar për pushkatim, të lidhur njëri me tjetrin, shpëtuan për një fije floku, duke kërcyer gardhiqet pupthi, megjithëse tre partizanë u shkuan prapa me krisma pushkësh deri në fund të katundit, por nuk i kapën.

Trembëdhjetëvjeçari i lemerisur para se të binte nga plumbat, i tha të atit  pranë: "Po tutna!" I ati nuk bëzajti, ia shtrëngoi dorën. Partizanët kishin krijuar gjysmëharkun, që të mos u ikte asnjëri, ndërsa tytat ua drejtonin shënjestrave.

I pushkatuan para grave e nënave. Partizania Vidna nuk e hoqi gishtin nga këmbëza e mitralozit edhe një kohë pasi ra viktima e fundit. Koka e djaloshit kishte rënë në prehrin e të atit.  Qetësia e mpiu Katundin e Ri.

Kufomat i lanë ndanë gardhit. Në borën e bardhë gjaku shquhej thekshëm, trupat e ngrohtë ende avullonin, ndërsa brigada partizane me Vidnën në krye vazhdoi tutje. Ishte mëngjesi i hershëm i janarit.

Pas kësaj masakre emri i shoqes Vidna, sikurse e quanin, ua ngrinte zemrat katundarëve të Luginës së Drinit e të Lumëbardhit. Ajo mbolli vdekje ngado që shkoi.

- Në qytet pushkatimet nuk i bënin ditën për diell, por i ekzekutonin natën, - tregonte baba, kurse ne e dëgjonim dhe nuk bëzanim. Kodrat sipër qytetit të Pejës u mbushën me varre. Prapë përmendej emri i partizanes Vidna me mitralozin gjerman.

Askush nuk kishte dëgjuar më parë për të. Dinin se zbriti nga shkrepat e Malit të Zi me brigadën partizane të Bokelit: vajzë e heshtur, e zymtë, me pantallona të zhgunit ngjyrë kafe e opinga të lidhura me spango.

Burrat që mbetën gjallë tregonin skena makabre në Lugun e Baranit, kur Vidna me partizanët e brigadës së Bokelit silleshin rreth viktimave të pushkatuara, duke vallëzuar- vallen e fantazmave në dritën e hënës.

#

Partizania Vidna jetoi gjatë dhe e vetmuar. Fliste me vetveten, duke kthyer kokën herë majtas, herë djathtas, sikur ta ndiqnin hijet e atyre që i kishte pushkatuar pa pikë mëshire. Kur e kur u hakërrohej kalimtarëve që e shihnin të habitur. Me flokë të kreshpëruar dhe fytyrë të zbehtë, i ngjante fantazmës. “Drakulla që pi gjak!”, e quanin në qytet. Një ditë i erdhi fundi. Vdekja e Vidnës i tmerroi qytetarët sa edhe krimet që kishte bërë: lëkurën e fishkur të fytyrës e kishte shpërfytyruar me thonjtë që kurrë nuk i priste, dorën e djathtë mezi ia nxorën nga gabzherri. Çfarë dhimbjeje pati, askush nuk e mori vesh. Kufomën ia gjetën pas shumë javësh në shtëpinë e saj në periferi, kur dikush u ankua se vinte kundërmim i rëndë sa dyshonte se shpërtheu kanalizimi para shtëpisë së saj. Kështu, qyteti u shkarkua nga një fantazmë që u rrinte mbi kokë natën e ditën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora