| E enjte, 16.05.2024, 07:53 PM |
Partizania
Vidna Rakoçeviq
Tregim nga Gani Mehmetaj
Sa
herë më dilte përpara, shqyeja sytë. E gjatë, e thatë, me fytyrë të acaruar, me
duar eshtake e gishta kanxha të frikshme, më gozhdonte figura e saj. Edhe kur
nuk më hakërrohej, s'më bënin këmbët të ecja tutje. Kalamajtë thoshin për të se
të rrëmben e të tretë prapa bjeshkëve. Gjyshja ishte e sigurt se është fantazmë
që e nxori varri jashtë. Babai kërcëllonte dhëmbët dhe na e përsëriste: Nuk e
dini kush është kjo shtrigë, dheu mos e trettë! Nëna na këshillonte të ruheshim
prej saj si prej dreqit. Ajo jetonte e vetme në një shtëpi në periferi të
qytetit. Askush nuk guxonte t'i afrohej oborrit të saj, askush nuk ia kishte
parë dhomat. Pëshpëritej se është e armatosur deri në dhëmbë si në kohë lufte.
Ndonjëherë shkrepte breshëri plumbash kot së koti në pikë të natës.
Gruan
e frikshme, Vidnën, gjithnjë e lidhja me fundin e djaloshit, emrin e të cilit
kurrë nuk e mësova, por rrëfimin për të e kujtoja çdo natë. Babai na e tregoi
një natë dimri të acartë atëherë kur hynë partizanët. Historia për këtë grua që
na e fuste frikën në palcë, shpesh më linte pa gjumë, jo rrallë zgjohesha i
larë në djersë, me pamjet e gishtit tregues në këmbëzën e mitralozit që villte
zjarr.
-Atë
mëngjes dimri që ta ngrinte gjakun ndër deje, hynë me zhurmë e britma
partizanët në Katundin e Ri, i mbështetën burrat ndanë gardhit, me ta e
rreshtuan edhe çunin trembëdhjetëvjeçar, - tregonte baba, ndërsa më bëhej se
fushëpamjen time e mbulonte figura e çunit të lemerisur në rreshtin e burrave
të katundit, në këmishë e të linjta të bardha, përballë togës së pushkatimit.
Rrëfimi vazhdonte:
-Hiqeni
atë kalama! - tha dikush, para se të shkrepte mitralozi.
-Lëreni,
mirë është, - tha partizania Vidna, prapa mitralozit të rëndë me syrin në
shënjestër e gishtin tregues në këmbëzën e armës së ftohtë.
-
Është fëmijë, - i tha dikush me zë lutës.
-Pa
qenë fëmijë nuk bëhet i rritur, - ia ktheu partizania e sertë.
Ajo
nuk i shihte fytyrat e frikësuara të katundarëve të sapozgjuar nga gjumi, ajo
shihte të njëzetë e gjashtë shënjestrat që do t'i godiste pas disa
çastesh. Fatkëqijtë këmbëzbathur e të
lidhur duarsh dy nga dy, me nga një copë teli a spango, prisnin e
dridheshin. Dy-tre fëmijë në gjirin e nënave
dridheshin e nisën të qanin. Nëna e djaloshit të rreshtuar për pushkatim çakërdisur
sysh, u përpoq ta nxirrte nga rreshti të birin e llahtarisur, por një partizan
e goditi në kokë me kondak pushke. Ajo ra pa ndjenja, dy partizanët tjerë e
tërhoqën zvarrë tutje.
Gratë
qanin pa zë, të mpira nga tmerri.
Partizania
Vidna, prapa mitralozit, iu drejtua grave fatkëqija, që ia turbullonin pamjen:
"Hiquni prej rruge, kudra!"
Ato
nuk dinin nga të shkonin. Në atë rrëmujë dy nga burrat e rreshtuar për
pushkatim, të lidhur njëri me tjetrin, shpëtuan për një fije floku, duke
kërcyer gardhiqet pupthi, megjithëse tre partizanë u shkuan prapa me krisma
pushkësh deri në fund të katundit, por nuk i kapën.
Trembëdhjetëvjeçari
i lemerisur para se të binte nga plumbat, i tha të atit pranë: "Po tutna!" I ati nuk
bëzajti, ia shtrëngoi dorën. Partizanët kishin krijuar gjysmëharkun, që të mos
u ikte asnjëri, ndërsa tytat ua drejtonin shënjestrave.
I
pushkatuan para grave e nënave. Partizania Vidna nuk e hoqi gishtin nga këmbëza
e mitralozit edhe një kohë pasi ra viktima e fundit. Koka e djaloshit kishte
rënë në prehrin e të atit. Qetësia e
mpiu Katundin e Ri.
Kufomat
i lanë ndanë gardhit. Në borën e bardhë gjaku shquhej thekshëm, trupat e
ngrohtë ende avullonin, ndërsa brigada partizane me Vidnën në krye vazhdoi
tutje. Ishte mëngjesi i hershëm i janarit.
Pas
kësaj masakre emri i shoqes Vidna, sikurse e quanin, ua ngrinte zemrat
katundarëve të Luginës së Drinit e të Lumëbardhit. Ajo mbolli vdekje ngado që
shkoi.
-
Në qytet pushkatimet nuk i bënin ditën për diell, por i ekzekutonin natën, -
tregonte baba, kurse ne e dëgjonim dhe nuk bëzanim. Kodrat sipër qytetit të
Pejës u mbushën me varre. Prapë përmendej emri i partizanes Vidna me mitralozin
gjerman.
Askush
nuk kishte dëgjuar më parë për të. Dinin se zbriti nga shkrepat e Malit të Zi
me brigadën partizane të Bokelit: vajzë e heshtur, e zymtë, me pantallona të
zhgunit ngjyrë kafe e opinga të lidhura me spango.
Burrat
që mbetën gjallë tregonin skena makabre në Lugun e Baranit, kur Vidna me
partizanët e brigadës së Bokelit silleshin rreth viktimave të pushkatuara, duke
vallëzuar- vallen e fantazmave në dritën e hënës.
#
Partizania
Vidna jetoi gjatë dhe e vetmuar. Fliste me vetveten, duke kthyer kokën herë
majtas, herë djathtas, sikur ta ndiqnin hijet e atyre që i kishte pushkatuar pa
pikë mëshire. Kur e kur u hakërrohej kalimtarëve që e shihnin të habitur. Me
flokë të kreshpëruar dhe fytyrë të zbehtë, i ngjante fantazmës. “Drakulla që pi
gjak!”, e quanin në qytet. Një ditë i erdhi fundi. Vdekja e Vidnës i tmerroi
qytetarët sa edhe krimet që kishte bërë: lëkurën e fishkur të fytyrës e kishte
shpërfytyruar me thonjtë që kurrë nuk i priste, dorën e djathtë mezi ia nxorën
nga gabzherri. Çfarë dhimbjeje pati, askush nuk e mori vesh. Kufomën ia gjetën
pas shumë javësh në shtëpinë e saj në periferi, kur dikush u ankua se vinte
kundërmim i rëndë sa dyshonte se shpërtheu kanalizimi para shtëpisë së saj.
Kështu, qyteti u shkarkua nga një fantazmë që u rrinte mbi kokë natën e ditën.