| E enjte, 23.05.2024, 07:57 PM |
Masakra në burgun D
(Fragment
nga romani "Lufta e pengjeve" që u promovua këto ditë në Prishtinë)
Nga
Gani Mehmetaj
-
Nuk është shenjë e mirë, që nuk e kemi asnjë të burgosur serb, - nuk e mbajta
dot për vete.
-
Ç’të duhen? - ma priti një bashkëvuajtës.
-
Do t’ia shohim sherrin kësaj pune, - ia tregova frikën time.
Avionët
e NATO-s endeshin mbi kokat tona me predhat e gatshme të na shënjonin, por
pastaj predha shpërthente gjetiu. Qendra e raketave tokë-ajër e fshehur prapa
burgut, po e ndillte kobin. Ashtu ngjau. Kur nisën shpërthimet e raketave,
dyert e dritaret, me mure e grila të hekurit plasnin nga shpërthimet. Artileria
e fshehur prapa burgut, po bombardohej nga avioni i NATO-s. Forca e shpërthimi
a ajri i nxehtë na përplasi për muri.
Disa u plagosën. Na mbërtheu paniku, nisëm të kërkonim vrima ku të fusnim
kokën. Një grup doli në oborrin e burgut, të rrethuar me mure të larta dhe tela
me gjemba. Disa u fshehën, që t’i shmangeshin çerdhes së mitralozit që
qëndronte kërcënueshëm mbi murin rrethues. Bombardimet reshtën. Shumica u
shpërndamë jashtë qelisë. Nata kaloi në qetësi të frikshme.
Të
nesërmen policët kërkuan të rreshtoheshim në oborrin e burgut, por shumica nuk
ishin në rresht. Ishin fshehur nëpër shtrojera të ndryshme. Gardianët qëndronin
në distancë, me tyta pushkësh drejtuar nga ne. Nga kulla e vrojtimit,
komandanti i burgut urdhëroi gjuajtjen pa paralajmërim. Ishim disa qindra të
rreshtuar, ndërsa qindra të burgosur të tjerë nuk dilnin nga vendet ku ishin
fshehur. Gardianët nisën të gjuanin edhe mbi ata që fshiheshin. Çerdhja e
mitralozit në murin me gjemba i korrte fatkeqët që u sulën drejt murit me shpresën
të shpëtonin. Ishte një vrap instiktiv, sepse dihej që s’kishim asnjë mundësi
të kalonim murin e lartë as në rrethana normale. Të njejtën gjë bëri edhe grupi
tjetër, që e kërkonin shpëtimin prapa pengesave të oborrit të burgut. Sekush
futej nëpër gropa kanalizimesh, duke hequr kapakët e hekurit. Por kur policët e
morën veten, se u erdhën në ndihmë njësitë speciale nga qyteza dhe civilë të
armatosur, nisën të shpërndaheshin nëpër oborr dhe nëpër kënde ku ishin fshehur
të burgosurit. Gjuanin mbi ta pa u përpjekur t’i kapnin. Krismat e kallashëve
dhe të revoleve i mbizotëruan klithmat e të burgosurve. Dikush përpiqej t’ia mbathte, ndonjëri e
tërhiqte këmbën zvarrë i plagosur, tjetri tërhiqej rrëshqanë që të shpëtonte
nga breshëria e plumbave. Nuk dija ç’të bëja. Ata që përpiqeshin të dilnin nga
ky ferr, përfundonin të bërë shoshë nga plumbat. Shihja pastaj nga një kënd i
vdekur se si policët hapnin kapakët e pusetave, ku ishin fshehur disa nga të
burgosurit, dhe hidhnin bomba brenda. Nuk përpiqeshin t’i nxirrnin, as t’i
tërhiqnin zvarrë. Më kapi tmerri. Nga pozicioni im shihja vrasje makabër.
U
pataksa kur pashë Bozhon me kallash në dorë, si i hapte pusetat, e shkrepte nga
një rafal dhe e mbyllte pasi e hidhte një granatë dore në të. Imagjinoja se si
granata i bënte copë-copë ata që ishin strukur në kanalizim. Kaloi pranë vendit
ku isha fshehur, sytë i kishte të përgjakur, fytyrën të ënjtur e të skuqur nga
rakia dhe pagjumësia. Më vinte t’i dilja përballë, por pastaj strukesha nga
frika se do të më shqyente po t’i jepja të njohur.
Disa
dolën nga shtrojera ku ishin fshehur, nisën të dorëzoheshin me duar të ngritura
lart, por kjo nuk i ndihmoi. I vrisnin në këmbë. Ndonjëri nga policët, kur i
shihte që shpurdhnin, për kënaqësi i qëllonte në këmbë a në gjymtyrë. Ulërimat
e të plagosurve të tmerronin.
T’ia
mbathje jashtë nuk kishe si, muret ishin tepër të larta, telat me gjemba të
pakalueshëm. Masakra s’kishte të mbaruar. Natën e kaluam në pritje e tension.
Të nesërmen vazhdoi ndjekja e të burgosurve të shpërndarë. U erdhën në ndihmë
forca të reja, ushtarë e paramilitarë. Të gjallët po pakësoheshim, rezistencë
nuk pati, askush s’kishte armë. Dikur na kapën edhe neve që ishim strukur
cepave të burgut, por çuditërisht nuk na vranë. Na grumbulluan në një vend, na
urdhëruan të tërhiqnim të vrarët, na thanë t’i bënim stivë. Na rrinin mbi kokë
me revole, ose me kallash. Punuam kohë të gjatë, bëheshim ujë nga djersët dhe
nga tmerri. Disa i njihja, disa i kishte shpërfytyruar breshëria e plumbave.
-
Tmerr, - thashë me zë, i çrregulluar nga pamjet. Gardiani që më rrinte mbi kokë
më pa me kërcënim.
-
Çfarë murmurite?
Nuk
i ktheva përgjigje, më kishte mpirë pamja e kufomave të shpërfytyruara. Të
vrarët më dilnin në gjumë, zgjohesha i larë në djersë, më dukej se më akuzonin
pse nuk fola askund, pse nuk tregova. Kujt t’i tregoja? Pas ndonjë dite na
nxorën nga burgu, na hipën në autobus dhe na nisën në drejtim të panjohur. Pak
shihja nga dritarja me qelqe të pluhurosur, më kishte humbur interesimi për çdo
gjë. Udhëtimi përfundoi në mbrëmje. Pastaj na mbyllën brenda. Shumicën e
shokëve të qelisë së burgut, nuk i pashë më. Nuk dija ishin gjallë a kishin
vdekur. Pakkush dinte për tjetrin.
Mllefin
ndaj armikut të tyre e zbraznin mbi ne. Na godisnin me tërbim sa nuk mblidhnim
dot forcë të nxirrnim duart para, të mbronim kokën. Kishim lëshuar krahët,
ishim dorëzuar pa e ngritur flamurin e bardhë. Ata na trajtonin si armiq, ndaj
të cilëve nuk duhej të kishin mëshirë. Ku e gjenin gjithë atë energji negative,
gardianë e civilë, asnjëherë nuk e kam kuptuar.
Mungonte
vetëm Bozho i përgjumur me sy të përgjakur, që nuk e takova më.