Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Tragjedia e fisit Kuçi

| E shtune, 07.09.2024, 05:55 PM |


Tragjedia e fisit  Kuçi

Nga Gani Mehmetaj

Fati i fisit të Kuçi është fati më tragjike i shqiptarëve. Dikur malësorë të lirë sikurse mirditorët, luftuan qindra vjet kundër turqve, luftuan edhe më egërsisht kundër malazezëve, që udhëhiqeshin nga oficerë të shkolluar rusë.

Fisi i Kuçit shpesh luftoi në dy fronte kundër turqve dhe kundër  malazezëve. Lufta gati i shfarosi. Ata që mbetën u shpërngulën në Dardani, Kroaci, u asimiluan në Mal të Zi e Serbi. Fare pak mbetën në fenë burimore, edhe më pak e ruajtën gjuhën. Pjesëtarët e këtij fisi luftarak shqiptarë u shprishën në tri kombe dhe në tri fe pas luftës malazeze-shqiptare, veçmas para dhe pas Kongresit të Berlinit.

Në Mal të Zi ata që shpëtuan kokën nga gjenocidi u asimiluan në malazezë ortodoks, ndërsa ishin shqiptarë katolikë. Kështu, ndryshuan komb e fe nga dhuna shfarosëse malazeze. Në Kroaci, ku ikën, që atëbotë ishte pjesë e Austro-Hungarisë, u bënë kroatë, ndërsa fenë e të parëve e ruajtën. Në Dardani Perandoria turke i detyroi të bëheshin myslimanë, por gjuhën dhe kombin i mbajtën, sepse komb tjetër pos shqiptarëve në Dardani nuk kishte.

Kam takuar pinjoj të këtij fisi në Mal të Zi edhe me 2010 që tregonin se si gjyshërit e tyre flisnin shqip, tregonin me mall, pavarësisht që ata flisnin sllavisht se gjaku ujë nuk bëhet. Në Kroaci, Mal të Zi e Serbi kam takuar artistë të suksesshëm filmi e letërsie me prejardhje kuçiane, por të shkëputur përgjithmonë nga trungu shqiptarë. Vetëm kur deheshin nëpër ndejat e kineastëve pas mesit të natës në festivalet e Pulës, Zagrebit, Beogradit e Budvës dhe, veçmas kur merrnin vesh se jam shqiptar, nisnin e rrëfenin më pikëllim të pafundme tragjedinë e tyre dhe fatkeqësinë e gjuhës e të kombit që e braktisën.