E merkure, 04.06.2025, 06:46 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kur Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës

E diele, 11.05.2025, 06:57 PM


Kur Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës

Nga Gani Mehmetaj

Në redaksinë e Cyrihut (Zvicër), ku isha kryeredaktor i gazetës “Rilindja” botim për Evropën Perëndimore dhe SHBA, më informuan për takimin e Kadaresë në Gjenevë, ku foli për politikë, megjithëse promovonte një libër.

Një gazetar më lajmëroi se ai foli për Rugovën, duke e kritikuar për qëndrimin paqësor, përderisa policia e ushtria serbe bënin dhunë të paparë.

Ibrahim Rugova me Ismail Kadarenë njiheshin më herët. Takimi i tyre i parë u bë në verën e vitit 1992, Kadare ishte tepër i kënaqur kur i takova pas mesit të natës në Saint-Michele (Lagjja latine aty nga ora 01h 30 min. e natës), biseda ishte e gjatë dhe e domosdoshme, pastaj kjo në foto në vitin 1996, shkruan Musa Jupolli, intelektual dhe veprimtar i njohur në Francë. Pastaj thuhet se ata u takuan disa herë në rrethana të ndryshme,  Kadare lobonte në qarqet intelektuale e artistike, shkruante  shkrime në shtypin francez për çështjen shqiptare të Kosovës, kurse Rugova takohej me personalitete të politikës.

Kur e kritikoi Rugovën, në parim Kadareja pati të drejtë, sikur gjërat të ishin ashtu siç i vlerësonte ai nga Gjeneva apo nga Parisi. Çdo rezistencë individuale të shqiptarëve, Serbia e ndëshkonte rëndë, ia shuante familjen, e shuante katundin. Të paktë ishin ata që do të pranonin të flijonin familjen.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dështoi, sepse u formua brenda territorit të Kosovës, ku ndiqej hap pas hapi nga shërbimi sekret serb, që ishte ndër më të organizuarit jo vetëm në Ballkan. Shqipëria nuk lejonte struktura të armatosura të Kosovës, brenda territorit shqiptar. Perëndimi ndiqte çdo përpjekje për organizim. Dhe Rugova, megjithëse i përcaktuar për politikën paqësore, e tha shumë herë publikisht: Askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve ta mbrojnë pragun e shtëpisë, pra vatrën e tyre. Rrethanat ishin më të rënda sesa mund t’i përshkruaj. Raportet nga terreni të rrëqethnin.

Rugova ishte i pafuqishëm të bënte më shumë. T’i kundërviheshe Serbisë me kryengritje të armatosur, paraqiste aventurë me pasoja të rënda. T’i kundërviheshe me luftë guerilje, pa mbështetje ndërkombëtare, do t’i kushtonte shtrenjtë popullatës. Shenjat për mbështetje të tilla qenë të vakëta.

Në atë kohë kur fliste Kadareja për indolencën dhe mospërgjigjen e duhur ndaj dhunës me dhunë, asnjë faktor ndërkombëtar nuk e këshillonte rezistencën e armatosur, përkundrazi në çdo takim ndërkombëtar i tërhiqnin vërejtje Rugovës që të mos hynte në aventura. Është çështje tjetër që shtetet e rajonit u përpoqën ta fusnin në lojën e rrezikshme të luftës, për ta shpërqendruar vëmendjen e Serbisë nga vetja. Këtë e bëri Kroacia në kohën e Tuxhmanit, këtë donte të bënte edhe shteti shqiptar, sepse kishte probleme të brendshme e acarime me ndërkombëtarët, që nuk ua përfillnin fjalën.

T’i përgjigjeshe dhunës serbe me rezistencë të armatosur, ashtu sikurse duhej të veprohej, ishte aventurë me pasoja të mëdha, me më shumë të vrarë sesa në Bosnjë e Hercegovinë, sepse ata u armatosën mirë. Ndërkaq, ne s’kishim as pushkë gjuetie.

Kur fliste, Kadare i hynte në hak Rugovës, më shumë nën peshën e përjetimit nga gjendja e rëndë e shqiptarëve, pra ishte reagim emocional e jo racional.

Nga takimi i Kadaresë në Gjenevë, sepse shkrimtarin tonë e vlerësonte gjithë bota, botova një raport pa e komentuar. Ditëve në vijim shkrova një koment kritik ndaj akuzave të Kadaresë, të cilin e çmoja sa për gjenialitetin e tij në romane, aq edhe për angazhimin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës, si asnjë shkrimtar e intelektual tjetër. Por më brente dyshimi se i kishte rënë në qafë Rugovës, i keqorientuar nga të tjerët. Mbase edhe ndonjë “bashkëpunëtor” i Rugovës, e nxiti mërinë e Kadaresë.  e kërkonte fajtorin në vend të gabuar.

Më dëshpëronte dijenia se Kadareja informohej kryesisht nga kundërshtarët e Rugovës. Diplomatët shqiptarë në Perëndim, po ashtu bënin punë të mbrapshta.

Më dëshpëronte Kadareja, sepse fjala e tij çonte peshë, Rugova e çmonte shumë, tregonte simpati e dashamirësi.

Rugova kurrë nuk iu përgjigj kritikave të rrepta të Kadaresë, kurrë nuk nxori asnjë fjalë të keqe për të, as në bisedat private.

Ibrahim Rugova ndryshonte nga tipat e aventurierëve, që i ndryshonin opsionet politike sipas stinës.

-Pse nuk i përgjigjeni Ismailit, e ka pyetur një herë miku i tij Musa Jupollli.

-Na duhet Kadareja për çështjen e Kosovës, -i tha i qetë Rugova.

Kadareja ishte aktiv në jetën publike dhe sidomos, u bë militant i çështjes së Kosovës. Shkruante e polemizonte me ata që përpiqeshin të fshihnin krimin e serbëve në Kosovë. E vlerësoja për gjenialitetin e tij, e botoja çdo lajm që na vinte për të; për romanet e tij të botuara në shqip, apo të përkthyera në gjuhë të huaj.

(Matrial për filmin e gjatë dokumentar artistik: "Ibrahim Rugova , rilindasi i fundit" (titull pune).

Ibrahim Rugova, Ismail Kadare, Musa Jupolli: Nga takimi në një restorant afër Sorbonës (Paris, 1996).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx