E hene, 04.08.2025, 06:41 AM (GMT+1)

Editorial

Agron Tufa: Populli shqiptar nxiton të heqë qafe mbeturinat e fundit të Lirisë

E diele, 03.08.2025, 06:59 PM


Populli shqiptar nxiton të heqë qafe mbeturinat e fundit të Lirisë

Nga Agron Tufa

Në thelb, Shallvarja me dyzet kut pëlhurë, po përpiqet të ligjërojë Qesëndinë si krim politik, - një praktikë që njihet mirë në federatën autokratike ruse, në regjimin represiv të Bjellorusisë apo në Turqinë e Erdoganit, ku mijëra qytetarë janë ndëshkuar për “fyerje ndaj presidentit”. Dhe sot, Shqipëria  e Shallvares — në një moment kur i ka asfiksuar de facto liritë, nxiton ta konsakrojë dhe de jure — po përkthen mekanizmin e censurës në gjuhën e saj zyrtare.

Shallvarja ka ndërmend të njëjtësohet ligjërisht si simbol kombëtar (“mbrojtje e simboleve kombëtare”).  Në thelb ai përbën një hap të drejtpërdrejtë drejt shpartallimit të lirisë së shprehjes, një nga shtyllat themelore të çdo demokracie funksionale. Nëse ky ndryshim miratohet, ai nuk do të shërbejë për të mbrojtur autoritetin e institucioneve, por për të shtypur çdo opozitë politike e civile dhe zërin e qytetarit kritik, për të ngrirë ironinë, satirën, protestën, për të ngritur një mur ligjor midis pushtetit dhe popullit.

Shallvares me dyzet kut pëlhurë pushtet, nuk i intersen mbrojtja e simboleve. Një përdhosësi të gjithçkaje, nuk i plas për simbole, përpos se për t'i tallur. Dhe këtë po bën dhe jua them: do ta arrijë. Ngjashëm me sivëllezërit e tij Putin, Llukashenko e Erdogan.

Shallvarja po ndjek hapat e diktatorëve paraardhës ku u miratuan këto lloj ligjesh:

Rusia

Në vitin 2012, Rusia riktheu kriminalizimin e shpifjes në Kodin e saj Penal, pas një periudhe dekriminalizimi. Ligji ndalon shpifjen dhe fyerjen e figurave shtetërore, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo ka çuar në ndjekje penale të individëve që kritikojnë autoritetet, duke shkelur lirinë e shprehjes.

Bjellorusia

Në Bjellorusi, ligjet për shpifjen dhe fyerjen janë përdorur për të ndëshkuar kritikët e qeverisë. Për shembull, neni 368 i Kodit Penal ndalon fyerjen e Presidentit, me dënime që mund të arrijnë deri në pesë vjet burg. Këto ligje janë përdorur për të persekutuar gazetarët dhe aktivistët politikë.

Turqia

Në Turqi, neni 299 i Kodit Penal kriminalizon fyerjen e Presidentit, me dënime që variojnë nga një deri në katër vjet burg. Ky nen është përdorur për të ndjekur penalisht individë që kritikojnë Presidentin, përfshirë gazetarë dhe qytetarë të zakonshëm. Një shembull i njohur është rasti i Merve Buyüksaraç, ish-Miss Turqia, e cila u dënua për një poezi satirike që ajo postoi në Instagram.

Shqipëria

Në Shqipëri, për shembull, neni 55 i Kodit Penal gjatë periudhës komuniste kriminalizonte shkanë ose dhe aludimin si të tillë ndaj ndonjë teme tabu, një praktikë terroriste, shtypëse. Hierarkët e saj ishin parardhësit e PS dhe të Shallvares. Por të jemi të qartë, Shallvares nuk ia ndjen për ideologjinë, për për mekanizmin e kontrollit dhe shtypjes. Prandaj po e rikthenin nenin "55" të etërve të tij.

Populli shqiptar, masa, është zhgënjyer me lirinë, e urren në kockë atë dhe nxiton të heqë qafe sa më parë mbeturinat e fundit të saj. Njerëz si puna ime, dmth., si ju, janë tejet të urryer. Andaj do të jenë grushtbashkuar rreth Shallvares. Populli pret sa më parë t'ia stampojë kafkën dhe profilin në një monedhë. Thonë se po bëhen provat e para për emetimin e monedhës së ardhshme me tullën e Shallvares...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx