E marte, 29.07.2025, 04:23 AM (GMT+1)

Editorial

Nikoleta Kovaçi: Llumi i lekëve dhe lekët në duar horrash!

E hene, 28.07.2025, 06:59 PM


Llumi i lekëve dhe lekët në duar horrash!

Nga Nikoleta Kovaçi

Dhunimi i djalit në Vlorë, që shërbente në një ambient të fortësh, nji tavoline të fortësh, që bëhet objekt mesazhi mes të fortësh, nuk asht ndonjë histori e padëgjuar këtu, veçse ka nji problem; sa në gjendje janë shqiptarët të përceptojnë vendin dhe situatën ku janë, gjenden e rrinë të fortët; ata që përbajnë llumin e lekëve, që na iu rrahim shpatullat, i quajmë të zotët dhe i vëmë edhe në krye të vendit...

Që kur kam nis me e shkelë me kamë Shqipninë, ma shumë prej pune se për qejf, se unë nuk kam lekë me shkue për pushime në vende ku kriminelët kanë ngrit perandoritë e tyne, lokalet apo edhe restorantet e panjohura gjithnjë i kam identifikue. Edhe në qoftë se jam ndal për nji kafe; nëse aty kam pa ma shumë se sa rrok syni jem për atë vend, gjithnjë kam holumtue se kush asht mas tij, pra lokalit, restorantit, apo çfarë do lloj gjaje që nuk e njoh. Zakonisht nuk shkel kurrë në ambientet që i kanë dy kategori njerëzish; politikajt dhe kriminelët. Madje edhe ca të njohurve që iu ban reklamë kryeministri që gjendet në krye të bandave e hajnave, nuk iu shkel kurrë ma; e kam kategorike përjashtimin, sepse aty gjithnjë ka diçka që nuk më shkon për shtat; për pasojë i kam të numërueme me gishta duarsh kafenetë dhe restorantet ku shkoj.

E bana këtë parantezë, jo me tregue vigjilencën teme që lekët e pakta të miat mos të shkojnë në duart e llumit të lekëve, por te një që i meriton, por për të thanë se, kur e di unë se kush e ka atë hotel-bar-restorant në Vlorë, që skam shkel kurrë aty, si paska mundësi që nuk e ditka ish-shefi i Policisë së Qarkullimit Rrugor të Vlorës?  Mirë, hamendësojmë se ai nuk e ka ditë, po personi që ishte me të, a e dinte...? Po personi i tretë që gjendej në tavolinë me ta kush ishte...? Si ka mundësi që në biznesin e një gangsteri që gjuan pushuesit me shpulla rrugëve, shkon një shef policie dhe i gjuan kamerierin me shpulla e grushte?

Ok, e zëmë se historia është veç kaq sa thuhet dhe kaq sa ka kuptuar djali që shërben në ambient të fortësh për tavolina me të fortë, po policia e prokuroria ç'a bajnë? Si asht e mundur që një shef policie dhunon nji djalë 18 vjeç në punë dhe askush nuk i vë prangat? Si nuk ka pak turp drejtori i Policisë së Shtetit që del e thotë e pezulluam? Ç’a do të thotë, e pezulluam...? Si asht e mundur që një zyrtar policie sillet si rrugaç dhe ordiner përballë një djali që gjendet në punë deri orëve të vona të natës, vetëm e vetëm që mos të dalë rrugëve, por të ndihmojë me aq sa mundet familjen e shpinë e vet?

Unë nuk e di se si i ka hallet djali që u dhunua, por di që ai djalë, nëse nuk ka lidhje me pronarin e ambientit ku punonte, duhet të mësojë të zgjedhë vendin ku punon. E di se këtu do të preken moralistët, ata që nuk e kanë problem me i çua robtë te llumhanja e shoqërisë, mjaft të marrin para me sjell në shpi, por  djem si Roni duhet të pajisen me vetëmbrojtje sidomos kur bahet fjalë me zgjedh vendin ku duhet të punojnë.

Sigurisht se paratë, dihet, në këtë vend janë në duar horrash, në duart e shtresës ma pa nivel, të atyne që hala nuk shkrujnë dot emnin e vet pa gabime, por përdorin sekretaret e ndonjë qyqe tjetër me ua ba punët, por djemtë si Roni duhen rujt, sepse ata bahen pa dashje viktima të mesazheve mes llumhanes me kostum të fortësh që marrin formën e shtetit që kena! Historia e dhunimit të Ronit asht shumë ma përtej atyre grushteve në fytyrën e tij të njomë, asht punë horrash që kanë në duar paret tona që ua ka dhanë shteti më në krye Edi Ramën...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx