Editorial
Xhemaledin Salihu: Ruajtja e identitetit përmes trashëgimisë kulturore
E enjte, 26.06.2025, 04:59 PM
RUAJTJA E IDENTITETIT PËRMES TRASHËGIMISË KULTURORE
Shkruan:
Xhemaledin SALIHU
Hyrje
Duke patur parasysh gjendjen e vështirë
të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, gjendjen jashtëzakonisht të
vështirë të Trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë kulturore shqiptare, sidomos
kërcënimet e shumta të identitetit shqiptar, mora përsipër ta trajtojë temën ruajtjen
e identitetit përmes trashëgimisë
kulturore. Konventat botërore dhe europiane mbi trashëgiminë dhe
krijimtarinë kulturore, trashëgiminë tonë kulturore shqiptare e konsiderojnë pjesë të trashëgimisë kulturore civilizuese europiane e
botërore.
1.Çfarë nënkuptojmë
me identitet?
Sipas
ekspertit Antoni D. Smith: (autor i veprës “Identiteti kombëtar” – National
Identity, London 1991), janë 6 tipare kryesore të një bashkësie kombëtare:
emri kolektiv i përbashkët, miti mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesa e
përbashkët historike, një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së
përbashkët, lidhja me një atdhe të caktuar dhe ndjenja e solidaritetit dhe
përbashkësisë e një pjese të rëndësishme të popullsisë.
2.Çka nënkuptojmë me trashëgimi
kulturore
Nga Wikipedia
Trashëgimia kulturore është
trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë të
cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, tek gjeneratat e tashme me
qëllim të kujdesit për të mirën e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore
përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale (të tillë si
ndërtesat, monumentet, peizazhet, librat, veprat e artit dhe objektet e
ndryshme), kulturën shpirtërore, (të tilla si folklori, traditat, gjuha dhe
njohurit tradicionale), si dhe trashëgiminë natyrore (duke përfshirë peisazhet
e rëndësishme kulturore).
Grup
autorësh, Trashëgimia kulturore, Prishtinë, 2023, f.6: “Në përgjithësi, me
termin” Trashëgimi kulturore nënkuptohet kultura e trashëguar nga e kaluara, të
cilën e përjetojmë dhe e vlerësojmë në të tashmen, për ta bartur gjeneratat e ardhsme, që ta gëzojnë në të
ardhmenë”
Po
aty:f.8: “Trashëgimia kulturore është ambasadore e së kaluarës të një populli.
Ajo tregon veçantinë e kulturës së një populli, si dhe ngjashmëritë me kulturat
e popujve të tjerë.”
Trashëgimia
kulturore është vlerë qenësore e kombësisë apo përkatësisë kombëtare-përmes saj
në kuptojmë lirinë, përkatësinë, identitetin, barazinë e diversitetin.”
Terma
të ndryshëm: traditë janë nënkuptuar folklori, kostumet dhe trashëgimi kulturore/ka nënkuptuar kalatë,
trashëgiminë arkeologjike, ndërtimore, fetare, ndërsa sot nënkuptojmë me trashëgimi
kulturore traditën dhe trashëgiminë kulturore.
“Popujt, si
dhe foshnja, kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe përvojat
e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë
gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit.”
Pra,
ekziston trashëgimia kulturore material, shpirtërore dhe natyrore.
Vlerat
kryesore të trashëgimisë kulturore janë: vlerat historike, vlerat artistike,
vlerat simbolike/plisi/, vlerat shoqërore/dasma/, vlerat ekonomike /turizmi
kulturor/, vlerat edukative, vlerat shkencore, vlerat lokale dhe ato universale.
Prof. dr.Anila Omari:
“...Fëmija
edukohet nga familja shqiptare me gjuhë amtare e me kulturë, traditë e
trashëgimi shqiptare. Mirëpo më vonë kur fillon shkollimin, ai përballet më
lloj lloj lëndësh, të cilat fillojnë ndryshe ta edukojnë fëmijën. Pra ka të
atillë në shkolla po edhe ndër “intelektualët që thonë se kryesorja është që
mëson gjuhën amtare dhe për detyrë mbetet mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe.
Në këtë edukim, fëmija dalëngadalë harron që pos gjuhës shqipe të edukohet me
kulturën, traditën, trashëgiminë shqiptare. Në këtë drejtim më shumë edukimin e
fëmijëve e bastardhon mësimi i lëndës fetare qysh në klasën e parë apo edhe i
gjuhëve të huaja. Për ate preferoj dhe propozoj që mësimi i lëndës fetare të
filloj në shkollë të mesme, ndërsa e gjuhëve të huaja në klasën e pestë, për
një mosngarkesë psikologjike të fëmijëve. Atëherë do të kemi fëmijë të dijshëm,
të shëndetshëm,me njohuri elementare nga lëndët të tjera e jo fëmijë të
ngarkuar më shumë lëndë, të cilat ia humbin hapin fëmijës që në shkollë fillore
dhe shkollimi i duket i vështirë.
Faza e
mëvonshme e Fëmijës duhet ta studiuoj, ta dashuroj, ta mbroj dhe ta ruaj edhe
trashëgiminë kulturore dhe shkencën shqiptare, sepse pa këto nuk zhvillohet dhe
ruhet e mbrohet edhe gjuha amtare.
Nuk mund
të mbijetoj gjuha shqipe pa kulturë, pa traditë, pa trashëgimi kulturore, pa
shkencë shqiptare, sikur po propagandojnë disa individë dhe institucione
shqiptare!?”
Presheva,
gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të
progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme
nëpër periudha të ndryshme kohore. Secila prej këtyre periudhave në vete ka
pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë natyrore dhe asaj
shpirtërore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre
kulturore, natyrore dhe ajo shpirtërore nuk është hulumtuar, studjuar,
identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi
shumë lokaliteti, objekte dhe gjësende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore,
sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar dhe aspak të
ruajtur, aspak të mbrojtur dhe nën përkujdesjen e shtetit.Pra, gjendja edhe
pozita e trashëgimisë kulturore në Preshevë është e vështirë me tendencë të
shkatërrimit total të saj.
Ato,
në emër të ndërtimeve moderne, gërmimeve jo zyrtare arkeologjike, dorës së
njeriut të paditur dhe për një interes personal apo kolektiv përfitimi,
lokalitetet, objektet dhe vlerat të trashëgimisë kulturore, aspak nuk kursehen,
rrezikohen deri në shfarrosjen e tyre. Andaj popullata, institucionet, organet
shtetërore, shoqëria civile, Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë me
fanatizëm të madh duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë edhe ato pak objekte që kanë
mbetur në komunën e Preshevës.
Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari
Kulturore në Preshevë, e themeluar më 2010, me të vetmin qëllim dhe
mision të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe kultivimit e
zhvillimit të krijimtarisë kulturore shqiptare, në realitet të ruajtjes së
identitetit kombëtar të Shqipëtarëve përmes trashëgimisë kulturore, me të
drejtë legjitime dhe në suaza të obligimeve që i ka marrë mbi vete, njofton
opinionin e gjërë publik, në veçanti institucionet dhe organet kompetente të
Republikës së Serbisë, se gjendja e vendeve, objekteve të Trashëgimisë kulturore,
me vlera historike, kulturore, etnologjike, arkeologjike, ndërtimore, muzeale,
fetare të së kaluarës tonë, të lashtë
dhe asaj të mesme janë në gjendje të mjerueshme, disa nga të cilat gati
janë në fazën përfundimtare të shkatërrimit, mu përshkak të moskujdesjes së
insittucioneve dhe organeve të lartëpërmendura, të cilat asnjëhertë jo vetëm që
nuk u kujdesën, por asnjëherë nuk reaguan ashtu siç i kanë obligimet statutare
për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore.Shembuj kemi në Miratovc, në Tërrnavë, në
Bukuroc, në Preshevë, në Bilaç, e tjerë.
Të shpresojmë se veprimet e tilla dhe
të ngjajshme, është koha e fundit që në të ardhmen të mos përsëriten, se
përndryshe Shoqata e jonë për Trashëgimi do ta ngritë zërin edhe më lartë, duke
i sensibilizuar edhe institucionet tjera jo vetëm vendore, por edhe ato ndërkombëtare.
Shqiptarët
e Luginës së Preshevës ishin edhe më të varfur para Luftës së Kosovës dhe ditën
ta ruajnë dhe mbrojnë identitetin kombëtar që e kultivuan prindërit dhe
gjyshërit tanë, ata asnjëherë nuk e humbën shpresën për të jetuar, për të qenë
shqiptar. Mirëpo, tashti edhepse kushtet janë më të mira materiale sikur ka
humbur shpresa për një të ardhme më të mirë. Këtu dikush ka faje,a janë
intelektualët, hoxhallarët apo klasa politike?
Çështja
e mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit shqiptar është elementare për çdo shoqëri
dhe çdo individ të formuar, intelektual,
të vetëdijësuar, të ndërgjegjshëm, atdhetar.
Pra,
nuk është kurrëfarë patriotizmi i shtuar.
Individi
që lakmon ndërrimin e identitetit kombëtar dhe nuk nderon trashëgiminë
kulturore shqiptare është xero dhe pa vlerë shoqërore.
Për
ata që synojnë dhe lakmojnë për identitete të tjera kombëtare: gjermane,
amerikane, italiane, arabe, turke, myslimane, serbe, maqedonase e tjerë janë jo
kombetar, jo intelektual, të pa vetëdijësuar, të pa ndërgjegjshëm dhe jo
atdhetar.
Identiteti
jone kombëtar për çdo ditë po sulmohet nga ideologji të ndryshme lindore apo
perëndimore dhe askush nuk po merakoset për këtë dukuri, sikur jemi strukur me
hallet tona familjare, shoqërore dhe nuk konfrontohemi me këto dukuri që po na
ndodhin për çdo ditë. Këtë e quaj indoktrinim. Gjatë socializmit jugosllav
tejkaluam dhe e flakëm indoktrinimin, vëllazërim-bashkimin dhe krijimin e
kombit jugosllav, ndërsa tashti po anojmë kah kombe të tjera, sidomos kohëve të
fundit ka marrë hov një lëvizje të them globale në krijimin e një kombi
mysliman, për të gjithë popujt me përkatësi fetare islame. Shqiptarët si komb
me popullatë të pakët do të shkrihen dhe nuk do të ruhet identiteti shqiptar
dhe trashëgimia kulturore shqiptare në këtë komb “mysliman”. Lëvizja vehabiste
dhe selefiste ndër Shqiptaret ka obligim dhe qëllim që trashëgiminë kulturore
shqiptare lokale ta shkatërrojë.
Është
absurde për ne të imagjinojmë se mund ta promovojmë dhe imponojmë veshjen tonë
kombëtare, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare në vendet
arabe apo në Turqi?
Ne nuk i
detyrojmë ata të veshin veshjen tonë kombëtare, të mësojnë shqip apo të ndjekin
adete, zakonet tona.Askush nuk po na bën nder duke na hequr kulturën tonë.
Askush nuk
po na bën nder duke e zëvendësuar identitetin shqiptar me një model të huaj që
nuk ka lidhje me rrënjët, historinë apo shpirtin e këtij populli.
Në ruajtjen
dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet të angazhohen institucionet përkatëse,
por nuk duhet të anashkalohen komunat e Luginës së Preshevës, shoqëria civile,
SHTKK dhe individi. Trashëgiminë kulturore nuk po e shkatërron vetëm natyra,
por edhe dora e njeriut. Kemi shumë raste.
Gjuha dhe
trashëgimia kulturore janë trupi i identitetit shqiptar. Mospërfillja e trashëgimisë
kulturore shqiptare e shkatërron identitetin shqiptar, ndan trupin e
identitetit shqiptar nga gjuha shqipe. Asimilimi i gjuhës shqipe dhe trashëgimisë
kulturore asimilon identitetin shqiptar, ndërsa disa shqipëfolësa po na servojnë
se mjafton vetëm gjuha shqipe, pa trashëgimi kulturore, pa rrënjë të trupit të
identitetit kombëtar. Pra identitet kombëtar shqiptar është: gjuha shqipe,
trashëgimia kulturore, kultura, arsimi, shkenca shqiptare.
Njollosja
e flamurit, heronjve e tjerë është bërë modë e përditshme e disa “intelektualëve,
hoxhallarëve e tjerë
Në këtë kohë të çthurrjeve shoqërore, të
çthurrjeve arsimore, kulturore, politike, trashëgimisë kulturore, traditës,
familjes si bërthamë themelore e shoqërisë, sidomos të identitetit kombëtar të
Shqiptarëve, po e them me shumë përgjegjësi, po rrezikohet identiteti kombëtar
edhe ate në përmasa shumë të mëdha,.
Intelegjenca shqiptare duhet të zgjohet
nga gjumi i thellë, se e kanë trullosur, e kanë hipnotizuar, e kane droguar me
shumëçka, vetëm jashtë kësaj që po i ndodh identitetit kombëtar, nga këto
ndikime të shumta të brendshme e të jashtme. Zgjohu o Shqiptar, sa nuk është bërë
vonë!
Për
ta ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe përmes të saj edhe të
identitetit kombëtar, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
kulturore realizoi 2 projekte të mëdha, me zgjatje nga gjashtë muajë, ku bëri
evidentimin, regjistrimin, fotografimin, inçizimin dhe komplet dokumentacionin e
plotësuar të një formulari prej 24 pyetjesh për 335 objekte të trashëgimisë
kulturore në komunën e Preshevës dhe 447 objekte të trashëgimisë kulturore të
komunës së Bujanovcit. Poashtu Shoqata për Trashëgimi i propozoi Këshillit
Kombëtar Shqiptar dhe komunës së Preshevës që disa nga objektet që nuk janë në
listën ligjore mbrojtëse të Republikës së Serbisë, në mbështetje të Ligjit të
hyjnë në Listë mbrojtëse ligjore të komunave.
Ruajtja
më e mirë bëhet përmes edukimit të brezit të ri. Përmes edukimit bartet njohja
dhe vlerësimi i saj, por edhe dashuria e frymëzimi për ta ruajtur identitetin
dhe trashëgiminë kulturore.
Gjatë viteve 2019, 2020, 2021, 2022, 2023
dhe 2024 realizuam projekte: „Nxënia e diturive dhe edukimi i Fëmijëve dhe të
Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore si dhe promovimi e prezantimi i kësaj
trashëgimie në Preshevë dhe Bujanovc.“
Kështu gjatë kësaj periudhe organizuam
dhe realizuam 16 Konferenca shkencore: 13 Konferenca shkencore i realizuam në
Preshevë, një të përbashkët me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe 2
Konferenca shkencore në Medvegjë, me botimin e 21 librave: prej tyre 14 libra
me punimet e Konferencave shkencore, 4
libra autoriale dhe nga letërsia botuam 3 libra.