E premte, 25.07.2025, 10:42 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Cila ishte lënda e kujtesës së popullit shqiptar?

E marte, 17.06.2025, 06:52 PM


Ndue Ukaj:

Lufta mbaroi në qershor të vitit 1999. Disa ditë me radhë ra pandërpre shi dhe shpejtësisht, ende pa u tha lulet nëpër varre të çelura nga lufta, ia bëhu një tjetër luftë, një rendje e harbuar pas lavdisë dhe në këtë maratonë njerëzit ngjesheshin e ecnin të trullosur pa këqyrë përreth, madje kishte të tillë që shkelnin mbi të tjerët, disa më të dobëtit rrëzoheshin, të cilëve pakkush ua shtrinte dorën. Dhe tingëllonte në kufij të fatalitetit, por ishte diçka e njohur tashmë: në kohë lirie njerëzit harronin shpejt ditët e egra, stuhitë, kishte të tillë që kurrë s’e shfletonin më të kaluarën e tyre, siç ndodhi me Marinin, i cili i la në një kënd të shtëpisë shënimet e tij, të përziera me citate shkrimtaresh, vargje, aty këtu me ndonjë vizatim.

Dhe një ditë e kuptoi se kësaj maratone s’i shihej fundi.

Në të vërtetë, pasojat e luftës, ato fizike u larguan shpejt, vitin e parë plot shira dhe ditë zymta dhe në vitin e dytë më s’kishte shtëpi pa kulm, mure të tymosura, shenjat e flakës s’vëreheshin, por pakkush u kujtua të merrej me pasojat e brendshmet, pakkush pyeste, kush ishte shqiptari në këto rendet e reja?

Marini i ndodhur përballë bllokut të zi me shënime, futet në një kohë tjetër, si një anije në dallgë,  i vetëdijshëm se në to më shumti ka fletë të zhubravitura, fjali të paqarta e hapësira boshe, qirinj të shuar, shënime i ngjajnë aq shumë jetës së tij. Dhe përballë kësaj kohe, ndihet i pafuqishëm, siç ishte atëherë kur pushteti i frikës ra mbi të dhe ai i tmerruar kërkonte të gjente një strehë lirie.

Dhe tani, përpara se të udhëtonte në Gjermani ndjente nevojë të hatashme të rindërtonte historinë e tij, të rindërtonte urat mes tij dhe të kaluarës, fundja, donte ta kuptonte sa rrathë ferri kaloi, kishte ekzistuar ndonjë Virgjil i fshehtë nëpër shkrumbin e flakën së asaj kohe që e drejtoi dika, e kishte ndihmuar kush, dhe më kryesorja, ku ndodhej tani?

Ai s’është në parajsë, këtë e di, por as në ferr. I bëhet sikur vazhdon të jetojë në stacionin e pritjes, në njëlloj purgatori rraskapitës si një nxënës i dobët që përherë bën pyetje elementare, pyetje që ndërrojnë trajtë, por kanë përmbajte të njëjtë: vërtet ky është stacioni kryesor i një jete njerëzore?

.....

Cila ishte lënda e kujtesës së popullit shqiptar?

Pyetja është e tmerrshme dhe përgjigja është po aq e pështjellët sa rrugët e një qyteti të panjohur në një natë kur zotëron mjegulla. Kjo pyetje është një therë e tmerrshme në zemrën e historisë shqiptare, i cili ndonëse pranohet botërisht se është popull i lashtë i Europës, lëndën e kujtesës s’e ka aq të kthjellët dhe aq të lashtë.

Dhe për dreq, kujtesa e tij është plot gabime dhe harta e harresës është e madhe, është gdhendë në gjithçka të tijën, prandaj gjithçka në jetën e tij është e paktë: shkollat, shkrimi, vetëm vuajtjet i ka mëdha e të pafundme. Dhe pikërisht këtu kërkohen arsyet përse ato orët e lumturisë dhe të gëzimit, që ndryshe në kontinentin e madhe të historisë njerëzore njihen si orët e lirisë, i kanë tmerrësisht të pakta, krahasuar me ato të vuajtjeve, robërisë dhe shtypjes.

Psikologët dhe sidomos shkrimtarët kanë bërë përpjekje që të depërtojnë thellë në botën e brendshme të Njeriut dhe kanë hulumtuar arsyet e harresës dhe ia kanë dalë të tregojnë rëndësinë e kujtesës.

Ndër debatet e shumta që lidhen me këto mistere njerëzore, ka psikologë që thonë se ekziston njëlloj harrese e motivuar, që lidhet me represionin – ky term është përdorë sidomos nga psikologët e linjës frojdiane dhe lidhet me atë që njihet si procesi i të harruarit të diçkaje që shkakton ankth.

Dhe shqiptarët kanë përjetuar me shekuj ankth, ata janë formuar me ankth dhe Marini ka ankth dhe ai është rritë me ankth, dhe në realitet e reja ai frikësohet se mund të zgjohet një ditë, dhe krejt papritë; të mos kujtojë asgjë, lënda e kujtesës së tij të zhduket përgjithmonë dhe ai të mbetet një kontinent harrese, i zbrazët, i cekët, i hutuar, pa qëllim. Pikërisht kjo është arsyeja pse brenda tij është ndezë drita e alarmit, sepse sa herë Njeriu s’e di ku është dhe kah do të shkojë, të tjerët janë të gatshëm ta kapnin përdore dhe ta rreshtojnë ka të duan, sepse Njeriu sa herë harron, përherë ndodhet dikush krejt pranë tij që t’ia kapë dorën dhe ta çojë kah të dojë.

(Fragmente nga romani “Dritarja e Marin Shkrelit”, Onufri, 2023)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx