Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Disa mësime elementare të Ibrahim Rugovës përballë qeverisjes më antigroviste në histori të Kosovës
E diele, 19.01.2025, 07:58 PM
Disa mësime elementare të Ibrahim Rugovës përballë qeverisjes më antigroviste në histori të Kosovës
Nga
Ndue Ukaj
“Unë kam një filozofi,
më pëlqen shume që të krijoj lidhje, miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në
Ballkan, që vetëm akuzojnë”, thoshte Ibrahim Rugova.
Imagjinojeni
njerëz, këtë filozofi kaq sublime politike e këtë forcë krijuese, me forcën
rrënimtare e destruktive të pushtetit të sotëm, që për katër vite, ka hedhë
gurë e dru mbi çdo kënd, Kosovën e ka
futë nën sanksione dhe e ka ndotë krejt mjedisin politik e shoqëror, aq sa
njerëzit ndihen të ngufatur nga politika primitive, më shumë se nga smogu.
Ibrahim
Rugova, në planin e ideve, kurrë nuk ka bërë demagogji me popullin dhe thoshte:
“Ne me kombin dhe me
çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin komunistët: kur u
duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ
duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën,
individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por të kontribuojë për
interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe të angazhohet
konkretisht për të.”
Imagjinojeni
njerëz, mendimi e Rugovës, me mendimin e shkretë të këtij pushteti që krejt
gjuhën politike e ka reduktuar te do ide, variacione skajshmërisht të varfra të
mendësisë ekstremiste majtiste, prej të cilës populli ynë ka trashëguar veç
mjerim.
Rugova
i ripërtëriu aleancat tona me perëndimin dhe çështjen e Kosovës e bëri çështje
të botës demokratike, kurse pushteti i sotëm, këto raporte, vetëdijshëm, i ka
degraduar aq shumë, duke urinuar në pragun klubit perëndimor, të cilit Rugova i
blatohej palëkundshëm.
Sepse,
Rugova ishte europianist i madh dhe antikomunist i përbetuar, sepse e dinte se
komunizmi ishte një ide e keqe.
Shkolla
e Rugovës është shkollë e dijes, e dijes së strukturuar në libra dhe jo i
mendimeve prej bejtësh që ulërijnë e gërvallën, dhe që, përgjatë krejt
vepritmarisë publike, nuk mund t’iu gjesh një mendim të shëndoshë politik, pos
disa turfullima, britma e urrejtje, që shpejt do t’i merr me vete harresa.
Rugova
ishte europian e oksidental, dhe postulat themelor politik e kulturor kishte
oksidentalizmin, ndaj ai nuk rropatej e as nuk tundej nga erëra të lehta. Ai
thoshte:
"Duke qenë
gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me
kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë
dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit
në Evropë..."
Shkolla
e Rugovës, është trashëgimi e Skënderbeut dhe e Pjetër Bogdanit, e Parisit,
Romës, Londrës e Uashingtonit, dhe ky pushtet që po ik nën ulërima e britma,
nuk ka dije e kapacitete as ta imitojë këtë shkollë, sepse, pa ta imitonte, do
të zbutej pak, do të bëhej pak më europian e më integrues, do të bëhej më
solidarë dhe nuk do shfaqte përditë epshe sunduese, tipike joperëndimore.
Po,
ky pushtet dhe udhëheqësi i saj, përfaqësojnë frymën më antirugoviane në
historinë e këtij vendi.
Të
tjerat janë broçkulla.
Pra,
hapi i matur i Rugovës, nuk ka lidhje me ecjen e trullosur të pushtetit të
sotëm.